Pas Prishtinës edhe në Shkup përurohet libri i parë i një hoxhe kushtuar Nënës Terezë

462

 

Marr në përgjithësi libri “Bisedë shpirtërore me Shën Nënën Terezë” i intelektualit e klerikut, Zekerija Idrizit është një libër publicistik me vlera të larta letrare e estetike, theksoi botuesi Fatmir Halimi, në promovimin e mbajtur në Shkup me pjesëmarrje të të një numri të mirë libërdashësish jo vetëm nga Maqedonia e Veriut e Kosova, por edhe Shqipëria e diaspora

Teksti e fotot: Rexhep Rifati

Kaherë nuk kam përjetuar një promovim aq mirë të organizuar libri, ku si ambienti, ashtu edhe pjesëmarrësit e para së gjithash vetë autori e libri, përbënin një kaptinë të veçantë. Gjegjësisht, dje, më 29 Shkurt 2020, në sallën e  komunës së Çairit në Shkup, në një atmosferë shumë mbresëlënëse u bë promovimi i librit të intelektualit, teologut dhe shkrimtarit, Zekerija Idrizit me titull:,, Bisedë shpirtërore me Shën Nënë Terezën” kushtuar Nënës sonë të shenjtë Terezë, i veçantë si për nga autori ashtu edhe vetë përmbajtja e librit shumë domethënës edhe për vet momentin kohor, si edhe për qasjen filozofike të vet trajtimet të një tematike sa humanitare aq edhe atdhetare.

Në promovimin e këtij libri, merrnin pjesë figura të njohura arti e kulturës nga troje të ndryshme shqiptare, pos nga Maqedonia e Veriut e Kosova edhe nga Shqipëria e diaspora. Programi që filloi e mbaroi me disa pika artistike, por edhe fjalë tematike e përshëndetëse, u përcoll edhe me një fjalë të fuqishme të vet autorit, i cili ndër klerikët e rrallë shqiptar edhe në ketë shekull relacioneve të bashkëjetesës dhe tolerancës fetare i qaset me syrin e një rilindësi, që kombin e atdheun i nxjerr në plan të parë, duke mos e cenua asnjërën nga fetë që kanë përqafua shqiptarët ndër shekuj.

Vlerësimi i botuesit të librit Ma.sc.Fatmir Halimi

Pa u lëshua më tej në vlerësime, po e jap një pjesë të fjalës së vet botuesit të këtij libri, Ma.sc.Fatmir Halimi, i cili potencon se:  “Librin publicistik “Bisedë shpirtërore me Shën Nënën Terezë”, Zekerija Idrizi e ka ndërtuar nga parimet dhe idetë shumë personale të tij, ose të themi se Zekerija për konceptimin e këtij libri është nisur nga personalja, pasi që si Nëna Terezë, e ashtu edhe autori (Zekerija) kanë lindur në të njëjtin qytet, pra të Shkupit, e janë rritur të dy në po atë qytet.

Shkrimtari dhe teologu i njohur i fesë islame, Zekerija Idrizi, mendoj unë , duke i parë rrethanat e sotme kulturore, fetare, sociale e politike të popullit tonë në Ballkan, duket se e ndjen edhe obligim moral, e njerëzor që ta shkruajë këtë libër e të merret me këto përsiatje rreth figurës shumë madhore të Shën Nënës Terezë. Jemi në rrjedha të situatës sonë se ka zëra, që thonë sot, se Nëna Terezë një shqiptare e lindur në Shkup nga prindër, nga qyteti i Prizrenit ishte një nënë e madhe për botën e krishterë dhe një përkrahëse e madhe e skamnorëve, që karrierën e saj e zhvilloi kryesisht në Kalkutë, një krahinë e madhe në Indi, ku popullata e saj gjatë viteve të 70-ta dhe 80-ta vuante nga uria, e falë angazhimit të saj bota i ktheu sytë atje dhe e ndihmuan atë popullatë, pra këta zëra thonë se Nëna jonë e madhe nuk dinte as të shkruante shqip. Prandaj themi sot se Zekerija Idrizi përmes këtij libri e dëshmon të kundërtën, se Nëna Terezë fliste, shkruante dhe mendonte shqip, dhe ishte kjo Nënë e jona e madhe qëe ngriti zërin edhe te Kryetari i atëhershëm i Amerikës Bill Klinton për çështjen tonë kombëtare, kur Kosova ishe në prag të luftës për çlirim.

Autori, njohës dhe lexues i pasionuar i shkencave mbi teologjitë

Idrizi duke qenë njohës i mirë e fesë islame, por duke qenë njëherit edhe lexues i pasionuar i shkencave mbi teologjitë të të gjitha konfeksioneve fetare, përmes këtij libri sjell idenë e tolerancës ndërfetare të popullit tonë, por po ashtu edhe tolerancë ndërfetare në mes të popujve të tjerë të Evropës e të planetit tonë përgjithësisht. Si shembull të tolerancës dhe të civilizimit shoqëror sot, ai merr qytetin e Berlinit, në të cilin edhe jeton vetë. Ai duke na e përshkruar jetën e këtij qyteti metropol, ku jetojnë së paku tre milion njerëz dhe me më shumë se dhjetëra besime fetare e sekte të tjera fetare brenda tyre, popuj të ndryshëm dhe të ngjyrave të ndryshme , mësojmë se toleranca fetare është në nivelin më të lartë të civilizimit të sotshëm modern. Se ne si populli i vogël në  Ballkan, por me njerëz të mëdhenj, që i dhamë botës së civilizuar, siç ishte Skënderbeu dhe Nëna e jonë famëmadhe Shën Nëna Terezë, si një popull me tri konfeksione fetare, duhet të jetojmë në tolerancë të madhe ndër veti, autori na e dëshmon edhe me bisedat, apo korrespondencat që na i sjell në libër me vëllezërit e tij të besimit katolik dhe ortodoks siç janë: me Don Lush Gjergjin, Nikolla Markun e medr. Branisllav Sinadinovski.

Zoti ka krijuar popujt, si popullin ilir, arab, latin, kelt e të tjerë, para se besimet fetare

Këtij parimi të tolerancës fetare, Idrizi i jep një pasqyrë edhe më të thellë, kur niset nga librat e shenjtë si të Kur’anit, Biblës, Ungjillit e të tjerëve, se Zoti në fillim kishte krijuar popujt, si popullin ilir, arab, latin, kelt e të tjerë e mandej kishin rrjedh edhe besimet fetare. Këtë na e dëshmon dhe me veprimet e profetëve duke marrë si baraspeshë, si profetët katolik ashtu edhe ata myslimanë, që duke filluar nga Abrahami-Ibrahimi deri te Isa-Jezusi, e te profeti i fundit Muhamedi. Sipas Zekerijas të gjithë këta në periudha dhe kohë të caktuar për njerëzimin kishin sjell paqe, gëzim e tolerancë fetare, kurse për tolerancën ndër fetare na e dëshmon me profetin Muhamend.

Dhe krejt për fund duke e lexuar me ëndje e me shije librin e Zekerija Idrizit “Bisedë shpirtërore me Shën Nënën Terezë”, vij në përfundim se autori është kundër çdo fundamentalizmi fetar, kundër çdo ekstremiteti brenda fetar, por edhe jashtë fetar, qoftë ai mysliman, katolik apo ortodoks. Prandaj dy figurat më të mëdha të kombit tonë përgjatë gjithë historisë, Skënderbeu dhe Shën Nëna Terezë janë sintagma më madhore e identitetit tonë kombëtar, se këto dy figura historike, sipas autorit duhet të çmohen dhe duhet ta kenë respektin në piedestalin më të lartë të secilit individ, por edhe te secili nivel shtetëror e kombëtar përgjithësisht. Marr në përgjithësi libri “Bisedë shpirtërore me Shën Nënën Terezë”, është një libër publicistik, por për lexuesin tanë dhe të gjithanshëm mund të lexohet edhe si një libër me vlera të larta letrare e estetike, pasi që këtu vije në shprehje edhe talenti i autorit prej një shkrimtari të madh në letrat tona romanore, siç është romani i tij i fundit “Arratisja nga Vdekja”, i cili edhe bëri një bujë të madhe në letërsinë tonë, në të gjitha trevat shqiptare, përfundon Fatmir Halimi i cili vjet mori shpërblimin e parë për romanin e tij.

I diplomuar në studimet e larta për religjion dhe filozofi

Sa i përket vet autorit, Zekerija Idrizi, që deri më tash ka nxjerr në dritë edhe botime të tjera me vlerë, ai  është me origjinë nga Shkupi, ndërsa që studimet e larta për religjion dhe filozofi, i ka përfundua pranë fakulteti të Shkencave Islame në Sarajevë. Me këtë rast vlen të theksohet se mesa jam në dijen Zekerija Idrizi është i pari hoxhë shqiptar që boton libër për Shën Nënë Terezën edhe atë përmes një përkushtimi e dashurie të jashtëzakonshme ndaj Nënës Terezë dhe veprës së saj të madhe edhe si besimtare e edhe si humanitare.

Falënderimi i autorit drejtuar pjesëmarrësve në promovim

Përmes një postimi në fb, autori Zekerija Idrizi, falënderoj gjithë pjesëmarrësit: “organizatorët, recensentët, ligjëruesit në ditën e promovimit të librit tim “BISEDË SHPIRTËRORE ME SHËN NËNËN TEREZË” në Sallën e madhe të Komunës qendrore të Çairit, në vendlindjen time në Shkup. Jam shumë shumë i kënaqur. Faleminderit nga zemra miq/mikesha të miat nga Maqedonia, Kosova dhe Shqipëria! Kam ngelur pa tekst, i mahnitur skajshëm nga çdo pikëpamje.

I dhurova qindra libra për miqësinë time shumë të shtrenjtë, bashkë me Prof. Mr. Fatmir Halimi – botuesi im, Editor i SHB ProkultPress nga Prishtina. Qershia mbi tortë kanë qenë Maestrot e Artit muzikor: Prof. Blerim Grubi violë, djali i tij Lek Grubi – violinë dhe Dr. Nehat Curri, – klarinetë, të cilët na argëtuan shumë me disa sekuenca muzikore. Zonja e Hekurt, Adelina Marku, ka qenë brilante në moderim. Dorën në zemër, moderim të tillë kam parë personalisht vetëm në Evropë, veçanërisht në Gjermani.. Veçanërisht kam qenë i kënaqur skajshëm nga interpretimet e zonjë Ajshe Useini dhe z. Mumin Abdullahi: dialogët imagjinarë në mes autorit dhe Shën Nënë Terezës…
Falënderoj veçanërisht ligjëruesit: Prof. Mr. Fatmir Halimi – Prishtinë (Besianë), Prof. Edmond Vrapi – Enciklopedist, Tiranë, Zonjë Sadije Aliti – nga Shoqata e Shkrimtarëve OENEUM e Tetovës, Profesori im i shtrenjtë Ef. Bahri Aliu – Tetovë, Z. Rahim Ganiu – Poet, Shkup, Shkrimtari dhe poeti i spikatur z. Nehat Jahiu – Kumanovë, Aktori dhe shkrimtari z. Ali Qerimi – Kumanovë, Prof. Nuri Rexhepi – Shkup, Besim Xhelili – poet dhe romansier nga Lidhja e Shkrimtarëve Shqiptarë në Austri, Znj. Dijana Toska – gazetare, Shkup. Prof. Islam Gegaj – publicist Z. Rexhep Rifati – gazetar e publicist , Zvicër  dhe Z. Rami Kamberi”.

 

 

 

.