Nga Arben Berisha
Nga 28 deri më 30 mars, gjashtë fotografë shqiptarë Adoni, Liridoni, Ruzhdiu, Sevdaili, Valoni dhe unë Arbeni u nisëm për në Francë me një synim të përbashkët: fotografimin e shqiponjës peshkngrënëse. Të pasionuar pas fotografisë së jetës së egër, arritën të kapim momente të veçanta të natyrës dhe të jetës së egër.
Nisja dhe udhëtimi
Rrugës për në Bazel, pasi parkuam makinën në autotren për të kaluar përmes Alpeve, Valoni dhe unë diskutonim mbi vendin e takimit me pjesën tjetër të grupit. Liridoni dhe Adoni na njoftuan nga Prishtina se avioni i tyre do të nisej së shpejti për Bazel, ndërsa Sevdaili ishte rrugës për në aeroport. Ruzhdiu u bashkua me grupin rreth orës 22:30 dhe së bashku u nisëm drejt destinacionit final në Francë.
Sevdaili dhe Ruzhdiu, që tashmë e kishin vizituar një herë zonën, morën përsipër të na shpienin në regjionin e Parisit. Me pauza të vogla dhe biseda të hareshme, rruga gjashtë orëshe natën kaloi shpejt.
Takimi i parë me shqiponjën peshkngrënëse
Në orën pesë të mëngjesit, arritëm në destinacionin tonë. Muzgu dhe mjegulla krijonin një pamje idilike, dhe disa nga fotografët e natyrës nuk mund të rezistonim pa i fiksuar këto çaste unike me kamerat e tona. Qysh nga ora gjashtë, shqiponja peshkngrënëse filloi të fluturonte mbi ne duke skanuar sipërfaqen dhe dukej sikur na uronte mirëseardhjen.
Rreth orës 10:30, ishte momenti i shumëpritur: shqiponja peshkngrënëse u hodh me shpejtësi drejt ujit, duke shpërndarë pikat e ujit si perla në ajër. Me një peshk në kthetra, u ngrit lart në fluturim duke na ekspozuar prenë dhe vazhdoi fluturimin drejt folesë. Të ngazëllyer nga ky moment i rrallë, shikuam me padurim fotografitë që kishim realizuar.
Gjatë ditës, shqiponja vazhdoi të fluturonte lart mbi liqe, ndërsa ne fotografonim edhe lloje tjera të shpendëve, si çafka e natës, pulëbardhat, dallëndyshet, qukapikun larosh dhe bishtkuqin zeshkan.
Ditët pasuese: Eksplorimi dhe Fotografimi
Të nesërmen, një pjesë e grupit u nis drejt pyjeve të afërta, ku hasën tufa kaprojsh dhe dëgjuan cicërimat e qukapikut tregishtor. Pjesa tjetër qëndroi pranë liqenit, por shqiponja nuk ishte aq aktive deri në pasdite. Kur ajo më në fund u hodh sërish në ujë, secili prej nesh u përpoq të kapte një perspektivë unike të momentit. Ruzhdiu ishte i fokusuar tek momenti i zhytjes në ujë, Liridoni kujdesej për rregullimin e parametrave të fotografimit, Sevdaili preferonte një sfond të sheshtë për të nxjerrë subjektin në pah, Adoni dhe Valoni kërkonin një këndvështrime ndryshe dhe unë diskutoja me një fotograf lokal për folezimin dhe identifikimin bazuar në unazimin e shqiponjës peshkngrënëse.
Mbrëmjen e kaluam duke darkuar dhe duke fotografuar kështjellat e zonës me ekspozim të gjatë.
Takimi me Fotografin Valdet Galica
Ditën e tretë, përderisa arritëm pranë liqenit, patëm një takim të veçantë me fotografin e mirënjohur Valdet Galica i cili jeton dhe vepron në Francë. Ai ndau me ne eksperiencat e tij shtatëvjeçare në fotografimin e shqiponjës peshkngrënëse. Liridoni që kishte ardhur nga Kosova i kishte sjellur disa copëza nga mëmë- dhe atëdheu, ai dhuroi Valdetit një triko me figurat e Shote dhe Azem Galicës, gjë që e emocionoi pamasë, pasi ai ka të njëjtën origjinë familjare.
Nuk munguan bisedat e gjatë në lidhje me aparatet dhe objektivët e domosdoshëm për realizimet të pranueshme fotografike, Canon, Nikon apo Sony. Para se të ndaheshim, bëmë fotografi grupi ku nuk mungonte as arsenali ynë fotografik dhe diskutuam plane të reja për të ardhmen.
Përshtypjet i udhëtimit
Gjatë kthimit për në Zvicër, bëmë një përmbledhje të eksperiencës sonë. Ky nuk ishte vetëm një udhëtim fotografik, por një përvojë e veçantë që na afroi me natyrën dhe me njëri-tjetrin.
Pasioni ynë i përbashkët për fotografinë e jetës së egër diskutime frytdhënëse biseda të këndshme batuta të shumta, na dhuroi kujtime të paharrueshme dhe na frymëzoi për aventura të reja.
DERI NË UDHËTIMIN E RADHËS
Arben Berisha