„O poet, o hiç fare“

Tre autoritete letrare që e kanë të përbashkët Zvicrën dhe më shumë se kaq. Dhe, këta nuk janë të vetmit.

I.

Kur përmendet Zvicra, poezia është mbase e fundit që të shkon në mendje. Po t’i ndjekësh mediet zvicerane, do të shohësh se ato që në fillim të këtij viti të ri e kujtojnë jubileun e njëqindtë të laureimit me Çmimin Nobel për Letërsi të poetit zviceran Carl Spitteler.

Ai ka lindur më 1845 në Liestal. I ati ishte gjykatës dhe më pas si delegat i Basellandit ishte përfshirë në hartimin e kushtetutës zvicerane më 1848. Spitteler i filloi studimet e drejtësisë në Luzernë. Më pas vijoi për teologji protestante në Cyrih dhe në Heidelberg, edhe pse ishte ateist! Me 17 vjet, pas një zhgënjimi rinor nga një dashuri e dështuar, Carl Spitteler vendosi që jetën e tij t’ia kushtojë krejtësisht vjershërimit. Më pas ai u martua dhe falë trashëgimisë së vjehrrit, u emancipua financiarisht dhe punoi si shkrimtar i lirë në Luzernë. Deri atëherë, jetën e tij e kishte finansuar me angazhimet si mësues dhe gazetar. Spitteler ndër të tjera ka qenë redaktor i fejtonit në NZZ. Ai përmendet edhe si piktor.

Talentin letrar ai e kishte shfaqur më së miri me eposin e tij „Prometeu“, të cilin e kishte modernizuar në mënyrën e vet. Një dinozaur tjetër i letërsisë zvicerane të asaj kohe, Gottfried Keller, ishte shprehur i rrëmbyer nga magjia e veprës dhe bukuria e gjuhës me të cilën ishte thurur ajo. Dhe kishte shtuar: „Po ku do të dalë autori me këtë, nuk e kuptoj edhe pas dy leximeve“!

Çmimin Nobel për Letërsi Carl Spitteler e merr në vitin 1920 për vitin 1919, pas disa trazirave, nominimeve e ç’nominimeve, sikurse ato që e kanë mbërthyer komitetin e Nobelit viteve të fundit. Ai është laureuar për veprën „Pranverë olimpike“, të shkruar në vitet 1900-1905, ku në 20’000 vargje e transformon këtë mitologji greke në botën e përjetimeve të tij.

Carl Spitteler në opinionin zviceran mbahet mend edhe për fjalën e tij „Pikëpamja jonë zvicerane“ të mbajtur para Shoqërisë së Re Helvetike, një bashkim mbipartiak për tejkalimin e dallimeve brendazvicerane ndërmjet gjermanozviceranëve dhe atyre perëndimorë. Ngjarja ka ndodhur në fillim të Luftës së Parë Botërore, më 1914. Aty ai kishte pleduar fort për neutralitetin e Zvicrës, respektimin e pakicave dhe refuzimin e nacionalizmit. Mendohet se kjo fjalë ka luajtur një rol edhe në zvarritjen e vendimit të komitetit të Nobelit në favor të tij.

Ndër kryeveprat e Carl Spittelerit spikat romani autobiografik „Imago“, i cili gjen jehonë sidomos në rrethin e psikanalistëve të Siegmund Freudit dhe tandemit të tij zviceran, Carl Gustav Jung. Prandaj Freud Revistën – e tij – për Aplikimin e Psikanalizës në Shkencat Humane e quajti „Imago“. Carl Spitteler ikën nga kjo botë më 1924. Për nga botëkuptimet ai konsiderohet i afërt me Arthur Schopenhauerin dhe Friedrich Nietzschen.

II.

Kush flet për Carl Spittelerin, nuk e harron poetin, prozatorin, piktorin gjerman, zviceran, gjerman, zviceran… Hermann Hesse. Ndër 28 nobelistët zviceranë bën pjesë edhe një i dytë për letërsi: Hermann Hesse.

Ai ka lindur në vitin 1877 në Calw të Gjermanisë. Babai i tij ishte baltikogjerman, kurse e ëma ishte bavarezozvicerane. Gjyshja e tij nga nëna kishte origjinë zvicerane frankofone. Kur Hermann ishte pesë vjeç familja e tij u vendos në Basel, ku e mori edhe shtetësinë zvicerane. (Si bir i një shtetasi baltik, më parë ai e kishte shtetësinë ruse.) Me 14 vjet ai regjistrohet në shkollën latine në Göppingen, çka ishte kusht për një shkollim falas si teolog evangjelist. Dhe kusht për këtë ishte braktisaja e shtetësisë zvicerane. Kështu Hermann Hesse u bë i vetmi anëtar i familjes me shtetësi gjermane. Pas shtatë muajsh ai e braktisi seminarin e manastirit në Maulbronn për t’u bërë „o poet, o hiç fare“.

Ai regjistrohet në gjimnaz dhe e mori vitin e parë. Një shkollim profesional për librar e ndërpret pas tri ditësh. Fillimi i të ’90-ave të atij shekulli është një periudhë e trazuar në jetën e Hermann Hesses. Në këtë kohë atij i shfaqen depresionet, që shkojnë deri në një provë vetëvrasjeje. Pastaj kryen një praktikë si mekanik në një fabrikë për orë kullash. Mandej e rifillon një zanat tjetër si librar në Gjermani. Nga fundi i kësaj dekade datojnë edhe krijimet e tij të para poetike.

Më 1899-1903 Hesse fillon një punë si ndihmëslibrar në Basel. Në këtë periudhë boton edhe artikujt e parë në shtypin zviceran. Më 1912 ai e lë Gjermaninë përgjithmonë dhe në fillim vendoset në Bernë. Më 1914 Hesse megjithatë lajmërohet vullnetar për në luftë, por e refuzojnë si të paaftë. Ai ishte dispensuar nga shërbimi ushtarak për shkak të problemeve me shikimin. Dy vjet më vonë, me vdekjen e babait, skizofreninë e gruas dhe sëmurjen serioze të birit të vogël, Hesse bie vet në një krizë nervore. Ajo do ta ndjekë atë edhe më pas dhe për këtë do të vizitohet te Carl Gustav Jung. Edhe atë mu kur po e shkruante kryeveprën e tij „Siddharta“. Më 1919 Hesse vendoset në Montangola të kantonit italofon të Zvicrës, Tessin. Një vit më pas ai i boton „Poezitë e piktorit“, dhjetë poezi me dhjetë ilustrime me ngjyra nga vet ai.

Më 1924 Hermann Hesse bëhet përsëri shtetas zviceran. Ndërsa në vitin e fillimit të Luftës së Dytë Botërore veprat e tij në Gjermani shpallen të padëshiruara. Ai relabilitohet përsëri menjëherë pas luftës. Në të njëjtin vit, më 1946, Hermann Hesse laureohet me Çmimin Nobel për Letërsi. Motivacioni: për veprën, „e cila zhvillohej gjithnjë e më guximshëm e në mënyrë mbresëlënëse dhe që shfaq idealet e humanizmit klasik dhe njëkohësisht një art të lartë“. Kurse Hesse nga ana e tij çmimin e çmoi si një „mirënjohje ndaj gjuhës gjermane dhe kontributit gjerman për kulturën“. Ai nuk ishte personalisht në ndarjen e çmimit, Hesse në këtë kohë ishte në një kurë për problemet e tij. Në anën tjetër ai e refuzonte bujën…

Hermann Hesse ndahet nga jeta më 1962 në Zvicër, Montangola.

III.

Mediet zvicerane këto ditë kanë shkruar për poeten hebreje gjermane Else Laske-Schüler. Këto shënime marrin shkas nga një monografi e dalë këto ditë për vitet e saj në Zvicër, 1917-1939. Dhe ajo lidhet me një jubile të çuditshëm: 80-vjetorin e largimit të saj nga Zvicra! Një homazh – vrasje ndërgjegjeje!

Me 65 vjet, më 1933, Else Laske-Schüler arratiset nga Berlini në Cyrih. Pas një denoncimi në gazetën „Vökisher Beobachter“ (Syri i popullit) dhe pas një sulmi fizik në rrugë në Berlin. Librat e saj futen në indeksin e literaturës së dëmshme, kurse më 1938 asaj i merret edhe shtetësia gjermane. Ajo e kishte zgjedhur Cyrihun si shumë emigrantë të tjerë gjermanë, nga të cilët më eminenti ishte Thomas Mann. Por edhe për faktin sepse që nga 1917-ta ajo kishte qëndruar disa herë në Cyrih, nganjëherë për lexime letrare.

Por, këtë herë ishte ndryshe. Dhe çka vlente për Thomas Mannin, nuk vlente edhe për të tjerët. Zvicra për ta ofronte vetëm qëndrim të përkohshëm. Në anën tjetër atyre iu ndalohej aktiviteti fitimprurës dhe ai politik. Laske-Schüler kishte dështuar të lajmërohej me kohë në Policinë për të Huajt, për vonesën prej dy muajve ajo duhej të nënshkruante një deklaratë që ia ndalonte për kohë të pacaktuar fitimin si poete. Në rast kundravajtjeje do të gjobitej me 2’000 franga.

Policia për të Huajt kishte caktuar një „detektiv“!, që i ndiqte lëvizjet e saj. Për dy botime në NZZ dhe një ligjëratë kishte marrë një gjobë prej 37.10 frangash. Kështu artistes nuk i mbetet vetëm se një jetë „lypsari“. Asaj i ishte ndaluar madje që t’i shpërblente përkrahësit e vet me piktura, të cilën e kishte pasion. Sepse kjo i binte si një aktivitet fitimprurës… Ndërkohë që e financonte edhe qëndrimin në një klinikë të të birit të sëmurë rëndë, një talent i madh pikture, i cili i vdiq.

Ky është njëri dimenzion i raportimeve të këtyre ditëve për Else Laske-Schüler. Në shënime të tjera thuhet se autoritetet nuk iu varnin edhe aq veshin shkeljeve të saj. Vërtet, gjatë qëndrimit në Zvicër, më 1936, është shfaqur premiera e dramës së saj të pajtimit kristiano-hebraik „Arthur Aronymus“. Në NZZ është botuar poezia e famshme „Pianoja ime e kaltër“. Në të njëjtin vit, më 1937, shtëpia botuese Oprecht në Cyrih nxjerr itinerarin e saj „Vendi i hebrenjve“ nga dy udhëtime që ndërkohë kishte ndërmarrë në Palestinë. Një libër i lavdëruar përtej Zvicrës dhe i hartuar me shumë dashuri, i ilustruar me tetë vizatime dhe ballinën nga vet autorja.

Këto udhëtime, në fakt, i kishin sjellë asaj kokëçarje dhe në fund bëhen shkaktare për refuzimin e qëndrimit në Zvicër. Njëherë ajo kishte mundur të hynte sërish në Zvicër vetëm falë ndërhyrjes së miqve me prestigj në shoqërinë zvicerane, të cilët e kishin përkrahur edhe financiarisht gjatë gjithë kohës sa kishte qëndruar në Zvicër. Sepse duke qenë e pakujdesshme ndaj formaliteteve, sërish kishte dështuar të lajmërohej, sikurse kërkonte Zvicra, kur e kishte lëshuar vendin.

Monografia që përmendëm e ndriçon edhe raportin e saj me njerëzit në Zvicër. Ajo nganjëherë shprehet e zhgënjyer me ta, por edhe e pranon që, sikurse edhe quhet monografia: „Shumë prej tyre janë fort të mirë me mua“. Autorja e ka dhënë edhe përditshmërinë e saj në Cyrih. Ajo ishte vizitore e apasionuar e kinemasë. Ute Kröger flet edhe për lidhje dashurie në Zvicër, të cilat nuk kanë zgjatur shumë. Sepse, „dashuria e saj e vërtetë është vjershërimi“. Dhe: «Ajo lexon pak, dhe nëse, atëherë krijimet e veta»!

Pas një udhëtimi të tretë në Palestinë, më 1939, asaj i ndalohet për dy vite hyrja në Zvicër. Ndërkohë shpërthen lufta dhe ajo nuk kthehet më. Në një ligjëratë para se të nisej del se ajo kishte ca „shënime ditari nga Cyrihu“, të cilat janë botuar më vonë. Këtë ligjëratë të fundit ajo e ka përmbyllur me poezinë e saj antoligjike „Fundbotë“.

Else Laske-Schüler shuhet më 1945 në Jerusalem.

IV.

Zvicra, poezia, poetët që kanë lindur apo kanë vdekur këtu janë një histori që s’mbaron kurrë.

Për poeten tjetër hebreje gjermanofone, Mascha Kaléko, e lindur më 1907 në Chrzanówinin austrohungarez, në Poloninë e sotme, për të cilën filozofi gjerman Martin Heidegger ishte shprehur se dinte gjitçka që mund të dinin vdektarët, nuk mund të thuhet nëse pati një fat më të mirë në Zvicër, apo jo. Ajo përshkoi pothuajse të njëjtën marshutë sikur Laske-Schüler. Për arsye të ngjashme emigroi në Shtetet e Bashkuara. Më pas shkoi në Jerusalem, ku vuajti nga një izolim gjuhësor dhe kulturor. E humbi të birin, një talent të madh të muzikës. Më 1975, në kujtim të viteve të lumtura të fëmijërisë, ajo mori një banesë në Berlin. Rrugës së kthimit për në Jeruzalem ndaloi në Cyrih, aty pushon zemra e saj. Një rrugë tani e mban emrin e saj në këtë qytet. Ajo prehet në një varrezë hebreje në Cyrih.

Rainer Maria Rilke, i lindur më 1875 në Pragën austrohungareze, njihet si intelektual, piktor dhe sidomos si njëri ndër poetët më të rëndësishëm gjermanofonë fare. Ai vitet e fundit të jetës i ka kaluar në Zvicër. Në fillim në atë italofone, pastaj në kantonin e Wallisit. Aty i ka krijuar disa nga kryeveprat e tij, „Elegjitë Duineze“, „Sonetë për Orfeun“. Ndër të tjera edhe një vepër voluminoze lirike në frëngjisht. Qëndrimi i tij në Zvicër është shoqëruar edhe me disa kura në senatoriume. Rilke i ka mbyllur sytë dhe prehet në Zvicër.

Ernst Wiechert (1887-1950) njihet si autori më i lexuar i kohës në Gjermani. Ai ka shkruar 13 romane, rreth 50 novela e tregime, poezi… Më 1914 ai paraqitet vullnetar për në luftë: njëherë largohet, sepse sëmuret nga veshkët; pastaj angazhohet prapë, plagoset dhe dekorohet. Gjatë luftës i lind i vetmi fëmijë, i cili jeton vetëm një ditë. Për shkak të ligjërimit të tij mendjehapur ai vëzhgohet nga gestapo. Më 1937 kalon në Zvicër, por pavarësisht porosisë së Hermann Hesses, nuk qëndron aty. Burgoset. Degdiset për tre muaj në kampin e përqëndrimit në Buchenwald. Leximet e tij pengohen nga dëgjues të porositur. Librat e tij ndalohen të ekspozohen në vitirinat e librarive… Më 1938 i ndalohet ta lëshojë Gjermaninë. Pas luftës, më 1948 vendoset në rajonin e liqenit të Cyrihut. Dy vite më pas fiket. Prehet aty.

Dhe kjo është ndoshta vetëm maja e Eisbergut. Hugo Ball dhe Emmy Ball-Hennings, të cilët e themeluan dadaizmin në Cyrih, janë një histori më vete. Pastaj qëndrimet në Zvicër të Friedrich Nietzsches… Dhe, patjetër, ato të Johann Wolfgang von Goethes, i cili madje ka shkruar poezi në dialektin zviceran të gjermanishtes!

Historia letrare e Zvicrës frankofone nuk është më pak e rëndë: Në Gjenevë ka lindur një ndër mendjet më të ndritura të njerëzimit, filozofi dhe shkrimtari Jean-Jacques Rousseau (1712-1778). Tregimi i tij zviceran është i gjatë. Këro vise kanë qenë për një kohë edhe atdhe i një gjeniu tjetër, François-Marie Arouet, i cili njihet si Voltaire.

Po në Gjenevë, në vitet 1887-1893, ka studiuar një ndër rilindasit më të spikatur shqipatr: Andon Zako Çajupi (1866-1930). Ai i ka lënë letërsisë shqiptare elegjinë më të bukur. Ajo i kushtohet gruas të tij zvicerane, e cila ndahet nga jeta në ditën e lindjes së të birit të vetëm. Por nuk mbaron me kaq: Në moshën 27-vjeçare Çajupit i shuhet edhe i biri…