Një poezi zvicerane për tërmetin e Shkupit

287

26 korrik 1963. Ora 05.17. Në Shkup ra një tërmet. 6,5 ballë. Njëmijë herë më i fortë se bomba atomike e Hiroshimës. Me epiqendër nën këmbët e qytetit. Ai mori 1’070 jetë njerëzish dhe la 3’300 të lënduar. Tre çereku i popullatës së Shkupit humbi kulmin mbi kokë. Vetëm 20 për qind e shtëpive u kursyen nga shkatërrimi. Ky ishte tërmeti i tretë i rëndë që e goditi Shkupin. Në vitin 518 ai ishtë zhbërë fare nga një tërmet që mendohet të ketë qenë më i forti nga ç’mbahet mend. Një tjetër më 1555 i rrafshon me tokë pjesë të tëra të qytetit.

Shkupi, me 312’000 banorë, njihej si qyteti i tretë më i madh në ish Jugosllavi. Në fakt, ai ishte ndër qytetet më të dëgjuar të Ballkanit. Shkupi deri vonë është llogaritur si qyteti i dytë më i madh me shqiptarë. Pas Stambollit! Para Tiranës dhe Prishtinës! Nga tërmeti i vitit 1963 mori mbrapsht qenia shqiptare në Shkup. Kështu ligjërojnë e pakta historianët shqiptarë. Rindërtimi i Shkupit krijoi hapësirën për sistemimin aty të kontingjenteve të tëra nga grupi i etnisë së sllavëve nga Maqedonia lindore. U përmbysën raportet. Por kjo është një temë tjetër.

Dëmet materiale nga tërmeti 1963-shit në Shkup shkonin në një miliardë dollarë. Atëbotë! E gjithë bota u tund të ndihmonte në ringritjen e Shkupit. Jugosllavia ishte një shtet me prestigj dhe e privilegjuar në botë. Dhe, e përkëdhelur. Një rezolutë e jashtëzakonshme ishte arritur në Organizatën e Kombeve të Bashkuara për tërmetin e Shkupit. Një botë e tërë ishte sensibilizuar për tërmetin dhe solidarizuar me Shkupin. Sot e kësaj dite gjen në internet përshtypje dëshmitarësh të kohës nga ky tërmet. Sheh imazhe që ta këpusin shpirtin.

Albert Ehrismann, një poet i përmendur zviceran, në një vëllim poetik të vitit 1964, „Nachricht von den Wollenwebern“ („Lajm nga leshendësit“), ka edhe një vjershë për Shkupin. Për tërmetin e tij. Ja kjo poezi e përkthyer me rrëmbim nga autori i këtyre rreshtave:

Shkup

Kush fluturon mbi tokë
vringëllim,
do të na sjellë paqe
dhe shpëtim –
këndonte në shkollë
një fëmijë.

Unë fluturova mbi Shkup.
Asgjë nuk ngjalli.
Qyteti përgjysmë – një lumë
dhe gurë zalli.
Nga flatrat e avionit
fryjë e fryjë.

Kur tërmeti ra –
ku gjëmonin vringëllimat,
për të sjellë shpëtim
dhe gëzim për viktimat,
para se vdekja
t’i fshijë?

Ai që fluturoi mbi det
paqen e jepte qëllim –,
ai ç’kyçi bombën,
që ra mbi Hiroshimë.
Bërtit në shkollë,
fëmijë!

Po mbyllua gojën engjëjve!
Engjëlli më nuk flet…
Mbase, mbase në pranverë
do të dalë bereqet,
aty ku ka gropa dhe
pluhur mbi e mbi…

Fli tani, evlat,
fli!

Albert Ehrismann ka lindur në vitin 1908 në Cyrih, ka vdekur 90 vjet më pas në vendlindje. Babain e kishte magazinier, nënën rrobaqepëse. Vetë ishte kontabilist. Deri sa njëherë ngeli i papunë dhe iu dha letrave për ta finansuar ekzistencën. Ai shkruante edhe me porosi. Edhe vargje madje. Por edhe me frymëzim. Shumë frymëzim. Me 24 vjet kishte refuzuar të rekrutohet në shërbimin ushtarak, dhe për këtë  dënohet me burg. Ehrismann ishte bashkëthemelues i kabaresë së njohur „Cornichon“ në Cyrih dhe bashkëpunëtor i revistës „Nebelspalter“. Ai e ka lëruar lirikën, prozën dhe dramën. Ka qenë personalitet i parehatshëm, joindiferent për çfarë ndodh gjetiu. Siç duket.