Partitë në pushtet të jenë të qytetarit e jo familjarit!

Potencon intelektuali dhe njëri ndër biznesmenët e shquar në Gjermani, Bekim Brestovci i cili përmes një letre të hapur kërkon nga partitë që të distancohen nga nepotizmi, në mënyrë që ti jepet përkrahje dhe favorizim i bashkëpunëtorëve dhe jo farefisit, duke keqpërdorë kështu pushtetin

Meqë emri i Bekim Brestovcit, çon peshë si në mërgatë e Kosovë, po e japim për portalin tonë:prointegra.ch, në tersi këtë apel të tij qëllim mirë, ku ai në veçanti potencon rolin e dhe kontributin e Diasporës ndër vite sa i përket  rivitalizimit të gjendjes ekonomike në Kosovë, e që padyshim është i madh dhe i pakontestueshëm.

Ja edhe këndshikimi i tij prej afaristi e intelektuali se si e sheh gjendjen në Kosovë e mërgatë dhe cili është mesazhi i tij: Përderisa Diaspora shqiptare për ditë e më tepër po rritet si potencial, si në sferën ekonomik e po ashtu edhe në atë intelektuale, nevojat e Kosovës për një qasje aktive në politikëbërje të komunitetit nga diaspora është shumë e madhe.
Vlerat e demokracisë dhe përvojat e tyre të krijuara në shtetet ku ata jetojnë por edhe qasja e tyre ndaj krijimit të një sistemi më funksional, më transparent, më demokratik e më efikas, do ishin përmbushje e nevojave të kohës që ka skena politike në Kosovë.

Përfaqësimi i Diasporës në Parlamentin e Kosovës

Përderisa krijimi i një subjekti politik nga Diaspora në njërën anë po duket si vështirë i arritshëm, në anën tjetër përfaqësimi i Diasporës në Parlamentin e Republikës së Kosovës, përmes vendeve të rezervuara gjithashtu duket të jetë i parealizuar, thirrja ime për hapjen e mundësive për kyqje më aktive në jetën politike shkon në adresë të partive politike e sidomos të partive të mëdha politike në Kosovë.
Krijimi i një STRUKTURE TË VEÇANTË brenda për brenda partisë politike e cila do ishte e rezervuar për pjesëtaret nga Diaspora do ishte hapi i parë drejt krijimit të mundësive për qasje sa masive po aq edhe aktive të Diasporës në krijimin e politikave në Kosovë.
Ky organ i veçantë për diasporën( të cilin mund ta emërtojmë si të duam), do kishte në radhë të parë mandatin këshillëdhënës deri në zgjedhjet e ardhshme brenda partisë politike e më pastaj pjesëtarë të kësaj strukture përmes procesit zgjedhorë, partiak do mund të zgjidheshin edhe në strukturat drejtuese të partisë.

Diaspora mund të sjellin një frymë të re në jetën politike e publike

Pjesëmarrja aktive e diasporës në të gjitha subjektet politike do sillte një frymë të re politike me një qasje shumë më ndryshe ndaj krijimit të mundësive për prosperitetin e vendit por do ishte edhe një ngritje e nivelit përfaqësues të asaj pjese të popullatës e cila pa fajin e vet jeton jashtë shtetit të origjinës.
Kosova ka nevojë për ndryshim, ka nevojë për më shumë unitet, për më shumë qasje aktive në të gjitha segmentet, për më tepër përfaqësim të diasporës e për më shumë inkuadrim të potencialit të ri të vlerave..
Andaj sa më parë që të hapen dyert për pjesëmarrjen aktive të diasporës në jetën politike e publike aq më parë do e bëjmë realitet prosperitetin politik e ekonomik të vendit.
Të distancohemi nga monopoli individual në parti e të bëhemi të hapur e gjithëpërfshirës në krijimin e politikave në të mirë të vendit e të kombit, do ishte porosia e ime, konstaton ky intelektual e atdhetar.

Me këtë rasti edhe dy tri fjalë për personalitetin e Bekim Brestovcit: një afaristi me prejardhje nga Lipjani e që për çerek shekulli në Gjermani arriti të bëjë bum në sferën e biznesit duke zotëruar sot 11 firma me më shumë se njëmijë të punësuar, me një numër relativisht të mirë shqiptarësh. Por, duke mos i ndalë asnjëherë të mirat materiale vetëm për veti, duke qenë në krye të Unionit të Bizneseve Shqiptar- Gjermani, bashkë me biznesmenët tjerë, pos investimeve në projekte të tjera, investojnë edhe në shkollimin e brezit të ri, sidomos të studenteve shqiptare, për të cilat ndajnë për çdo vjet më tepër se nga 100 bursa, në shumë vjetore prej mbi 100 mijë eurosh.

Të shtunën e kaluar Bekimin e takova në Zvicër, ku kishte ardhur me të shoqen për të marrë pjesë në përurimin e një qendre për të moshuarit , që drejtohet nga afaristja shqiptare, Merita Pinta, meqë rast edhe i dhurova librin tim, në shenjë miqësie e kontributi që jep për shkollimin e brezit të ri.