Panairi i librit shqip në diasporë: një simbolikë kjo madhore

Jo në Tiranë, as në Prishtinë, Shkup e Ulqin, këtu gjendemi diku afër qendrës së Zvicrës, në Uster (kantoni Cyrih), ku Shoqata Kulturore Bashkimi organizoi Panairin e parë të librit Shqip “Diaspora 2019”.

Shkruan: Lirim Begzati, jurist Zvicër

Sa bukur tingëllon kjo, sidomos në këto kohëra ku promovimi, kultivimi dhe ruajtja e gjuhës sonë amtare në diasporë kërkojnë një qasje dhe intensifikim permanent angazhimi, një prioritet absolut që do të duhej ta shoqëroj gjithsecilin nga ne, në përditshmërinë tonë.

Shoqata “Bashkimi” tregoi se aktivitetet tona në mërgim mund të jenë ende më të pasura, atëherë kur përveç ruajtjes së vlerave të tjera të shenjta identitare dhe kulturore, t’i shtohet edhe dimensioni i vlerës së promovimit dhe leximit të librit shqip në diasporë.

E kuptuam pra qartazi se, për Shoqatën “Bashkimi”, kjo simbolizon një vazhdimësi të aktiviteteve që integrohen në regjistrin e objektiveve parësore të saj, për të cilën natyrisht se e përgëzojmë dhe e falenderojmë përzemërsisht.

Panairi, një moment i përshtatshëm për me u bashkuar, një peizazh diversiteti, për me i takuar shumë dashamirës të librit nga horizonte të ndryshme, një çast dhe kënaqësi për me u shoqëruar me krijues, botues, autor, shtëpi botuese, etj,… siç janë Elena Kocaqi, Rexhep Rifati, Agim Sylejmani, Florim Useini, Bes Camaj, Muharrem Blakaj e shumë të tjerë…

Një ngjarje mbresëlënëse që ofroi hapësirë të mjaftueshme për me e pritur padurim edhe Panairin e radhës.

Urime dhe suksese të mëtutjeshme, Ju Shoqata “Bashkimi”, Guxim Alushi, Bekim Bajraktari, dhe gjithë grupi juaj, gjithë ato të rinj entuziastë, për përkushtimin e treguar ndaj mbrojtjes së vlerave tona, aq e nevojshme kjo në kohërat dhe vendet ku jetojmë !

(Lirim Begzati, me prejardhje nga Gostivari, që ka edhe një zyrë  avokatie në Nojshatel të Zvicrës, gjithashtu ekspozoi librat e tij e mbajti edhe një temë në këtë panair)