PËKTHIME AD LITERAM NË GJUHËN SHQIPE

Çështja e ndikimit të një gjuhe në një gjuhë tjetër ka qenë dhe ka mbetur dukuri e kahershme në marrëdhëniet gjuhësore. Këto ndikime vijnë në pah nga trysnia kulturore, ekonomike e politike e një gjuhe ndaj një tjetre. Fatkeqësisht këto ndikime e kanë bërë të vetën edhe përkundër asaj se çdo gjuhë, në fund të fundit, ka mjetet e saja shprehimore, të cilat, gjithsesi, mendoj se duhet shfrytëzuar deri në pikë të fundit.

 Shkruan : Sami Islami, Londër

Por në këto kohë të një zhvillimi të madh ekonomiko-shoqëror, gjuhët, të cilat, megjithatë, kanë qenë më dominante, për arsyet që i theksuam më lart, kanë bërë që, përveç sferës morfologjike, të ndikojnë edhe në sferën fleksive, apo sintaksore në gjuhë të tjera.

Po sa kanë ndikuar këto në gjuhën shqipe?

Duke i pasur para sysh këto rrethana edhe në shqipe janë futur kalke. Kjo gjë ka ndodhur, dhe po ndodh vazhdimisht nga njerëz të papërgjegjshëm (shkrimtarë gazetarë, redaktorë) dhe mos njohës të gjuhës nga e “përkthejnë” materialin në gjuhën tonë, ose nganjëherë përkthyesit po i përdorin këto modele për të shprehur një sens trendi më bashkëkohor.

Le të shkojmë me radhë!

Derisa Kosova ishte nën pushtimin serb, u futën një mori kalkesh nga serbokroatishtja ( pa e ditur se, ndoshta, edhe në atë gjuhë kishin hyrë si kalke nga një gjuhë tjetër).

Po në shqip, mendojmë, se hynë nga serbokroatishtja sepse ne në Kosovë atë e kishim në kontakt të drejtpërdrejtë. Gjeneratave më të moshuara, besoj se u kujtohet kur në televizionin e Prishtinës jepej një seri humoristike serbe me titull ( i përkthyer në shqip) “Me dredhëza në fyt”! Ky ishte një “përkthim” aq i keq dhe aq i paqëlluar për sintaksën e gjuhës shqipe sa s’ka ku shkon më! Po politika e bënte të veten.

Përkthyesit nuk e kuptonin se në serbisht togfjalëshi “S’grlom u jagode” ishte metaforë që nuk kishte të bënte aspak me “dredhëza”. Kuptimi i saktë i këtij togfjalëshi ishte “ Me frymën në fyt”. Sintagmë që në këtë formë e kemi edhe në shqip për dikë që nuk mund të pret po i bën gjërat shpejt e shpejt, duke u ngutur, pra me frymën në fyt. Kjo ndodhi, pra, për t’i qëndruar ”besnik”përkthimit ad literam (fjalë për fjalë) “S’grlom u jagode” , duke u përkthye në shqip me “Me dredhëza në fyt”!

Një tjetër problem që ishte i pranishëm në shtypin e Kosovës, por edhe në media elektronike, ishte përdorimi gabim i shprehjes “fytyrë për fytyrë! P.sh “Emisioni fytyrë për fytyrë”(“Rilindja”, 27.10.1979, f. 24), që duket qartë se ishte marrë , prapë, nga serbokroatishtja “licem u lece”. Ka mundësi që edhe serbokroatishtja ta ketë marrë këtë kalk nga ndonjë gjuhë perëndimore (nga anglishtja, p.sh. “face to face”)!

Për të qenë fjalia e mirëfilltë shqipe, ne mund ta kishim përdorur shprehjen tonë marrë nga gurra popullore, “sy me sy”. P.sh Fola sy me sy me atë. Më rrejti sy me sy. etj.

Jo rrallë na bie të lexojmë edhe aso fjalish, të cilat, vështirë, ose fare edhe nuk mund të kuptohen! Ja disa shembuj: “Shpesh ndodh që mbi jetën tuaj të derdhen vetëm re të zeza”(!) (“Zëri”, 20.09.1981, f.9), ose “Nëse kam dhembje, ajo është dashuria! (“Zëri” 29.08.1981, f. 16), “Edhe rrëzimi i 3-4 kilogramëve redukton shanset e prekjes nga diabeti”, “Dyshimet se aeroplani u përplas me një masë të madhe zogjsh u rrëzuan menjëherë…” etj. Artikullshkruesit edhe mund të bëjnë gabime të tilla, por redaktorët e rubrikave, lektorët, apo korrektorët, nuk bën që këto gabime t’i lëshojnë në publik. Çfarë figure stilistike, qenka kjo “ derdhen re te zeza”?

Në shqip kemi plot rrugë të tjera për të shprehur këtë mendim. P.sh “Shpesh ndodhë që në jetën tuaj të keni ditë të zeza, të liga, të këqija” etj., Edhe tjetra “Nëse kam dhembje , e kam nga dashuria”, por jo “Nëse kam dhembje , ajo është nga dashuria”. etj.