Panairi i librit në Uster të Zvicrës, kulmoi me vepra të shumta të autorëve shqiptarë

Sot në qytetin e Usterit të kantonit të Cyrihut në Zvicër, me pjesëmarrjen e mëse 500 vizitorëve, me shumë sukses u përmbyllë “Panairi i librit diaspora 2022”, që kësaj radhe solli me dhjetëra krijues jo vetëm nga mërgata, por edhe të gjitha trojet shqiptare. – Shoqata Kulturore Shqiptare «BASHKIMI», në krye me Guximtar Alushin edhe në këtë edicion u tregoi se mund të organizojë ngjarje të mëdha, jo vetëm me ekspozim librash të autorëve dhe shtëpive botuese, por edhe me shfaqjen e pikave artistike nga grupi i tyre i valleve që joshin përherë publikun.

Teksti: Rexhep Rifati & fotot Afrim Nevzadi

Qyteti i Usterit në Zvicër, sot ishte cak i qindra mërgimtarëve jo vetëm nga Zvicra, por edhe shtetet fqinje Gjermania e Austri. Ishte pikërisht edicioni i dytë me radhë i Panairit të librit “Diaspora 2022”, që kishte tubuar me dhjetëra krijues jo vetëm nga mërgata por edhe trojet etnike, siç janë Kosova, Shqipëria, Maqedonia e Veriut e të tjera.

  • Hapjen e bëri kryetari i “Shoqatës “Bashkimi”, Guximtar Alushi, i cili edhe përshëndeti të gjithë të pranishmit, mërgimtarë dhe krijues e botues, e në emër të shkrimtarëve të ardhur nga trojet etnike përshëndeti poeti Agim Vinca, i cili edhe përgëzoi organizatorët për këtë hap në përhapjen e librit në mërgatë, ndërsa në emër të Ambasadës ë Republikës së Kosovës përshëndeti diplomati, Gjenis Haxhimehmeti. Nga organizatori mësuam se janë thirre edhe përfaqësuesit diplomatik në Bernë të Ambasadës së Shqipërisë e të Maqedonisë së Veriut, porse ata kësaj radhe munguan.

Sa i përket pjesëmarrjes së krijuesve, shquhej prania e shkrimtarëve: Agim Vinca e Çun Lajçi (Prishtinë), Sazan Guri Tiranë, Agron Dalipaj Pogradec, Aleksandër Hasanas Korçë, Butrint Balaj Prizren e shumë të tjerë, por edhe përfaqësues të ansambleve nga Kosova, siç ishin ata të Ansamblit Autokton “Rugova”, në krye me Vesle Nikçin, që u prezantuan me monografinë e ansamblit të tyre, një libër shumë voluminoz e që u shpërnda falas.

Nuk munguan as shumë emra krijuesish nga Zvicra, anëtarë të shoqatës e këtushme, në krye me poetin Bujar Salihu. Për pikat shkollore të Shkollës Shqipe në Zvicër të pranishmit i njoftoi drejtuesi i kësaj shkolle Vaxhid Sejdiu. Programi i panairit u begatua edhe me një tufë vallesh nga ansambli vendas, që impresionoi të pranishmit në sallë.

Gjithsesi do përshëndet Shoqatën Kulturore Shqiptare «BASHKIMI», në Uster, jo vetëm për këtë ndërmarrje të guximshme, të mbuluar kryesisht me punë vullnetare dhe me mjete vetanake e të disa sponsorëve, por edhe për konceptimin e mirë të programit e mbi të gjitha për masivitetin e sjell si me krijues ashtu edhe botues. Sepse siç përmendi organizatori u regjistrua pjesëmarrja e mbi 500 vizitorëve, përfshi këtu edhe autorët dhe botuesit. Në tërë këtë aktivitet me përgjegjësi krahas kryesisë në logjistikë ishte edhe grupi i aktivistëve, ndërsa që në krye të organizimit Guximtar Alushi si bashkëpunëtorin më të ngushtë përmend Bekim Bajraktarin.

Do theksuar se “Bashkimi” krahas këtyre aktiviteteve nxjerr edhe revistën periodike ku regjistron aktivitetet e shoqatës si dhe sjell shkrime me interes për komunitetin e këtushëm shqiptar, që jeton në masë mjaft të madhe në këtë mjedis.

( Me këtë rast si redaksi e prointegrës, falënderojmë fotografin tonë profesionist Afrim Nevzadin që realizoi qindra fotografi nga ky event i rëndësishëm libri)