Për bukën, librin dhe ca gjëra të tjera

„Para shumë e shumë kohësh…“. Kështu fillojnë zakonisht „Aventurat e bineqëve Tritop në xhungël“, të cilët i rrëmbejnë fëmijët në shëtitjen e tyre nëpër kohë dhe hulumtimin e botës në vitet e lashta. Një sërë librash për fëmijë nga Cressida Cowell, që dyqani i njohur i ushqimeve McDonald’s i jep në vend të një loje. Çdo muaj del një vëllim i ri i aventurës prej 12 pjesësh dhe jepet me pakon Happy Meal. Të ilustruara, me letër cilësore, kapakë të fortë, për merak! Ato janë të konceptuara për fëmijë të moshave tre deri nëntë vjeç. Me qëllim të nxitjes së shprehive të leximit.

Kjo në Zvicër ndodh nga 2019-ta. Në Gjermani, me sa shoh, nga 2012-ta, kurse në vendet skandinave dhe Britaninë e Madhe ka filluar akoma më herët. Secili vend ka konceptin dhe agjendën e vet. Në Gjermani restoranti botimet i bën duke kontraktuar shtëpi botuese të caktuara dhe me këshillimin e Fondacionit Lexoj (Stiftung Lesen). Botimet janë kryesisht libra me këshilla, a romane për fëmijë. „Bibi Blocksberg – kuzhina e shtrigave“, quhet seria e cila qarkullon tani në Gjermani.

Në Austri shpërndarja e librit nga McDonald’s ka filluar poashtu më 2012-tën. Më 2013-tën, për shembull, janë shpërndarë 1,3 milionë libra nga restoranti. E gjitha, sikurse thuhet, me qëllimin e ngjalljes së kënaqësisë së leximit dhe të rritjes së kompetencave të leximit dhe të gjuhës. Sepse këto shoqëri i marrin seriozisht rezultatet e studimeve nëpër shkolla. Në Austri restoranti bashkëpunon me Klubin e Librit (Buchclub), një organizatë jofitimprurëse për përhapjen e librit… Për momentin, me sa shoh, këtu qarkullon titulli „Kalorësit e kuçedrave“.

Sikur kurrë nuk kanë qenë më pranë njëri-tjetrit buka dhe libri. Këto sinonime që kanë bërë karrierë të bujshme në ligjërimet shqiptare, që nga shkolla fillore. Ndonëse, fushatat e shpërndarjes së librave nga McDonald’si në këto qytetërimet skeptike perëndimore shihen edhe si kanale të tij për të nxitur më shumë konsumin dhe për të maksimizuar përfitimin. Në fakt, për të ndrequr imazhin e dëmtarit të shëndetit të njerëzve me ushqimin e tij. Por, fondacioni Lesen, që e këshillon atë në Gjermani, në këtë fushatë e sheh një mundësi për luftimin e analfabetizmit funksional në vend, i cili kap numra gjashtëshifrorë.

Më shumë të dhënë pas përfitimit duken ca biznese të shqiptarëve, të cilat nuk kanë çelës as natën, as të dielën. Në viset e shqiptarëve nuk ka analfabetizëm funksional? Atje, më duket, ka mbërritur 5-G-ja përpara se në Zvicër!, por jo edhe ca gjëra të tjera më të thjeshta. Në dukje. Ndonëse ankimi nga përhapja e keqe e librit është një mesele e dëgjuar dhe stërdëgjuar. Nuk është pra se s’ka fare vetëdije për problemin. Vitrina e librit, një gjetje simpatike për përhapjen e tij, ka gjetur ndonjë qoshe në sheshet e qyteteve shqiptare, por jo edhe në zemrat e qytetarëve.

Në thelb e tëra duket nga njëra anë një çështje e përgjegjësisë shoqërore, nga ana tjetër e kreativitetit. Këto ditë lexova për dhurimin e disa automjeteve të superpajisura ambulatore që Lazim Destani i bën spitalit të Tetovës. I cili vërtet nuk ankohet për bilancin e vet dhe ka spikatur shpesh me insvestime të tilla për komunitetin. Po ç’i kushton naçihanes së dëgjuar të kryeqytetit të vilajetit më të madh, i cili për emër e ka mbiemrin e dhuruesit të mësipërm, ku sipas legjendave urbane paska mbushur brinjët edhe Tita, të dhurojë një libër për çdo të dhjetin hamburger të blerë?

Po atij tjetrit që e ka mbushur qytetin me filiale dhe po i dend fëmijë e pleq me qebapa dhe hamburgera në Tetovë, ç’i kushton? Po atij tjetrit që të njëjtën e bën me ëmbëlsira? Po atij tjetrit e atij tjetrit…? Në Prizren, Prishtinë e gjetiu? Dallimi është se L. Destani ka përqark njerëz të kënduar dhe iu var veshin atyre. Edhe McDonald’sit, siç pamë, i asistojnë fondacione të specializuara, të cilat angazhohen për përhapjen e librit dhe të shprehive të leximit. Ata që e kanë njëmend me merak këtë punë te shqiptarët, duhet t’u trokasin një ditë atyre në derë! Por, si duket, njëherë duhet trokitur vetë këtyre!