Edhe në qytetin La Chaux-de-Fonds, në kantonin e Neuchâtel-it, në shkollën Numa-Droz, abetarja dhe shkronjat e gjuhës shqipe shoqërojnë nxënësit drejt mësimit të gjuhës sonë. Aktualisht, 20 nxënës, të ndarë në dy grupe, ndjekin me entuziazëm mësimin çdo të mërkurë pasdite.
Falë punës së palodhshme të Këshillit të Prindërve, organizimi i mësimit bëhet në ambientet e shkollës, ndërsa organizimet «extra muros» (jashtë mureve të shkollës) janë planifikuar për t’u ofruar nxënësve mundësinë të mësojnë gjuhën përmes përvojave të ndryshme.
Një nga këto aktivitete u zhvillua në mes të dhjetorit, kur nxënësit vizituan sallën e parë të mbledhjes ku u shpall pavarësia e kantonit të Neuchâtel-it. Gjatë kësaj vizite, ata patën mundësinë të takohen me përfaqësues të Sigurisë Publike, ku shpjegimet u bënë në gjuhën shqipe.
Këshilli i Prindërve dëshiron të informojë sa më shumë prindër të qytetit La Chaux-de-Fonds dhe të rrethinave se mësimi i gjuhës shqipe tashmë po vazhdon, dhe fëmijët janë të mirëpritur të bashkohen në këtë nismë. Qëllimi është që të mësojmë dhe të ruajmë gjuhën tonë të bukur shqipe, duke mbajtur gjallë edhe rrënjët tona kulturore, njofton Ilir Xheladini, i cili është mësues në këtë pikë shkollore në marrëveshje me Këshillin r Prindërve.