Një udhëtim në Antologjinë e poetëve arbëresh të Frasnitës ( Frascineto)

Në këtë atlante eksplorimi i sentimentit, besimit,  ritit, historisë, ideales,  kryqëzohen me  aspekte metrike e letrar, në kohë dhe në hapësirë, ku “ Anafora” mbërthen në retorikën e saj, metafora  rrit shpresat, metenomitë  zënë vend në kanavacën e mallëngjimit, dhe ndihet triumf i bukur i rrokjes.

Shkruan Dr. Ornela Radovicka

Nuk ka utopi në vargjet e tyre, janë të thjeshta, si vatrat e tyre  ku këndonin nina nanat, janë  të heshtura, si lutjet në kishat e tyre, janë të zhurmshme si festat e mbrëmjeve të gjata, e në fshehtësinë e vargjeve eksplorohet  njeriu, natyra, jeta e thjeshtë e jetuar  e individit, fatin e dhimbjes  për një komb të shpërndarë, një mall larg mëmës,  malli për një atdhe, dhe një lumturie  në miniaturë  dhe kaq e rrallë. Poezia mbizotëron aty ku është e nevojshe esencialja.

Jam munduar që në këto rreshta mos të jem analitike, por duke kërkuar t-iu sjellë një mozaik  me një nuancë artistike, duke zgjedhur si pjesë të tij “puzzle”, vargje, tituj, fraza e të lundrojmë sado në mënyrë empirike  në tematikën dhe  bukurinë artistike të krijimtarisë së autorëve frasnjotë.

Poezitë  dhe prozat  e tyre  janë ‘dokument’ e  përmbajnë vlerën e tyre në gjuhë, dhe mendimet, një dëshmi e shkruar  në poezi e  në prozë.

Një shëtitore mbeti e zbrazët.. gjitonisë pragjet ia ka mbuluar edera…

Një pasthirrmë diku qëndron pezull…

Një tingull shprese vjen e largët…

Vazhdon të ecë në rrugicat e gjitonisë si gishta  që lundrojnë  mes shtëpive në arkitekturën e këtyre qytezave, tek tuk të rënë në gjumin e tyre letargjik.

Shtëpitë prej guri frymojnë në diafragmën e myshkut.

Disi më tutje shtëpiza e Dorsëve.

E heshtur,

Mbi muret e verdha të gurve të Polinit,

fluturojnë si fluturëza mendimet “ Mbi Shqiptarët”

Tri ditët e Pashkës, Kostandini e Jorundina, si një zig zak gjigand , futet në çdo teje dashurie.

Në dasma një pikë uji apo loti njomte syrin e çdo arbëreshi  e digjte malli për të parët e tyre.

Dikur, kjo qytezë  nipër të Gjergj Kastriotit, sot një shqiponjë e “ rrjepur” në agoni.

 

Aty këtu ndonjë lule.

Mbijetesa, ligji i universt.

Nëse gjendesh në muajin qershor lulkuqja do të mbërthejë vështrimin e trishtueshëm  në pistalin e saj.

 

Në vapën e korrikut, tufza kamomili   të çpojnë si“djellëza” të vegjël, shpirtin te cpojne.

cinxërrat me heshtjen e zhurmshme  mes atyre mureve zhytur në shekuj do te shoqërojnë.

 

Është një natë qetmez\ Heshtje…

Peshkopi i Rosanos vërtitet si heretik.

I inatosur thërret: “Këta janë grekë!

 

Një .Zë tund malet, e barku i qellit  rrëfit pasthirrmën

Shqiptarët nuk janë grekë! Ata dallohen  si në gjenezë, ne gjuhë e gjak,

Perëndia i begoi..

Në legjendat e dallgëve të detit i shkroi.

Ishtë zëri i juristit  Mikele Beluscit.

 

Bilota, “Pitagorën” në një copëz qiell thirri:

Je i lashtë siç jam edhe unë- i tha-

Emrin Pellazgë na i thonë.

Urtak jam e Afërdita në gluhën time ia thom!

 

Cattapano,  aspak  nuk hesht: Trush, Hittiti, e Troiani kanë të njëjtën origjinë , bijë bujar e fisnikë. Janë vërtetë bijë hajdharë- Shqipes- Yll të thjeshtës farë.( Giuseppe Cattappano, Thoti flist shqip)

 

Për ju trimzat arbëreshë,

hapni sytë e merrni vesh

kur të mbaroni tre vjet

kujtoni mëmën çë u pret

mendoni tatën çë u do mirë(*Agostino Giordano New Jork 1923

 

Shkreti mbi hënën….

Mbi det të Helladës  At Bellushi nis e rrëfen,

“Çë të bëra, kakomeri,

që cë të bluanë lotëtë te gjiri?

Çë të thonë shoqetë

cë të mbuluanë shënga lotëtë?

Si nje jehonë  nga gjiri  Kalabrisë ndihet

trik – trak nd’argali,

trondafile m-je Ti,

e me shtrirzën me ilzit, e me stilleta bëri këzen,

e me shtitlazit  me ar, rrij e mir sa nën u pan.

 

“Vala e jetës këputet mbi gurinat e deluzjoneve.

Vetmi..

në ballkon“ Tri vajza të bukura”.

Hapma derën zonjë mëmë-

pëshpërit Domenico Bellizzi-

 

Muzgu luante telet çiftelisë në retë ngjyrë rozë .

“Para derës”, te pragu ti pret.

Nga flokët e tu rrjedh vesa.

“Mall” ndiej për ty mes- hollëz.

“Nërënx e egër”

“Lule e mjergullt”,

mos zë bisedë me kë!

Te lëmi ju pres,t’iu rrëfenjë “ I ziu” nën vallen e cinxërrave.

Lal Ndreu- nuk thotë përralla.

Nën hijen e lisit të madh  ngarkuar me vjet e gjethe,

nën hijen e të cilit aq njerëz kishin  pushuar dhe në degët  aq zogj kishin kumbisur,

aty shpërthente pranvera.(Francesco Solano) .

 

Nën hijet e pishave, Basilio Bilota mendimet fton.

“Jeta një vetëtim është”,

Përkedhelur nga kripa e detit,rrethuar nga çaste të brishta,, britma të  ngulur si një thikë e mbrehtë nën hijen e tkurrur netet plot yje shkëlqejnë  mbi Jon.

Në Frasnitë qetësia gufon

Ndihet këmbora e katundit e orët luajnë…

Një arbëresh me lahutën në duar këndon

Nuk merrej vesh pse ishte  hidhëruar aq shumë.

Kishte folur si flaka mes zjarrit në mes të  fshatit ,

Kishte hedhur në letër Gënjimet një e një,

hjea e helmit të tij  ven e shtrihen mbi gurishtlen përpara shtëpisë,

si livere, teren mbë diell.

Në një  katund ku sot nuk flet arbërisht.(Agostino Giordano”

 

Në tehun e natës si një reze ngeli “Kënga e mallit” e Akilit.

Krahët i hap si qiriri, e Dora D-Istrian, përqafon..

Te  balli i saj Hareja fle.

E dielli si kurorë mbi kokën e sj le Mballepsjen  ëngjëlit këtë zonjë me hjë

 

Një cucë e maleve e Frasnitës në një “Labirint” lundron

Hapat e ngadalta në terrin e natës hedh.

Arbëreshe jam, nënë Terezën kujtoj

Veshur si “Conchiglia”,si njé sirenë shëndërrohem

Gilda Elvira Ferrari më thonë.

 

Te zallët e detit Luka Perrone, me shpresën e dheut të shpirtit këndon:

Më nëng sosen dielli, përrallzat më të bukura e zhegu rreh korzin me një kërbaç thënjgjijsh.

Kujtimi i Arbërisë qëndron mbi gurët e krojit.

 

Një të djelez me nat Giuseppe M. Ferrari,

një vashë Hajdhare, takon

Me llërët e përveshura,

“Këngën e Brumit” këndon

 

Kujto në mallin tim- kishte thirur në ofshamën e ankthin të kohës, Emanuele Giordano

Mbrëmëjve  arbërisht  i kishte folur Erës

Liturgjinë vëllezërve në gjuhën e arbërit ia pruri

Lutjet, e vajin, e faljet në gjuhën e mëmës prej shpirti nxorri..

 

Në netët e trazuar, Frasnita thur gërshetat e saj në shekuj.

E në fijet e saj të thinjura  kishin bekuar Frasnitën:

Ded Belushi

Benianim Frashini,

Arkur Kostandini

Belush Mëhilli

Parapunë Akilli

Dorsa, Bilota e Serafin Gropa

Ferrari e Sollani,

Belici e Jordani

Zef Katapano

E Gustin Jordani

Frank Paçe e Perroni

Belush papa Ndoni

Sellvaxhi i ndieri

E Llin Mitidieri

Ndër gjithë nga Brazili

Dritëson Llin Brailli

Për gjithë këta bij

Ajo shkëlqejnte si yje.

 

Me Diellin në perëndimit do të bisedonte Viçenzo Selvaggi, Krishtit do ti lutej në fjalët e bjerra

“Mbi atë kryq druri ëmbëlsona udhët tona”.

 

Je Frasnjot –  je Albanese? – je vëllai im!- përgjigjej Lino Mitidieri.

Lëkura e thotë

Mbë diell e mbë botë.

Je si ulliri si dhria

Çë i qeshijenë qiellit ka mot

Tij  Frasnjot,dituria e urtësia.

 

Po sot Frasnitë si Je?

Me zemrat  e helmuara e shumë të asimiluar.

E zhytur në vorbullën e heshtje funebre.

“Basta” !- Thërret  Francesco Pace- në ngjirjen e mjergullt, të “ zemrës së tij të kyçur” dikur “Besa”, sot hipokrizia e mikut.

 

Jeta ime një pentagram

Pa nota, lule pa kërcell,

do hidhte në solfeshin e fjalëve të tij,Domenico Randelli.

 

Në ankthin e saj do të dergjej pagjumësia e kujtimeve të Clelia Rimolit,

ndërsa Vicenzo Scarvalione do të na zhyste në fabulën e tij.

 

Bie shi sot mbi Arbërinë

Kërcasin mbi qoromidhe tinguj..

Mos harroni gjuhën.

Se do t-iu mallkojnë, dallëndyshet, trumcakët,

por më tepër niprit tuaj kur do të kuptojnë se si të parët tyre flisnin gjuhën më antike dhe nuk arritët t’iua mësonin brezave.

Ndërsa loti ra mi Frasnitën e brishtë.

Shënim; Antologjia  degli Autori Frascinitesi, është trajtuar në dy volume dhe është bërë nën kujdesin e profesoreshës  Caterina Adducci e Giulia Adduci

Autorët janë  arbëreshë të Frasnitës\Frascineto dhe Porçilit\Eianina.

Çdo autor është i  shoqëruar me nota mbi jetën dhe veprën e tij, pjesë nga veprimtaria artistike poetike apo në prozë qofshin ato.

Kjo antologji është e shoqëruar me një bibliografi të pasur.

Autorët janë të ndarë sipas radhës së alfabetit,

Ornela Radovicka, Qendra Albanologjike, kërkime mbi gjuhën dhe kulturën arbëreshe, themeluar nga At Antonio Bellusci