Nëpër jetë…
Një oshtimë valësh deti më bën për vete
Derisa qëndroja në atë dhomë hoteli privat në Durrës
Një falënderim nga thellësi e zemrës ia shpreha natyrës
E tash Zotit pas atij qëndrimi në Prevallë
Dy lule i këputa jashtë m’u në qosh të oborrit të shkollës
Mes ca mbeturinave që i kishin rrethuar
I solla në dhomë, u vyshkën, e thanë
Dhe u merrja erë herë-herë…
Planifikim
Planifikova dhe u bëra gati
Të nisem në pyll.
Një cingërimë telefoni,
Ma ndërroi drejtimin.
E ky takim a do të jetë me dromca interesante
Në këtë histori njerëzimi…?
Alternativë
E ka kërkuar që disa herë
Djali im shokun e klasës
Pasi që ai ka ndërruar banesë.
Sot pyeti dikë nga moshatarët
Ai e dërgoi te një tjetër shok
Babai i tij i tha se i shkroi shokut që kërkonte në Instagram
Dhe le të takohen te hapësira e ashtuquajtur park
Mes atyre shumëkatësheve
Këtu u takuan me një përqafim të ngrohtë
Dhe u hodhën në lojë
Një gotë bozë
Sonte është sonte
Fjala e ardhme përdoret me të madhe
Sidomos nga formacionet politike
Tash është tash
Në Mitrovicë në ëmbëltoren “Ballkan”
Do ta pija një bozë
Në parkun “Liria”
Poeti tha: “I prenë tre lisa”
Ne e pamë e hymë në një vend plot me pisha.
Nëse s’e teproj them:
Ne i duam edhe lisat, edhe pishat,
Ndoshta si frymëmarrjen
Ndoshta si lirinë…
(Dhe më pas do ta “gjuajmë” njëri-tjetrin
Me nga një SMS…)
Në Valbonë për herë të parë
Rrugës nga dritarja e autobusit që na bart
Tufa pëllumbash
E dallëndyshesh nëpër qiell
E grupe turtujsh
E gjelbra e tokës
Dhe kaltërsia e qiellit
Shikojnë me zili njëra-tjetrën,
Me mall
Kur zbresim
Një shtegu të gjerë gurishtjeje
Ecim
Për të arritur te kjo ujëvarë.
Në Valbonë
Për herë të parë
Kah kthehemi
Njëra pjesë e bjeshkëve
Mbulohet me pluhurimë mjegulle
Dhe na përcjell ky shi bjeshkësh
Që lag dhe frytet e zeza të pishave
Plot rrëshirë
Kam pritur dhe pres
Kam pritur
Puhinë,
Erën
Nën shelgje kohësh e stinësh
Qoftë dhe për pak çaste
Ca pika shi
Që më kanë prekur të parin
Për të më ujitur e pastruar mua
Përpara se tokën
Breshrin
Mbi fletë lulesh
Si copëra akulli duke u shkrirë me nge
Si në një gotë lëngu prej frutash
Cukla bore
Si pluhur sheqeri
Që kanë rënë edhe mbi supe shpezësh
E duke na pëshpëritur nëpër vesh diç
E përsëritur fjalët që s’i kemi kuptuar
Me të parën
Diellin e hënën
Duke dalë prej reve
Që kanë luajtur fshehtas
Duke pështyrë
Në vendin e caktuar ku bëhej
Ndërrimi mes fituesit dhe humbësit
Të një loje pa hidhërim
Ylberin,
Kumrinë
E në heshtjen medituese
S’kam thënë asgjë për legjendat e tyre
Që më kanë treguar
Një xixëllonjë,
Një yll,
Një xixë,
Një shkëndijë,
Një zjarr të ndezur
Pranë ujërave që rrjedhin
A afër atyre që flenë
Kam pritur
Dhe pres
Pas një dite të lodhshme duke ecur
Të hidhem mes një peizazhi kudo
Të ndjej shpërthim ndjenjash
Shoqëruar me fishekzjarrë
Që pluhurosin qiellin
Deri në mëngjes
Mbase
Për të nisur
Për të thënë diçka
I frymëzuar
Nga frymëzimi
Pamjebukur e aromëdehës
Që të bën për vete
Gjatë udhëtimit nëpër jetë
Përplasje shqetësimesh
Mund të shqetësoheni duke vështruar shqetësimin në sytë e mi,
Mund të shqetësohem duke vështruar shqetësimin në sytë tuaj
Sikur më shkon mendja
Të bëhem si dikur
Të bërtas
Të nxehem
Të gjuaj me gurë
Sikur më shkon mendja
Të kthehem në shtëpi
Dhe ca ecejake
Të bëj.
Mendueshëm
Të bredh
T’u përgjigjem thirrjeve
Që më vijnë
Sikur më shkon mendja
Zemrën ta dëgjoj
Të jem ai që duhet të jem
E kur më ka hije
Edhe të ndryshoj
Mos u bëfsha për keqardhje
Nëse unë ndërroj
Ose shes parime
Bëj tregti me shpirt
Në treg hedh veten time
Nëse unë s’mendoj
Me të timen kokë
Zemra do më çaraveshet
Më mirë t’isha robot
Nëse bëhem tjetër
Duke vënë a mos vënë maskë
Greminat e humnerat
Do të më rrahin krahët.
Nëse ik nga vetja
Nga vlerat e mia
Do të më grushtojë mburrja
Kajta e lakmia
Më vërtiten shumë “nëse”
Duke hedhur valle
Larg qofsha prej të këtillave
Mos u bëfsha për keqardhje
Debat pa rezultat
Ka njerëz që debatojnë,
Por edhe të atillë që janë në modë
E u jepet hapësirë
Dhe baglojnë
Jo si lopët a bagëtitë
Që dhurojnë pleh për tokën
Flakaresh shpirti
Njëri-tjetrin
Po e shohim vetëm si numër,
Si interes,
Si para,
Si aleat,
Si trupa pa pikë shpirti
More, ç’po ngjet kështu me ne?!
Kush po i prin kështu
Kësaj valleje të çmendur mjerimi
Kaq therës?
Që ka nevojë për një shuplakë shpirti
Natë
E ndiej si ikën kjo natë
Me tik-tak, me tik e tak
I lodhur e i plogështuar
S’mund të thur çaste ëndërrimtare
Shtrirë në shtrat
Nuk ngrihem ta ndez dritën,
Të endem nëpër dhomë
As të vështroj nga kjo dritare…
Skicë për jetën mes muresh
Bëjmë jetë mes muresh
Ndonëse bota është e madhe,
E bota është e gjerë.
Anekënd mure trajtash të ndryshme
Mure, mure, mure
Që s’na lënë të këndellemi.
Ne jemi muratorët e mureve që na buzëqeshin
Edhe njëri-tjetrit ia bëjnë me sy
E në vesh mes tyre pëshpëritin duke thënë:
“As në ëndërr s’do të na shihni kaq shumë”.
Nga laptopi në ballkon
Duke bredhur internetit
Një poezi peshkoj
E zë një tjetër që bie në grep
Dhe e tërheq.
Më pas dal në ballkon
Me kokë të rënduar
Me hapa fëmije
Dhe rri vështroj hënën, yjet,
Qiellin kristal të larë.
Hyj brenda
Dal jashtë në ballkon
Nga laptopi në ballkon
Dhe kjo lojë vazhdon….
Lehtësim i masave
Të ketë hapësira,
Të ketë gjelbërim
Pemë, drunj, zogj, flutura, lule
Të ketë.
Të ketë kaltërsi,
Qiell që ndryshon
Të ketë stinë plot ngjyra e hijeshi
Njerëz që ecin nëpër to
Të ketë njerëzi, mundësi e liri
Jeta me jetë të jetë
Njeri
U shtriva në shtrat, mbylla sytë
U bëra peshk
Dhe notova thellë e në thellësi
I mahnitur u ngrita mbi det
U bëra zog
Fluturova lart nëpër lartësi
Dhe zbrita i mrekulluar, ec nëpër tokë
Më pëlqen të jem njeri