NJË VOTIM I 27 SHTATORIT NË ZVICËR, SI NJË TEST MADHOR I POLITIKËS NDAJ TË HUAJVE

Lirim Begzati, CH-Neuchâtel, më 4 shtator 2020

Me votimin e radhës në Zvicër, më 27 shtator 2020, kërkohet t’i jepet fund marrëveshjes së qarkullimit të lirë të personave. Një marrëveshje kjo me Bashkësinë evropiane (BE) e cila totalizon një ekzistencë prej jo më pak se dy dekada, me një bilancë tejet pozitiv, së paku në këndvështrimin e interesave të ekonomisë zvicerane.

“Nevoja” e këtij votimi e ka zanafillën e saj në një iniciativë të vitit 2014, të ashtuquajtur “kundër imigrimit masivë”. Pas kalimit të disa viteve, sipas iniciuesve të asaj kohe, rezultatet për kufizimin e numrit të huajve nuk janë të kënaqshme në ditën e sotme. Ata konsiderojnë, mbi të gjithat, se Zvicra është duke pranuar, tepër se sa duhet, njerëz që vijnë nga BE.

Pa asnjë hamendje, vlen të theksohet fakti se iniciativa në fjalë nuk i prek drejtpërdrejt shtetasit që vijnë nga vendet jashtë BE. E themi këtë, nisur nga fakti se, në jetën e përditshme zvicerane, shpesh ngatërrohen çështjet e kësaj natyre, duke menduar se kufizimet e propozuara aplikohen edhe ndaj personave që vijnë jashtë Evropës (shtetasit e vendeve ballkanike, etj.,). Kurse siç dihet, ndaj këtyre të fundit aplikohet ligji për të huaj (a jo marrëveshjet bilaterale me BE), i karakterizuar me dispozitat e saj tepër të ashpra dhe me rregulla të shumta kufizuese.

Një rikujtim i shkurtër mbi qarkullim e lirë: shtetasit që vijnë nga ndonjë vend i BE munden tejet lehtë të integrohen në tregun e punës në Zvicër, bile për shumë aspekte dhe shpeshherë i posedojnë gati se të njëjtat të drejta si shtetasit zviceranë. Një realitet ky i pakontestueshëm por, ndërkohë, jo gjithmonë i kuptueshëm apo i logjikshëm, jo në shijen e gjithsecilit.

Sa iu përket analizave dhe argumenteve të akterëve të iniciativës, duket se ata nuk i marrin parasysh, aq sa duhet, realitetet shumëdimensionale ekzistuese, por kufizohen në vlerësimin, jo aq bindës, se gjoja se duhet me “reaguar” pasi që përballemi me një prani të “tepërt” të huajve, si në në tregun e punës, ashtu edhe në shoqërinë zvicerane në përgjithësi.

Gjithmonë sipas iniciuesve, një interpretim i propozimeve të tyre çojnë në konkludim se marrja fund e marrëveshjeve bilaterale me BE paraqet një mjet efikas për mbrojtjen e vendeve të punës për njerëzit e vendit, duke shkuar ende më larg me analizat e tyre, sidomos përmes shembujve të llojit se “kështu mund të synohet edhe në uljen e çmimit të qirave të banimit në Zvicër”. Janë këto argumentet e tyre, të cilat dominojnë më së tepërmi në debatet e shumta.

Ndërkaq, një realitet na tregon krejtësisht diçka tjetër; ekonomia zvicerane, varet posaçërisht nga prania e disa instrumenteve të bashkëpunimit ndërshtetëror, siç janë edhe marrëveshjet bilaterale me BE, por sidomos nga implementimi praktik i tyre. Me fjalë të tjera, ekonomia e vendit varet në masë të madhe nga kontributi i fuqisë punëtore që vjen nga BE, por edhe nga këmbimet e ndërsjella tregtare me të.

Kjo nënkupton, në mes tjerash, një nevojë të padiskutueshme dhe permanente të huajve në tregun e punës, sidomos në sektorët në të cilat ekonomia e vendit vuan në masë të madhe nga një mungesë e pakontestueshme e fuqisë vendase të punës. Kështu që Evropa paraqet një faktor të pakontestueshëm, si për rimëkëmbjen ashtu edhe për vazhdimësinë e një dinamike ekonomike, sidomos në këto kohëra ku flitet për stagnime në disa sektorë.

Problemi ende më delikat është ai se, në rast të shkëputjes eventuale të marrëveshjes së qarkullimit të lirë të personave, Zvicra i futet një loje vërtet të rrezikshme, e cila do të shpinte në shkëputjen automatike të marrëveshjeve të tjera bilaterale me BE dhe që i prekin shumë sektorë ekzistencial të shoqërisë zvicerane.
Një shembje pra e të gjitha marrëveshjeve të tjera që e lidhin Zvicrën me BE, përfshirë këtu marrëveshjet e vyeshme që i prekin posaçërisht fushat e këmbimeve tregtare, kërkimeve shkencore, sektorit publik, transportit, bujqësisë dhe shumë të tjera.

Në rast të një votimi pro iniciativës, me plotë arsye kjo do të interpretohej pastaj si njëfarë «Breksiti zviceran», një gjë kjo që do t’i shkaktonte një dëm të konsiderueshëm këtij vendi. Sot për sot, me keqardhje, niveli i vetëdijesimit për pasojat negative nuk është i një shkalle të kënaqshme tek gjithsecili.

Pa marrë parasysh iniciativat e kësaj natyre, në të ardhme e afërt, Zvicra do të përballet, në mënyrë të paevitueshme, me nevojën e një menaxhimi më të mirë dhe më të ekuilibruar të politikës së saj të jashtme, me një ambicion ndoshta madhor për mbrojtjen e interesave ekonomike të vendit, por duke mos anashkaluar prioritetet dhe nevojat tjera reale të vendit, e jo vetëm të akterëve ekonomikë. Menaxhimi i politikës së pranimit të huajve me siguri se do t’iu nënshtrohet testeve të njëpasnjëshme.

Në ketë kontekst, le të mos harrojmë edhe ligjin për të huaj dhe integrim (i cili aplikohet në mes tjerash edhe ndaj shtetasve ballkanik), i cili me ashpërsinë e dispozitave të tij, nuk është aspak i kursyer me kritika të ashpra që vijnë nga fronte të ndryshme.

Vështirë nganjëherë me i ra në fije, pasi që kritikat që iu drejtohen marrëveshjeve bilaterale mbi qarkullimin e lirë me BE kanë një kuptim gati se krejtësisht tjetër, në krahasim me kritikat që i drejtohen ligjit për të huaj. Po pra, dy politika paralele dhe të ndryshme të pranimit të huajve, nuk menaxhohen aq lehtë!