Osman Osmani, Zvicër, më 4 gusht 2020
PJESA I
A ndjekin politikat shtetërore sa i përket pjesëmarrjes shoqërore parimin e përjashtimit (selektiv) apo atë të (gjithë)përfshirjes?!
Për të dhënë një përgjigje sa më objektive, fillimisht duhet të kuptojmë se si definohen “ekslusioni” (përjashtimi) dhe “inklusioni” (përfshirja):
Termi “ekslusion” fjalë për fjalë do të thotë përjashtim (nga latinishtja exclusio) ose kufizim. Pra shprehimisht përshkruan faktin që dikush është i përjashtuar nga një projekt ose mbledhje/manifestim, i përjashtuar nga përkatësia grupore ose të përjashtuar nga kontekstet shoqërore. Kjo zakonisht ndodh kundër vullnetit të të përjashtuarve dhe për arsye të ndryshme. Të përfshirët duan që – shpesh ekskluzivisht për arsye të ruajtjes së pushtetit dhe fuqisë, për mosbesim ose për arsye të tjera si fjala bie të reputacionit – të qëndrojnë vetëm mes tyre (d.m.th. ekskluzivisht), gjë që shoqërohet me një zhvlerësim të caktuar, përfshirë deri edhe diskriminim ndaj atyre që janë të përjashtuar. E kundërta e kësaj është “inklusioni” (përfshirja).
Termi “inklusion” në sociologji përshkruan përfshirjen ose bashkëpërfshirjen e njerëzve në shoqëri. Koncepti është plotësues me atë të përjashtimit; njëri term është i pakonceptueshëm pa tjetrin. Kërkesa për përfshirje sociale realizohet kur të gjithë njerëzit me gjithë individualitetin e tyre pranohen nga shoqëria dhe kanë mundësinë që plotësisht të jenë pjesëmarrës ose/dhe të kenë pjesëne tyre në shoqëri. E drejta për të marrë pjesë bazohet në etikën sociale dhe ka të bëjë me të gjitha fushat e jetës në të cilat të gjithë duhet të jenë në gjendje të lëvizin lirshëm. Përfshirja përshkruan barasvlefshmërinë e një individi, pa parakushtëzimin e supozuar të normalitetit. Përkundrazi, ajo që është normale është diversiteti (shumëllojshmëria), ekzistenca e dallimeve. Individi nuk është më i detyruar të përmbushë norma të paarritshme, përkundrazi është shoqëria që krijon struktura në të cilat njerëzit me karakteristika të veçanta mund të kontribuojnë dhe në të cilat ata mund të ofrojnë shërbime të vlefshme në mënyrën e tyre. Një shembull i lirimit nga barrierat është që çdo ndërtese të jetë e arritshme për njerëzit me karrocë aftësish kufizuese. Por në mënyrë figurative, barrierat gjithashtu mund të reduktohen.
Kombet e Bashkuara (OKB) më 2015 në 17 qëllimet e tyre të miratuara për zhvillimin e qëndrueshëm, përfshirjen e përmendin në disa pika, si p.sh. në pikën 4: “Sigurimi i arsimit gjithëpërfshirës dhe me cilësi të lartë për të gjithëdhe promovimi i mësimit gjatë gjithë jetës”, në pikën 11: “Qytetet të bëhen gjithëpërfshirëse, të sigurta, me peshë dhe të qëndrueshme”, ose në pikën 16: “Promovimi i shoqërive të drejta, paqësore dhe gjithëpërfshirëse“. Parimi i përfshirjes sociale ka një rëndësi thelbësore në Konventën e Kombeve të Bashkuara për të drejtat e njeriut. Në paragrafin (lit. m) theksohet edhe objektivi i forcimit të ndjenjës së zgjeruar të përkatësisë. Kështu, një term i ri ka gjetur rrugën e tij në diskutimin e të drejtave të njeriut, i cili përkundër përvojës së përjashtimit shoqëror, kërkon një përfshirje sociale të lirë dhe të barabartë.