O sa na mungon këtij prilli defileu i vogëlushëve shqiptarë rragëve të Cyrihut!

 

Vite me radhë gjatë çdo prilli rrugëve kryesore të Cyrihut organizohej manifestimi tradicional «Zürcher Sechseläuten», ku në mëson e mijërave pjesëtarëve të komuniteteve të ndryshme, nuk mungonin asnjëherë shqiptarët, në krye me artistin, tash të ndjerë- Agron Bajramin.- Me këtë rast, po postoj fotot që shkrepa me 10 Prill 2011, për të pa edhe këta vogëlush rritën e tyre brenda 9 vjetëve të plota, përmes tekstit autentik!

 Tesksti e fotot:  Rexhep Rifati, Cyrih

Cyrih 10 Prill 2011: Fëmijët nga Kosova e Rumunia ishin të vetmit që përfaqësuan Ballkanin në mesin e rreth 100 shteteve me 2000- 3000 mijë pjesëmarrës, të cilët me kostume e flamuj kombëtarë ia shtuan koloritin dhe bukurinë kësaj feste tradicionale, që organizohet prej kohërave më të hershme në qytetin më të zhvilluar të Zvicrës, të populluar  me disa mijëra shqiptarë

Cyrihu , qyteti më i zhvilluar ekonomiko-shoqëror i Zvicrës, pos që dallon me shumë të mira materiale e kulturore , dallon edhe me një festë të madhe pranverore tradicionale, të quajtur :«Zürcher Sechseläuten». Ky manifestim , që është një lloj karnavali, për çdo pranverë tubon mijëra fëmijë me kostume e veshje të ndryshme , varësisht nga vendi i prejardhjes . Ata parakalojnë në grupe rrugëve të qytetit duke ia shtuar edhe më shumë freskinë, gëzimin, harenë por edhe krenarinë e vërtetë këtij qyteti që radhitet ndër më të zhvilluarit në botë.

Pra ajo që i sjell shumë freski e kënaqësi Cyrihut, nuk janë vetëm parqet përplot gjelbërimi apo liqeni e godinat e stileve të ndryshme e trafiku i zhvilluar urban, por mbi të gjitha zërat e fëmijëve që jetojnë në këtë qytet, që dallon edhe me tolerancë pasi aty jetojnë në një harmoni pjesëtarët e qindra etnive. Kështu ishte edhe të dielën më 10 prill, kur në rrugët kryesore të Cyrihut,  në mesin e shumë komuniteteve që jetojnë dhe veprojnë në këtë kanton, e më gjerë, merrnin pjesë edhe vogëlushët shqiptar, që përfaqësonin shtetin e Kosovës.  Ngase secili grup që defilon në këtë parakalim të madh në krye ka mbishkrimin e shtetit që i takon si dhe simbolet kombëtare, flamurin e shenja tjera.

Si edhe herëve të tjera edhe kësaj radhe Festa tradicionale pranverore e cyrihasve e filloi me ardhjen e mbi 2000- 3000 fëmijëve të komuniteteve të ndryshme, në mesin e të cilëve edhe disa dhjetëra fëmijë shqiptarë. Të veshur me kostume kombëtare, duke valëvitur flamurin shqiptar dhe atë të Kosovës ata bartnin mbishkrimin “Kosova”, duke e përfaqësuar kështu shtetin e tyre të prejardhjes, por edhe shqiptarët e të gjitha viseve etnike, ngase ata u përkasin regjioneve të ndryshme.

Shumica e fëmijëve shqiptarë që edhe sivjet morën pjesë në këtë parakalim të mrekullueshëm ishin anëtarë të Shkollës Shqiptare të Vallëzimit “Shota” në Zvicër, që drejtohet nga artisti veteran Agron Bajrami, i cili edhe ka dhënë kontribut të çmueshëm në prezantimin e kulturës shqiptare në mjediset vendore.  Me këtë Agron Bajrami na deklaroi se tash 6-7 vite që fëmijët shqiptarë marrin vazhdimisht pjesë në këtë marshim tradicional fëmijësh dhe se grupi i “Shotës” përpiqet edhe përmes veshjes e edhe simboleve të paraqes pos Kosovës edhe shqiptarët tjerë që jetojnë në Zvicër, porse për këtë duhet të tregojnë interesim edhe grupet e edhe institucionet shqiptare në këtë vend. Sepse paraqitja sa më e suksesshme do të thotë shumë jo vetëm për fëmijë , por edhe për përfaqësimin e vendit që paraqesin. Sepse siç patëm rastin të shohim edhe gjatë këtij defileu aty nuk mungonin edhe përfaqësuesit diplomatik të vendeve të ndryshme, ndonëse fëmijët paraqisnin ambasadorët më të mirë, pasi ata nuk e përfaqësonin vetëm komunitetin e tyre në Zvicër por edhe një pjesë të traditës e të kulturës së vendit të origjinës. Ndaj edhe herëve të tjera duhet siguruar më shumë mjete për pjesëmarrësit, sepse për secilin fëmijë pjesëmarrës duhet paguar vet, ndaj edhe ngjet që të kemi më pak pjesëmarrës. Kështu që vetëm ata që kanë kondicion më të madh, siç është rasti me Agron Bajramin e grupin e tij, i që nuk mungojnë në asnjë festë me rëndësi kur është në pyetje përfaqësimi sa më i denjë is shqiptarëve në këtë mjedis shumënacional. Edhe prindërit që i kishin sjell fëmijët e tyre na thanë se ndiejnë kënaqësi që fëmijët e tyre janë pjesë e këtij karnavali të mrekullueshëm ku fëmijët jo vetëm që e ndiejnë vetën pjesëmarrës në një festë të madhe por edhe njihen më tepër me njëri tjetrin, por edhe pjesëmarrësit e tjerë. Madje edhe paraqitja në këtë festë ishte një lloj “konkurrence” , ngase grupi i shqiptarëve ishte thuaja se i vetmi regjionet e ish Jugosllavisë-, ndërsa nga shtete e Ballkanit ishte vetëm Rumunia. Ndërsa që puna apo analfabeti e rastisi që grupi i fëmijëve me prejardhje nga Rusia të jetë prapa atij nga Kosova! Ndaj edhe disa fëmijë thanë “O bile kësaj radhe qenkemi para rusëve!”

Fëmijët tanë, ndër ta edhe foshnje, por të veshur me kostume kombëtare, shoqëroheshin edhe nga prindërit. Deri sa të fillojë defileu fëmijët  loznin lojëra fëmijësh, duke krijuar kështu një atmosferë  më të këndshme e hareshme. Kështu, Shqipja simpatike që është valltarja më e vogël edhe më e talentuar nga moshatarët  e saj në  “Shotën” e Zvicrës,  gjente hapësirë për ndonjë lojë me fëmijët tjerë. Me siguri, se jesëmarrja më e madhe shqiptarëve do të ishte në interes të tyre.

Atraksionet ishte edhe parakalimi i esnafëve me kostume historike nëpër qendrën e qytetit . Edhe vënia e zjarrit «Böög»-it (dordolecit) , si simbol i dimrit, saktësisht në mbrëmjes në Sechseläutenplatz, në Bellevue  të Cyrihut  një natë më vonë është një atraksion i vërtetë . Sepse, sipas traditës, sa më shpejt që të digjet «Böög»-i, (një kukull e madhe rreth së cilës vrapojnë kalorësit me veshje klasike) aq më e nxehtë dhe më e bukur do të jetë vera. Pra dy ditë festë me pjesëmarrjen e dhjetëra mijëra pjesëmarrësve i jep pranverës një pamje edhe më tërheqëse e atraktive.

Legj 1) Fëmijët tanë, duke valëvitur flamurin e Kosovës she atë Kombëtar përfaqësonin jo vetëm shtetin më të ri në botë, por edhe trojet etnike

Legj2) Sikur edhe kjo foshnje shqiptare e ndiente gëzimin e saj që përfaqësonte Kosovën, në mesin mijëra vogëlushëve  të vendeve të tjera

Legj 3) Merita për pjesëmarrje në këtë manifestim i përket Agron Bajramit, drejtuesit të Shkollës Shqiptare të Vallëzimit “Shota “ në Zvicër

Legj 4) Kësaj radhe ndodhi që Kosova të le prapa edhe Rumaninë e Rusinë

Legj 5) Disa nga vogëlushët që përfaqësonin Amerikën latine

Legj 6) . Sipas traditës, sa më shpejt që të digjet «Böög»-i, (një kukull e madhe) aq më e nxehtë e më e bukur do të jetë vera