NUK MJAFTON VETËM QEVERISJA E MIRË, KËRKOHET EDHE KOHEZION SHOQËROR

Kryeministri Kurti tash e tutje nuk duhet të  bëjë veprime që do të ishin atraktive vetëm për fansat e tij. Ai ka nevojë të bëjë veprime që tingëllojnë mirë edhe për veshët e kundërshtarëve të tij politik. Kjo zaten është betejë më e rëndë, sepse kërkon më shumë kurajo për të dalur nga gëzhoja e egocentrizmave që jo rrallë në të kaluarën ishte shndërruar në këmishë të hekurt për shumë politikanë.

 Nga Mehmet PRISHTINA

Pas zgjedhjeve të 14 shkurtit që rezultuan në krijimin e institucioneve të reja të vendit, Kosova ndodhet midis shpresës dhe zhgënjimit. Ndonëse është ende herët të flitet për zhgënjim, megjithatë njerëzit presin me të drejtë që qeveria e re të dalë me plan konkret në tejkalimin  problemeve të grumbulluara tash e disa vite. Sidomos pritjet janë të mëdha sa i përket krizës shëndetësore, e cila duhet të sanohet me mjete adekuate mjekësore, por edhe ekonomike. Efektet e degradimit ekonomik e social, si pasojë e pandemisë, do të reflektohen edhe në vitet në vijim, por detyrë urgjente e institucioneve tona është që këto efekte të ndikojnë sa më pak në përditshmërinë e njerëzve, qoftë ata që jetojnë nga pagat, qoftë edhe ata që jetojnë nga ndihmat sociale.

Tash së fundi, kryeministri Kurti dhe ministri i Financave, Hekuran Murati , në një konferencë të përbashkët  para gazetarëve thanë se programi i ri qeverisës do të fokusohet fillimisht  në masat për përballimin e pasojave që po lë pandemia, zhvillimin ekonomik të vendit, mbështetjen për bizneset, rritjen e pagës minimale, krijimin e vendeve të punës dhe riorganizimin të skemave sociale. Me fjalë të tjera, siç mund të shihet, programi qeverisës i ka dy prioritete urgjente, e që të dyja lidhen me pandeminë. Prioriteti i parë është shëndeti në kushtet e pandemisë, ndërsa i dyti ka të bëjë me ekonominë po ashtu në kushtet e pandemisë. Në këtë aspekt, prioritet i qeverisë është sigurimi i vaksinave.

Përveç vaksinave që deri tash kanë arritur si donacion dhe ato të premtuara nga Kroacia, në ditët në vazhdim dhe deri në fund të majit apo fillim të qershori, pritet të  arrijnë vaksina të blera nga qeveria shumë më shumë. Se për çfarë sasie bëhet fjalë, deri më tani nuk është bërë e ditur.

Procesi i vaksinimit është ngushtë i lidhur me rimëkëmbjen ekonomike, kështu që prioritet i qeverisë do të duhej të ishte që ky proces të intensifikohet në mënyrë që gjatë muajve të verës të mund të vijnë mërgimtarët tanë, të cilët do të jenë një injeksion shtesë për rimëkëmbjen ekonomike në kushte pandemike.

Siç dihet, Kosova ka rinisur fushatën e vaksinimit kundër koronavirusit, pas pranimit të 4,680 vaksinave të kompanisë Pfizer/BioNTech më 4 maj.

Në anën tjetër, me qëllim të zbutjes së efekteve negative, si pasojë e mbylljes,  ditë më parë Qeveria e Kosovës ka ndarë rreth 20 milionë euro për sektorë të ndryshëm, që kanë pasur humbje nga masat e qeverisë për parandalimin e pandemisë.

Ndër sektorët përfitues të këtyre mjeteve është gastronomia. Gjithashtu, Qeveria e Kosovës ka miratuar tri propozimet për subvencionimin e bizneseve, shtesat në paga të punëtorëve shëndetësor dhe policëve si dhe për skemat pensionale.

Mandati i kësaj qeverie po fillon mu në kohën kur mbarë botën e ka kapluar pandemia e Covid 19 dhe kjo është një rrethanë vështirësuese për të pasur duar të lira në zbatimin e zotimeve të marra para zgjedhjeve dhe sidomos tani kur programi i ri qeverisës pret të operacionalizohet sipas një dinamike të paraparë.

Por, kjo është gjendja faktike dhe asaj s’kemi si t’i ikim, kurse qeveritë ekzistojnë për të menaxhuar edhe kriza, siç është kjo e tanishmja shëndetësorja. Varësisht nga serioziteti i qasjes, do të varet edhe dinamika e daljes nga kjo krizë, kurse gjithë jemi sy e vesh të dimë se si do të na shkojnë punët pasi të ketë kaluar pandemia globale.

Në këtë dhe pyetjet tjera, përgjigjet duhet t’i presim nga qeveria, ndërkohë që  kryeministri Kurti para dy ditësh premtoi se gjatë mandatit të qeverisë së tij do të ketë transparencë, profesionalizëm dhe llogaridhënie, duke premtuar edhe reforma në drejtësi, kurse vettingu do të jetë kryefjala e kësaj reforme.

Sipas kryeministrit Vettingu në prokurori, gjyqësi është i domosdoshëm për ta bërë prokurorinë aktive e gjyqësorin efikas dhe në nivele të larta të policisë dhe inteligjencës.

Ndër shtyllat bartëse të programit të ri qeverisës, siç mund të konstatohet nga ajo çka prezentoi vet kryeministri, mund të shohim se gjatë mandatit 4 vjeçar të qeverisë së drejtuar nga ai, do të bëhen reforma në skemat sociale duke ofruar mbështetje për familje me të ardhura të vogla, shtesa për fëmijë e punësime për moshat e reja. Kjo do të shoqërohet me rishikimin e skemave të asistencës sociale, reformatimimin e sistemit pensional, aktivizimit të fuqisë punëtore dhe sigurimin e shtesave për fëmijë, pa e harruar punësim e garantuar sezonal për një anëtar për familje, pastaj një vit për të rinjtë prej moshës 16 deri 18 dhe rimbursim për familjet e varfra.

Gjatë mandati katërvjeçar, Kurti ka premtuar edhe ndërtimin e 160 çerdheve në gjithë vendin, mbështetje financiare për çiftet e reja dhe rritje të pagës minimale deri në 250 euro. Po ashtu, ka thënë ai, do ta përmbyllet reforma e administratës publike dhe do të zbatojë diversifikimin e burimeve të energjisë dhe asetet strategjike, duke garantuar edhe çmime të përballueshme për industritë dhe amvisëritë.  Kurti ka premtuar edhe qasje në ujë të pijshëm për ata qytetarë që nuk kanë dhe problemi i ujërave të zeza pas katër vjetëve qeverisej të jetë një problem i së kaluarës. Ai ka thënë se do të mundësohet ndërtimin i aksit Prizren – Tetovë dhe ndërtimin e një parku, siç ka thënë ai tekno-industrial më të madhin në rajon, reforma në arsim dhe pesëfishim të inspektorëve të punës. Ndërsa sa i përket mërgatës, Kurti ka pohuar se ajo do të jetë pjesë e zhvillimit ekonomik të vendit. Qeveria e tij do të krijojë grantin e katërt për komuna më qëllim që t’u mundësohet më shumë autonomi kryetarëve të komunave për investime në komunat e tyre.

Kurti ka thënë po ashtu se gjatë mandati 4 vjeçar qeverisës, Kosova do të aplikojë për anëtarësim në BE dhe për anëtarësim në Kartën e Adriatikut.  Ndërsa ka thënë se qeveria e tij është duke përgatitur dosjen për të paditur Serbinë për gjenocid.

Në shikim të parë, këto projeksione që dalin në formë të një planifikimi afatgjatë, duken mjaft ambicioze. Mbetet të shihet çka do të realizohet dhe çka do të mbetet vetëm premtim, por ajo çka është e qenësishme të thuhet me këtë rast ka të bëjë me qasjen ndaj problemeve të vjetra, të cilat kërkojnë këmbëngulësi dhe energji. Ka plot tema që janë aq komplekse sa që ato nuk mund të përballen vetëm nga qeveria, nëse nuk përfshihet edhe shoqëria. Prandaj kur flasim për dialogun Kosovë-Serbi, bie fjala, për reformat në drejtësi, apo për konfiskimin  pasurive të pajustifikueshme, është i domosdoshëm një debat i gjerë shoqëror.

Një qeveri, sa do të jetë e kompletuar dhe e përgatitur profesionalisht, sërish ka diçka që atë e bënë të paplotë në përmbushjen emisionit të saj. Ka sërish diçka që mbetet jashtë domenit qeveritar, që i përket kryesisht botës akademike e intelektuale, shoqërisë civile e mediave dhe mendimit publik kritik përgjithësisht.

Qeveria Kurti II do të jetë edhe më e përgjegjshme ndaj gjithë këtyre temave neuralgjike, nëse hapet ndaj ideve e prurjeve nga jashtë, që jodomosdoshmërisht duhet të kenë ndonjë atribut politik. Ka kohë që bota akademike e shkencore te ne nuk konsultohet për tema e probleme kruciale, mbase edhe për faktin se një pjesë e përfaqësuesve të kësaj bote jo rrallë  kanë manifestuar njëfarë oportuniteti të pajustifikueshëm.

Kredibiliteti i vendimeve politike e institucionale nuk varet gjithmonë nga substanca e arsyeshmërisë etike që përmbajnë ato vendime, sa varet edhe nga qasja konsensuale, që nënkupton përfshirjen e më shumë faktorëve politikë, institucional, akademikë e intelektual në  procesin e vendimmarrjes. Ky është edhe roli i institucioneve: të krijojë kushte për kohezion social, politik, intelektual, akademik e profesional. Pa këtë kohezion, skema e jetës sonë të përditshme do të dukej e varfër e cila do t’i ngjasonte një pallati të kushtueshëm i cili ka mbetur i pasuvatuar nga jashtë.

Pra, për një shtet serioz është e pamjaftueshme vetëm qeverisja e mirë, nëse ajo nuk shoqërohet me intencën që të arrihet një kohezion i fuqishëm social në të gjitha fushat. Sepse nuk duhet harruar se jo të gjithë njerëzit janë të përfaqësuar politikisht nëpër institucione dhe jo të gjithë kanë qasje në punët e qeverisë.

Për çka konkretisht është i nevojshëm ky kohezion? Parasegjithash, temat e ndjeshme që prekin interesa individësh e grupesh, siç është, bie fjala, konfiskimi i pasurive të pajustifikueshme, kërkojnë kohë, kërkojnë mirëkuptim të gjerë shoqëror, kërkojnë debat të mirëfilli dhe kërkojnë ambient të volitshëm për t’u ekzekutuar.

Nëse qeveria aktuale këtyre temave iu hyn pa një përgatitje paraprake, dhe pa sigurimin e kushteve të domosdoshme të përmendura më sipër, atëherë suksesi mund të mos jetë në përputhje me pritjet që ka. Suksesi mund të varet shumë nga një mori faktorësh që kërkojnë  kohë të piqen dhe bashkërendim më të gjerë shoqëror. Sepse vetëm kështu idetë reformatore të qeverisë mund të bëhen pjesë e atyre shtresave shoqërore të cilat në të kaluarën kanë mundur të jenë kundërshtarë politik.

Kryeministri Kurti tash e tutje nuk duhet të  bëjë veprime që do të ishin atraktive vetëm për fansat e tij. Ai ka nevojë të bëjë veprime që tingëllojnë mirë edhe për veshët e kundërshtarëve të tij politik. Kjo zaten është betejë më e rëndë, sepse kërkon më shumë kurajo për të dalur nga gëzhoja e egocentrizmave që jo rrallë në të kaluarën ishte shndërruar në këmishë të hekurt për shumë politikanë.

Prishtinë, 9 maj, 2021