Fjala e Osman Osmanit, nënkryetar i Migrantëve/eve Socialdemokrat të Zvicrës, Deputet i Kantonit Schaffhausen, në qendrën e mediave të Këshillit Federal Zviceran në Bernë, lidhur me iniciativën e partive SVP/UDC për “dëbimin e të huajve kriminelë”
Nga Rexhep Rifati
Bernë, 15 janar
Në qendrën e mediave të Këshillit Federal (Parlamentit) zviceran në Bernë, sot u mbajt një Konferencë për media e përfaqësueseve të Emigranteve/ëve Socialdemokrat të Zvicrës. Me këtë rast shkëputëm thekse nga fjala e Osman Osmanit, nënkryetar i Migrantëve/eve Socialdemokrat të Zvicrës, deputet i Kantonit Schaffhausen, një nga kryesuesit e kësaj konference:
Ashtu si deklaron me të drejtë edhe Departamenti Federal i Drejtësisë dhe Policisë të Zvicrës: Nisma për Zbatim të Dëbimit (NZD) parashikon një automatizëm të rreptë deportimi: Për vepra të caktuara çdo person i huaj përjashtohet automatikisht nga Zvicra, pa pasur mundësi që autoritet penale të mund të shqyrtojë rrethanat e rastit. Ligjet për implementimin e iniciativës së parë të aprovuar të dëbimit, parashohin gjithashtu dëbimin e detyrueshëm për vepra të rënda; në sajë të një klauzole për rastet të rënda, një gjykatë në raste të jashtëzakonshme mund të përmbahet nga një vendim i tillë
Nëse NZD aprovohet, atëherë nuk do të vlejnë të drejtat e deklaruara të njeriut dhe vlerat dhe normat të cilat janë të garantuara edhe me Ligjin Themelor, respektivisht me Kushtetutën Federale. Neni 8, paragrafi. 1. Të gjithë njerëzit janë të barabartë para ligjit, por përcaktuese do të jetë shtetësia (nacionalitetit) si disavantazh me një efekt diskriminues. Të 400,000 Sekondot zviceran, edhe përkundër faktit se kanë lindur, janë rritur e socializuar këtu, ata do të dëbohet në mënyrë arbitrare nga qendra e tyre jetësore për në vendin e origjinës së prindërve të tyre. Për bashkatdhetarët e mijë të origjinës, veçanërisht për qytetarët e Republikës së Kosovës, të cilët për dekada të tëra kanë punuar punë të vështira, në krahasim edhe të shtetasve të tjerë të vendeve të treta, në rastin e aprovimit të NZD, përveç me pasojat e dëbimit, ata selektivisht – shkaku i Marrëveshjes së munguar ndërshtetërore për Sigurimet Shoqërore – do të përballen edhe me pasojat e rënda edhe nga fusha e përfitimeve të sigurimeve shoqërore.
Qytetarët e Kosovës do të kenë pasoja të shumëfishta
Sipas dokumentit të iniciativës së aprovuar për “dëbimin e të huajve kriminelë” dhe tashmë iniciativës për ekzekutimin (e dëbimit të tyre) iniciuar nga SVP/UDC, mund të rrezikohen edhe punëtorët që për shumë vite e deri në një gjysmë shekulli kanë punuar, duke dhënë gjithçka e duke sakrifikuar edhe shëndetin e tyre për ndërtimin, zhvillimin dhe mirëqenien në Zvicër. Po ashtu, rrezikohen të dëbohen edhe fëmijët e tyre që mund të kenë lindur dhe janë integruar në jetën zvicerane që në moshë fare të vogël, të cilët kërcënohen seriozisht me dëbim në vendin e prejardhjes së prindërve të tyre, duke i mbartur e “deleguar” kështu rastet e mundshme problematike të dhunës në vendin e origjinës së prindërve të tyre.
Që tani ka raste të dëbimit të individëve, të cilët që nga vitet 70-të e deri në moshën e pensionit kanë punuar në Zvicër. Mund të përmendim rastin e një bashkatdhetari që e ka kaluar moshën 70 vjeçare, i cili duke mos njohur rregullat ose për shkak të neglizhencës së moshës së tij të kaluar, ka qëndruar mbi 6 muaj në vendlindje pa u lajmëruar në organet përkatëse, të cilat mbasi kanë zbuluar parregullsinë, i kanë hequr atij përfundimisht lejen e qëndrimit C, duke e detyruar të kthehet përfundimisht në Kosovë. Pas dëbimit, atij i është ndalur edhe pagesa e pensionit, pasi parakushti për përfitimin e pensionit të invaliditetit apo pensionit të pleqërisë për qytetarët e Kosovës (në mungesë të Marrëveshjes së Sigurimeve Shoqërore, nga 1 prilli 2010) është vendbanimi në Zvicër. Kështu, qytetarët e Kosovës, të cilët për çfarëdo shkaku humbin vendbanimin e tyre në Zvicër, si pasojë katastrofale për ta është edhe mospërfiti nga Sigurimet Shoqërore, pra humbja e pensionit të moshës së pleqërisë dhe atë të invaliditetit, si në rastin e lartpërmendur.
Komiteti mbipartiak shqiptaro-zviceran kundër iniciativës në fjalë
Në ndërlidhje me këtë iniciativë është themeluar edhe Komiteti mbipartiak i aktivistëve politikë, shoqërorë e sindikalistë shqiptaro-zviceranë, që veprojnë në subjektet vijuese: SP/PS, FDP/PLR, CVP/PDC (e CDK), Grüne/Les Verts, UNIA. Ky komitet mbetet i hapur edhe për përfaqësues e subjekte tjera ku aderojnë e veprojnë bashkëkombësit tanë. Komiteti mbipartiak nuk del ne mbrojtje te atyre qe kryejnë çfarëdo aktesh kriminale dhe distancohet nga çfarëdo vepre të dënueshme me ligjet zvicerane, mirëpo gjithashtu kërkon kategorikisht që vuajtja e dënimeve për akte të tilla të mundshme të ndodh aty ku dhe janë krijuar ato, pra në Zvicër.
Gjithashtu ky Komitet mbetet i hapur dhe fton për pjesëmarrje personalitete, grupe, nisma, shoqata, organizatat, ndërmarrës apo individë, artistë e profesionistë shqiptaro-zviceranë të fushave të ndryshme në Zvicër, e që janë të interesuar për bashkëpunim.
Është koha për t’u angazhuar të gjithë bashkërisht për të drejta të barabarta me të gjithë qytetarët e tjerë që jetojnë në Zvicër. Duke u bërë njëzëri me grupet e shumta, shoqatat, organizatat joqeveritare dhe partitë politike ne Zvicër, ne mund t’i thyejmë padrejtësitë dhe ligjet e egra çnjerëzore që i ndajnë njerëzit në kategori të rendit të parë, të dytë apo të tretë. Le të angazhohemi të gjithë për një shoqëri që respekton të drejtën pa dallim, pa diskriminim dhe për një të ardhme të sigurt edhe për gjeneratat e ardhshme!,- theksoi në fund Osman Osmani, nënkryetar i Migrantëve/eve Socialdemokrat të Zvicrës, njëherësh deputet i Kantonit Schaffhausen.
Në kryesinë e punës së kësaj konferencë të mediave në Bernë ishin: Rebecca Ruiz, parlamentar nacional VD, Martin Naef parlamentar nacional Cyrih, Mustafa Atici , kryetar i SP-së për Migracion Parlamentin e madh të BS, Ihsan Kurt, Nënkryetar SP për Migracion , parlamentit komunal Prylli (VD) Osman Osmani, deputet i Kantonit Schaffhausen dhe Isabel Bartal deputete kantonale Cyrih. Që të gjithë këta u përgjigjen në pyetje e përfaqësuesve të mediave të ndryshme përfshi edhe ato në gjuhën shqipe.
Si të dëmshme këtë iniciativë e fushatë nga SVP/UDC e karakterizuan edhe përfaqësues të komuniteteve të tjera që jetojnë në Zvicër, si dhe përfaqësueses të Partisë Socialdemokrate SP, deri në nivel kantonal e nacional.