PËRDORIMI I DREJTË I TOPONIMEVE TË HUAJA NË GJUHËN SHQIPE

Për përdorimin e drejtë të standardit të gjuhës shqipe vend me rëndësi zë, përveç tjerash, edhe përdorimi i drejtë i toponimeve (emrave të vendeve) të huaja.

 Shkruan: Sami Islami, Londër

Kësaj radhe do të ndalemi pak t’i shqyrtojmë disa probleme në lidhje me përdorimin e këtyre emrave në gjuhën shqipe. Për disa toponime të huaja të ngulitura prej kohësh në gjuhën tonë, kryesisht, nuk ka dilemë se si do të përdoren. Sa për ilustrim mund t’i marrim toponimet Stamboll (prej turq. Istambul), ose Londër (prej angl. London), edhe pse kjo e dyta, në kohë të fundit ka nisur të përdoret si London e jo si Londër, sigurisht nga përdorimi i dendur i saj në dekadat e fundit.

Pa marrë parasysh këtë, ka kohë që një numër i konsiderueshëm toponimesh të tjera (të huaja) po përdoren gabim në gjuhën shqipe. Ky fenomen vërehet sidomos në gjuhën e mediave, në gazeta, radio e televizion. Kështu shpesh na bie të dëgjojmë apo t’i shohim të shkruara konstrukte si: “Unë punoj në Cirih të Zvicrës”, “Ai ka qenë disa herë në Dizeldorf të Gjermanisë”, “Minheni është qytet i madh”, ose “Shumë ura mbi Tamiz e lidhin qytetin e Londrës!

Pjesa më e madhe e këtyre toponimeve mendoj, se kanë hyrë në gjuhën shqipe shumë më herët. Kjo ka të bëjë kryesisht me ndikimet e gjuhëve të huaja (në këtë rast të serbokroatishtes) në Kosovë dhe në trevat shqiptare që ishin nën administrim e shtetit jugosllav, ose me ndikim të gjuhës italiane në Shqipëri.

Deri në Luftën e Fundit trysnia e serbokroatishtes vërehej, pothuaj në të gjitha sferat e jetës në trojet shqiptare nën Jugosllavi. Dhe, sigurisht, mediat por edhe gjuha e administratës bënë që disa toponime të huaja (lexo: të serbokroatishtes) të shqiptohen ashtu siç shqiptoheshin në këtë gjuhë! Duke e pasur parasysh se serbokroatishtja nuk i ka tingujt x, y, c, rr, th, dh etj., dhe pasi që toponimet e huaja u futën në gjuhën shqipe nga kjo gjuhë, prandaj edhe emërtimet “servoheshin” në gjuhën shqipe nga kjo gjuhë! Kështu toponimi zviceran Cyrih, në mediat tona shpesh na del Cirih, toponimi Dyseldorf, Diseldorf. Po ashtu edhe toponimi ,Minhen, Jamajka (për Xhamajkën)etj.

Në gjuhën angleze emri i lumit Temzë (nga Thames), dhe toponimi Londër , në gjuhën shqipe janë të stabilizuar prej kohësh. Në Fjalorin Drejtshkrimor të Gjuhës Shqipe, Prishtinë, 1983 e gjejmë shqiptimin shqip Londër, jo London, kurse po në këtë Fjalor hidronimin Temzë, e gjejmë Tamiz! Se nga erdhi , që edhe në Fjalorin Drejtshkrimor të Gjuhës shqipe (“Rilindja”, Prishtinë, 1983, f. 752) të futet në trajtën “Tamíz” është e çuditshme, kur dihet se edhe anglezët e shqiptojnë “Temzë” (nga The Thames)!

Në gjuhën e mediave, sot ndeshen të përdorura edhe shumë toponime të tjera gabim. Si: Amazonë-a (lumi më i madh i Amerikës Latine dhe lumi më i madh në botë) të shqiptohet “Amazon-i”, Andorrë-a të shqiptohet “Andorë-a”, në vend “Grinuiç-i” , të thuhet “Griniq-i”, në vend “Hollivud-i” të thuhet Holivud-i, në vend Kajro, të thuhet Kairo, në vend Kamberra, të thuhet Kambera, në vend Deti i Karaibeve, të thuhet Deti i Karibeve, në vend Kejptaun-i, të thuhet Keptaun-i, në vend Kopenhagë-a, të thuhet , Kopenhagen-i, në vend Lisbonë-a”, të thuhet Lisabon-i, (ky toponim dhe toponimi Jamajka një kohë të gjatë kanë ekzistuar edhe në tekste shkollore, si në harta apo atlase), Los Anxhelos-i, të thuhet Los Anxheles-i , Montreal-i, të dëgjohet si Monreal-i, Nisë-a të thuhet Nicë-a, Penxhab-i, të thuhet Penxhap-i, Venezuelë-a të thuhet Venecuelë-a etj. etj.

( Nga sot portali ynë “prointegra.ch”,  do të botojë trajtime gjuhësore nga profesor Sami Islami, ndaj edhe e falënderojmë me këtë rast në emër të redaksisë për bashkëpunim )