Paria e qytetit të Dibrës, me ngulm kërkonte hapjen e shkollave në çdo vend (14)

Ministria e Arsimit të Shqipërisë në vitin 1941 themeloi edhe 5 inspektori të arsimit që funksionuan në 5 qendra që iu bashkuan shtetit-shqiptar edhe atë: në Prishtinë, Prizren, Pejë, Tetovë dhe në Dibër. Kësaj radhe, përzgjodha veprimtarinë e mësuesve në Dibrën e Madhe, me një tekst autorial nga Qerim Lita, botuar më 27 Shtator 2018, pa ndërhyrje teksti, por vetëm mes titujsh.

Nga Qerim LITA

Kryetari i bashkisë së Dibrës, Shemsi Hatipi, i shkruante prefektit Lale Koçit, se në ditët e fundit “shumë persona nga parija e qytetit” i ishin drejtuar “tue kërkue me ngulm hapjen e shkollavet në këtë vend”. “Një kërkesë e tillë – shkruante më tej Hatipi -, ishte e arsyeshme sepse populli i këtij vendi, që, ma në fund, e mërrini ditës me jetue në diellin e ngrohët të lirisë, ka nevojë të ngutëshme me u ushqye me atë Kulturë, qi pat mungue, po thue, prej shekujsh e me çranjosë çdo vragë helmuese të kulturës sllave…”

Vendimi për hapjen e menjëhershme të kurseve verore

Pasi u kryen të gjitha parapërgatitjet e duhura, më 15 korrik 1941, u soll vendimi për hapjen e menjëhershme të kurseve verore për gjuhën shqipe. Në të shprehimisht thuhej: “Misjoni Shkolluer i Jashtëzakonshëm për Dibrën e çlirueme, i mbledhun me datë të sotme nënë kryesin e z. Emin Çomo, tue pranë anëtarët z. Pjetër Elezi, Selim Alliu, Mexhit Bekteshi e Kel Gashi; muer në bisedim çeljen e kurseve të gjuhës Shqipe si në qendrat e ndryshme të Dibrës, të Strugës, të Kërçovës, të Gostivarit e të Tetovës, ashtu edhe në disa katunde të mëdhej me popullsi krejt Shqiptare….”.
Kurset e para verore në gjuhën shqipe, zgjatën deri më 29 gusht 1941. Që ky entuziazëm të mos shuhet, Fadil Repishti, në emër të Komisionit të Jashtëzakonshëm Shkollor të Dibrës, nga Ministria e Arsimit kërkonte që në të ardhmen për këto vise të ndërmerren masa urgjente si më poshtë:
“1) Qi të mos ftohet efekti i punës së këtij Misjoni d.m.th. entuziazmi i ngjallun prej Kurseve të para shqipe, asht nevoja qi personeli i shënuem për ktu të dërgohet sa më parë.
2) Asht nevoja qi edhe kurset e të rriturve (për nëpunsa e popull) të vazhdohen gjatë krejt vitit shkolluar, mbassi të gjith çalojnë në njoftjen e gjuhës shqipe.
3) Personeli i dergjem nder kto krahina duhet të përbahet prej elementash shum të pjekun dhe shum të naltë në ndjenjën e detyrës, të sakrificat e sidomos t’atdhetarisë.
4) Mësuese (femna) duhet të dërgohen sa ma shum me mision e porosi të veçantë qi me hye nder familjet shqiptare, ku fanatizmi e mungesa e zhvillimit mungojnë në shkallë mjaft të naltë, dhe me u përpjekë me mish e me shpirtë për emancipimin e Grues Shqiptare. Por ndërkaq kto arsimtarë duhet të jenë – sidomos e mbi të gjitha – të ndershëm, e të sjellshëme”.
Përgjithësisht, kurset verore, ndikuan pozitivisht te mbarë popullsia shqiptare, e cila tashti, krahas kurseve kërkonte nga autoritet qeveritare shqiptare hapjen sa më shpejtë të shkollave të rregullta shqiptare. Kryetari i bashkisë së Dibrës, Shemsi Hatipi, i shkruante prefektit Lale Koçit, se në ditët e fundit “shumë persona nga parija e qytetit” i ishin drejtuar “tue kërkue me ngulm hapjen e shkollavet në këtë vend”. “Një kërkesë e tillë – shkruante më tej Hatipi -, ishte e arsyeshme sepse populli i këtij vendi, që, ma në fund, e mërrini ditës me jetue në diellin e ngrohët të lirisë, ka nevojë të ngutshme me u ushqye me atë Kulturë, qi pat mungue, po thue, prej shekujsh e me çranjosë çdo vragë helmuese të kulturës sllave…”.

Vendimi për hapjen e 116 shkollave fillore kombëtare në Tokat e Liruara

Për rrjedhojë, Këshilli i Administratës pranë Ministrisë së Arsimit, më 1 tetor 1941, solli vendim për hapjen e 116 shkollave fillore kombëtare në Tokat e Liruara. Në të veç tjerash thuhej: “Transferimin e numrit të nevojshëm të personelit mësimuer…., nga shkollat e Shqipnis së përparshme në këto shkolla kombëtare, qi për herë të parë po hapen në viset e lirueme: Administrimin e Arsimit Filluer në Kosovë e Dibër tue hapë pesë Inspektori me qendra në Prizrend, në Pejë, në Prishtinë, në Dibër të Madhe dhe në Tetovë; Dekretimin e hapjes së shkollavet të sipërshënueme nga ana e Titullarit të Ministris s’Arsimit…etj.”.
Me 25 tetor, Ministri Koliqi, nëpërmjet një qarkore kërkonte nga të gjitha institucionet arsimore të vendit, të angazhohen maksimalisht për një fillim sa më të mbarë të shkollave kombëtare shqiptare në Tokat e Liruara. Për të qenë në nivelin sa më të lartë “të kësaj detyre historike”, që i ngarkohej shkollës shqiptare, shkruante më tej Koliqi “duhet qi shpirti i sakrificit të shkëlqej që prej ma të madhit e deri të ma të voglin pjesëtar të familjes arsimore”. Sipas tij “çdo dyshim, çdo plogti, çdo akt mos-interesimi”, do të konsiderohej si “mungesë besimi” ndaj atdheut. Pasi u kryen të gjitha parapërgatitjet e duhura, përfshi këtu edhe transportin e organizuar nga Ministria e Arsimit, në pjesën e parë të muajit nëntor rreth 200 mësues anë mbanë vendit që nga Gjirokastra e deri Shkodër hapën shkollat e para shqipe në Tokat e Liruara. Në telegramin qarkor drejtuar Inspektorive të arsimit fillor të: Beratit, Peshkopisë, Durrësit, Kukësit, Elbasanit, Shkodrës, Gjirokastrës, Korçës dhe Vlorës, Ernest Koliqi në mënyrë të qartë e të prerë do të shprehet: “Personelit t’Arsimit Filluer të transferuem në Kosovë e Dibër nuk i merret asnji arsye parasysh për mos-paraqitje në detyrën e re. Lutjet qi kanë parashtrue mbeten pa veprim. Me 10 Nënduer nisja e tyne duhet të ketë marrë fund. Në këtë ditë lajmroni se cilët nuk kanë dashë me u nisë gja qi do të konsiderohet si kundërvajtje urdhnit të dhanë.”.

Porosia e Koliqit: “Mos me u përzi në çashtje politike, fetare e minoritare…”

Në prag të nisjes së mësuesve shqiptarë në kryerjen e misionit të tyre të shenjtë, Koliqi përmes një qarkore ua përcolli këto porosi: “Mos me u përzi në çashtje politike, fetare e minoritare; mos me u przi në çashtje lokale a po administratash të tjera; me u-pru mirë me popull e me ja fitue zemrën këtij me punën t’uej të naltë të zbatueme me mend e me themel si brenda edhe jashtë shkollës; me i trajtue nxansit e nxanset me dashtuni atnore dhe në mënyrën ma të përsosun të nji edukatori, tue i ndihmue me durim qi të kapërcejnë vështirësitë e fillesës e veçanërisht në mësimet e para; me jetën t’uej private të rregullt e të ndershme të jeni shembulla ma e përsosun e vetive burrnore të shqiptarit të kulturuam”.
Mësuesit e parë, të cilët në mbarim të muajt tetor arritën në Dibër të Madhe, kryesisht ishin nga rrethi i Peshkopisë, si: Ibrahim Kuka, Menduh Skikuli, Esat Menzelxhiu, Remzi Prapaniku, Dalip Zejneli, Vangjel Daka, Qemal Agolli, Hysni Ekmekçiu, Liri Ekmekçiu, Beqir Kllojka, Xhafer Qatipi, Irfan Oruçi, Abaz Xhafa, Mit’hat Cami, Gafur Rada, Hamdi Zabzuni, Gani Graceni, Ibrahim Doraci, Servo Doraci, Remzi Xhemali, Mahmut Dumani etj., të cilët menjëherë u emëruan mësues në vendbanimet e ndryshme. Deri me datën e paraparë arritën edhe mësuesit e rretheve tjera, si Qamil Haxhihasani nga Berati, Seit Xaxa e Enver Paluqi nga Korça, Neim Babameto, Liri Babameto nga Tirana, Ahmet Pere e Selman Qorri nga Gjirokastra, Ali Tenhai, Hamdi Gani, Skender Haxhihyseni, Abedin Faja, Sulejman Karai, Ahmet Gjylaçi nga Elbasani etj..

Pasqyra e shkollave të hapura në Prefekturën e Dibrës

Në vazhdim po e paraqesim pasqyrën e shkollave të cilat ishin hapur në Prefekturën e Dibrës deri me 10 nëntor 1941 si dhe mësuesit e parë të atyre shkollave:
Dibër e Madhe qyteti: Shkolla Nr. 1: Xhevat Xhafa – drejtor i shkollës, ndërsa mësues ishin: Liri Babameto, Remzi Pustina, Ibrahim Kuka dhe Menduh Skikuli.
Shkolla Nr. 2: Naim Babameto – drejtor, ndërsa mësues Esat Mezelxhiu, Ajshe Ruka, Eleni Dasho dhe Fahri Sulo.
Rrethi i Dibrës: Banishtë, mësues Hasan Rrapi; Zhirovnicë -Seit Xaxa Kryemësues dhe Remzi Prapaniku mësues; Radastush – Hysen Abdihoxha; Vidushë – Hiqmet Kasapi; Velebërdë – Qamil Kopani; Kosovrast i Epërm – Fadil Hoxha; Zepishtë – Ali Tenha dhe Xhitinjan – Thanas Caku.
Strugë qyteti:
Shkolla Nr. 1: Faik Pajuni – drejtor, ndërsa mësues: Alipi Pajuni, Gjergj Bullati, Hasan Belshaku, Xhyhere Belshaku dhe Hysen Pejenga.
Rrethi i Strugës: Radohoshtë, mëues Jonuz Balla, Ladorishtë – Ktheofan Dokja; Veleshtë – Skender Hoxha; Labënishtë – Dalip Zejneli e Nexhip Minerolli dhe Livadhi me mësues Enver Palluqi.
Tetova qyteti: Shkolla Nr. 1: Elez Maho – drejtor, ndërsa mësues në këtë shkollë ishin; Abdi Kërçipi, Zejnel Zajmi, Aleksandra Bibaja, Sotir Gallani, Margarita Gallani dhe Qemal Haxhihasani
Shkolla Nr. 2:. Beqir Kllojka – drejtor, ndërsa mësues Lazër Bibaja, Pano Hido, Josif Todi dhe Lirije Todi.

Shkollat dhe mësuesit në Tetovë, Gostivar e Kërçovë

Rrethina e Tetovës: Shipkovicë, mësues Murteza Kacadej; Xhepçishtë – Vangjel Dako; Zhelinë – Nos Topalli; Reçicë e Madhe – Qemal Agolli; Kamjan, – Nos Deliana; Negotinë – Jorgj Bekteshi; Pirok – Sadik Kadilliu; Bogovinë, Hamid Pitja dhe Çollopek – Myrteza Peza.
Gostivar qyteti: Shkolla Nr. 1: Hamdi Gani – drejtor, mësues: Liri Ekmekçiu, Hysni Ekmekçiu, Osman Lufta, Ahmet Gjylaçi, Mit’hat Hoxha, Kov Bibaja dhe Alush Baltëza.
Rrethi i Gostivarit: Dobërdoll mësues Skender Haxhihyseni; Vrapçishtë – Xhafer Qatipi dhe Faik Qatipi; Debresh – Iefan Oruçi dhe Abaz Xhafa; Vërtok – Mit’hat Cami dhe Abedin Faja; Raven – Selman Qorri; Reçan – Gafur Rada dhe Hamdi Zabzuni; Banjicë e Poshtme – Gani Graceni; Banjicë e Epërme – Ahmet Pere; Llakavicë – Mihal Pjeshkazini; Forinë – Petri Serjani dhe Çegran – Kristaq Progri.
Kërçovë qyteti; Behxhet Hoxholli drejtor, ndërsa mësues: Artenisi Hoxholli, Xhafer Shefkiu, Sulejman Karai, Ibrahim Doraci dhe Thomaidha Raka. Rrethi i Kërçovës: Strellcë me mësues Remzi Xhemali; Sërbicë – Mahmut Dumani; Digoll Dolencë – Hasan Safa; Zajas me Gavril Santo si Kryemësues dhe mësuesit: Ismail Bedhija, Ridvan Palluqi, Xhafer Narazani dhe në Drugovë me mësuesit Kamber Osmani e Petrit Hakani.
Duhet shtuar se nga viti shkollor 1942/43, në Dibër u hap edhe një shkollë tjetër fillore. Këtë e shohim në Informatën e inspektorit të arsimit për Prefekturën e Dibrës, Beqir Haçi, dërguar më 7 maj 1942, Drejtorisë së Arsimit Fillor e të Mesëm në Tiranë, në të cilën thuhet shprehimisht:
“Ju njoftojmë se, me vendim të Komisjonit Shkolluer të kësaj qendre nr. 5, dt. 20/IV/1942-XX, shkolla fillore të këtij qyteti pagëzohen me këto emra:
1) Shkolla Nr. 1 e lagjes varosh pagëzohet me emrin “SHKOLLA FILLORE LIRIJA”.
2) Shkolla Nr. 2 (te ura e Selamit) pagëzohet me emrin “SHKOLLA FILLORE SKËNDERBEU”.
3) Shkolla e tregut, pranë xhamisë së re, lokali i së cilës tash ndodhet i okupuem nga ushtrija e që në vitin e ardhjshëm do të formojë shkollën e tretë të qytetit, merr emnin e nacionalistit dibran Hoxhë Voglit (i quejtun në të vërtetë Seit Najdeni) dhe kështu do të titullohet: “SHKOLLA FILLORE HOXHË VOGLI”, po nga ky autor, ky shkrim botuar në Koha MK, ka edhe vazhdime të tjera, por që nuk arrita ti siguroj. Përndryshe Qerim Lita është historian i spikatur dhe shquhet edhe shumë shkrime të tjera nga lëmi i arsimit dhe fusha e historiografisë.