Një mesazh sado i shkurtër për një njeri të madh, përmban sado pak thelbin dhe kulturën e një njeriu unik

 

Ju ka ndodhur ndonjëherë të  bisedoni me ndonjë studiues të letërsisë ku ora biologjike i ka kaluar të 80-tat, dhe ai vazhdon  po me atë pasion t’i dhurojë popullit të tij çdo minutë nga jeta e tij.E, në sytë e tij do të lexoni në “braille” atë vështrim ku mbartet “alfabeti  dhe katedra”, ajo punë e lodhshme që ata ia përkushtuan me shpirt misionit më fisnik, arsimit, kulturës! 

Një situatë të tillë përjetova edhe në datën 30 Prill në Vjenë, ku midis shumë krijuesve në mërgatë ishte edhe  Prof Dr.Isak Shema.

 Shkruan: Dr. Ornela Radovicka

Atë ditë, isha ndër të parët që arritëm në atë sallë, mbas 10 minutash mbërrin edhe Prof Shema. Ecën i shoqëruar nga miqtë e tij që e kishin ftuar, dhe nuk ka atë ajër superioriteti që shohim shpesh tek shumica e ashtuquajtur akademiket e sotëm, por me hapa të lehta, me ato lëvizjet e tij të heshtura, profil i njeriut të urtë shkon në drejtim të sallës. Dikush i afrohet me përzemërsi, janë ish studentët e tij. I shoqëron me një buzëqeshje që u ka hije atyre njerëzve të  kulturuar, trajektorja ku përmblidhet  thjeshtësia e një shpirti të pjekur dhe mençuria, dhe në mënyrë natyrale bëhet pjesëtar e atij qarku. Bën fotografi, dëgjon me vëmendje dhe flet vetëm atëherë kur e pyesin.

Ndërsa fillon ora letrare, vetëm disa centimetra në distancë që na ndajnë ku jemi pozicionuar.  Pasi lexoj artikullin tim, dhe  ulem në vendin që më ishte caktuar, prof  Shema nxjerrë  nga çanta e tij revistën letrare, shkencore, informative, kulturore “Illyricum”, botimin jubilar të Prof Dr Isak Shema( 80 vjetori i lindjes) dhe, ndërsa më bënë  kompliment për artikullin e përgatitur, më dhuron revistën me autografin e tij.

E  kënaqur prej këtij  xhesti e falenderova pa masë.

Ndërsa ndiqja me kujdesë këtë orë letrare, herë herë ndeshesha me atë shkëlqim të lagur të vështrimit të tij,ku lubrifikonin ata sy të lodhur nga librat pa fund, nga faqe e kode arkivash,  hulumtime, e studime, punë që rrëfejnë se koha është vetëm një koncept i krjuar nga njerëzit, mjafton dashuria për kombin, dhe lodhja tkurret.

Shfletoj këtë revistë. Më bie në sy menjëherë  metodologjia e atyre artikujve: Revista  nuk paraqet atë karakter teknik, ku faqet ngelen në siratret e ndonjë zyre akademike. Nuk janë as ato shkrime popmoze të mërzitshme të karakterizuara nga një stil hermetik, apo me analiza e kritika të hollësishme, të stërholluara e shpesh dilet nga tema, por ata artikuj  kanë atë stili rrëfyes, ku mësohet mbi jetën, veprën e disa autorëve të letërsisë shqipe në kërkim të “të të qenit, (Egzistencës) së tyre,  por edhe idetë që i karakterizon ata, tematikat që trajtuan, kulturën e tyre që mbartnin, kushtet historike ku  jetuan, si dhe sentimentin e tyre derdhur në artin e të shkruarit.

Një revistë, kulturore, informative, shkencore, artistike, divulgative me artikuj mbi letërsinë shqiptare të përshtatshme për lexuesin.

Revista nis me ”Veprimtaria e Faik Konicës Bruxelles 1896-1902”

Faik Konica ishte biri i një  bejlereshe nga Delvina dhe i  Shahin Bej Konicës, dhe lind në Fshatin Konicë, ku në  1835 numëroheshin 600 shtëpi muhamedan dhe 200 të krishterë. (të dhënat nga udhëtari   koloneli Anglez W. M.Lake, e  viziton për herë të dytë)

Një ditë prej ditësh Shahin Bej Konica kishte prishur atë traditë ku qëlloheshin këmbanat e kishës dhe kishte dhënë urdhërin mos të qëlloheshin më këto kambana. Fshati dalëngadalë u  krisherizua.

Pak i interesonte Konicës besimi fetar. Shumë shpejt do ta shohim student i Lyceut në Paris, më vonë Student i fakultetit të Letrave në Lijon, dhe me një diplomë  të Harvard në “Mastër of Arts”.

Nuk ndalen ambicjet e Konicës. Krijon revista, e bëhet poet, e prozator.

Shumë shpejt demostron  një intelektual i zot, i shkathët, i mprehtë, patriot.  Polemik  me shumë “gazeta motra të kohës” deri në kontradita me gazetën arbëreshe” La Nazione Albanese”.

 Konica, një zotni i bredhur nëpër Botë; Paris, Londër, Bruksel, Boston. I dashuruar me jetën me pasionin, dhe me  gra të bukura,  i “akuzuar” deri si një  Don Zhuan në miniaturë, por që asnjëherë nuk e pranoi këtë akuzë.

Ky njeri i madh  edhe pse me dritëhijet e tij, ngelet një nga figurat më të mëdha të letërsisë dhe kulturës shqiptare.

Hulumtimi e Prof Shema na çon në Bruksel rreth 1897. Periudhë e Rilindjes dhe e zgjimit të ndërgjegjes kombëtare.

Brukseli, sipas statistikave të viteve 1900, jetonin një e shtata e popullsisë shqiptare ardhur nga Turqia. Konica zgjodhi Brukselin për gazetën e tij “Albania” edhe për një motiv tjetër, sepse shtypi, publikimet ishin  lirë.

 Nga Franca në Belgjikë, Konica u ndihmua prej mikut të tij francezë, Nocquet, një skluptor me zë në atë kohë në ambjentet parizjane, të cilit i besoi përgatitjen e kopertinës së gazetës”Albania”.

Simbolet rilindase; Pushka, pena, kostumi kombëtar, fustanella nuk duhet të mungonin. Nocquet, i qëndroi strikt kërkesave të Konicës dhe nxorri një kompozim; një shqiptar me  veshjen tradicionale fustanellë, ku në një dorë mbante  pushkën dhe tjetrin libër dhe pranë tij një grua shqiptare, që mbështet bashkshortin. Ajo Fustanellë që edhe Bajroni disa vite më parë ishte magjepsur.  Edhe Konica vetë e kishte admiruar fustanellën aq sa sa kur shkoi për të takuar Nolin në Boston i drejtohet atij.

  • Falë kësaj veshje tërhoqja vëmëndjen e gazetarëve amerikanë dhe nëpërmjet tyre opinionin botëror për çështjen shqiptare- i thotë Konica.)

Nocquet, ishte treguar një mik i vërtet, aq sa kishte mbështetur Konicën për të gjitha pengesat administartive që kishte gjetur në Bruxel.

Konica gjeti një terren fertile në Bruxell  

Nga Gazeta Turke “ Ikdam” lexojmë një artikull ku kishte shpallur dekretin e Sulltanit, në të cilin thuhej që Faik Konica ishte i dënuar me vdekje.  Si kundër përgjigje Gazeta “ La Chronique”,shkruante;“ Un condamne a mort qui s’en fiche”.  Një i dënuar me vdekje që si bëhet vonë!”.

 Një tjetër artikull mbi forcën e gjuhës shqipe, dhe urrejtjen e Sulltanit ndaj ndaj saj  shkruhet ”La Chronique”, Bruksel më 1 Gusht 1901: Sulltani ka për qëllim t’iu sjellë shqiptarëve regjimin të cilin gjermanët ua sollën polakëve të Shlezisë, ..Gjuha shipe, është gjuhë “sonore” dhe poetike, me origjinë nga Pellazgët hyjnorë, të kënduar nga Homeri”. 

 Një tjetër shtyp që i jep hapsirë Konicës është “Le Messager de Bruxelles”. Nëpërmjet një artikulli mësohet se “Perandoria Osmane nëpërmjet Legatës në Bruksel në rrugë zyrtare ndalonte hyrjen e disa personave shqiptarë të ikur nga Perandoria Osmane”.  Po tek e njejta gazetë e datës 26 Marsit 1900  gjendet intervista  ku Konica shfaq qartë idetë e tij kundër Turqisë duke e quajtur atë “Komplotiste e shkathët”.

 Konica, jetoi dhe veproi në një kontekst historik, pena dhe revista e tij ishte arma më e fuqishme. Në publikimet “ Albania” Konica lëvron si patriot me “Flamuri-n”. Ndalon me nota sentimentale  tek “Vajtimi për Robëri të shqiptarëve”, godet me satirë  deri në sarkazëm të “Anadollaku në Mësallë” dhe kur është disi i qetë, shpirti i tij i turbulluar gjen  paqe në pejsazhe e shëtit “Anës Liqeni”, ku “ Rrezet e diellit” i ngrohin shpirtin, dhe e  përcjellë te “Mëmëdheu”. Tenton të krijoi një “ himn” mbi Skënderbeun” të cilin  ashtu si edhe De Rada e çon te moti i madh.

Revista “Albania” ndërron “shtëpinë” nga Brukseli në Londër

Revista themeluar 1896\7  pas gjashtë vëllimesh të saj,mbyll botimin më 1902  dhe zhvendoset në Londër. Jetëgjatësia e saj shkoi deri në 1910. Fizionomia  e saj  ngelën po ato lëndë; historia, politika, arkeologjia, gjuhësia, letërsia, sociologjia. Vëllimet e revistës “Albania” flasin bindshëm për vitalitetin e popullit tonë në ato rrethana të caktuara, historike shoqërore dhe politike për pavarësi kombëtare, por edhe për zhvillimin e gjuhës, letërsisë dhe kulturës kombëtare.

Gjatë publikimit revista ”Albania”, Konica hodhi sytë tek autor të huaj si; Shekspiri, Sheli, Shileri, Hains. E titujt e tyre bashkohen si një buqetë ideali.

“ Fryj ti er’ e dimrit”\ në “ Harrim” më përcillë\ Këtë “ Vajtim” mos ta mendoj\por luftëtar si “Mbreti Harold” në fushë të betejës të vdes\ Gjaku  për brezat “Prëndvere” të sjellë.

(Shakespiare “Harrim”;“ Fryj- fryj ti er’ e dimrit”,   P. B. Sheli; ”Vajtimi”,  F. Shileri ”Prendverës”  dhe nga H. Haines, “Mbreti Harold”.

Konica u afirmua si prozator:“Katër përralla nga Zullulandi”, “Shqipëria si m’u duk”, “Dr Gjilpëra zbulon rrënjët e dramës së Mumurrasit”, “ Shqipëria kopsht shkëmbor i Europës”. Proza këto të cilat janë  botuara në gazetën Dielli apo të lënë në dorëshkrim.

Tek Gazeta “Albania”, vëmëndje tërhoqën vështrimet si:“La litterature albanaise\ Letërsia shqiptare”,”Notice su la metaphysique des Bechtascis\ Shënime mbi metafizikën e Bektashinjëve”, Ca këshilla mbi artin e të shkruarit, përparimi i shqipes

Konica  botonte dhe ribotonte edhe materiale të shoqërive përparimtare shqipatre të asaj kohe të cilat kishin si qëllim  lirinë dhe rritjen e ndërgjegjes të një populli të vuajtuar.

Prof Shema na rradhitë një numër të madh figurash të cilat lidhen me  figurën e Konicës dhe aktivitetin e revistës Albania: N.H.F.,L(autori i kanunit të Malcisë), Lumo Skëndo Frascëri, Besarion Dodani, Koto Hoti, Mjek Ibrahim Themua,Dervish Hima, Geg Postrima(Filip Sh..) Spiro S. Garra, G.C, Thoma Abrami, Lulo Frashëri, Visko Babatasi, etje. Më vonë tek “ Albania” bashkëpunuan edhe Luigj Gurakuqi, Shtjefën Gjeçovi, Çajupi, Asdreni, Hil Mosi, Mjeda dhe poetë të tjerë shqiptarë.

Artikulli  është shoqëruar me një bibliografi  shumë të  pasur.  Në këtë revistë informohemi se Materialet , fotokopjet e mbledhura në arkivin Mbretëror në Bruxelles mbi Faik Konicën iu dorëzuan Institutit të gjuhësisë dhe letërsisë.

Disa faqe më tej  të çojnë në Plavën piktoreske e poliedrikun Esad Mekuli takon. Vozit  në liqenet e Plavës, ku natyra, e fortë dhe e ëmbël shkrihen në të njëjtën kohë. Magjepsesh në Bjeshkëve të Nemuna, të Rugovës, Pejës, spërkatesh në argjendin e agimeve, humbet në  perëndimet e  kuqërremte, apostrofohesh në bukuritë e rinisë e djalërisë e  mbledhësh në faqet  “Jeta”..

Në rrugët e Beogradi ecën Mekuli, por ndërgjegjja e ndalon dhe e pyet: Ku është populli i gjuhës sime, i gjakut tim?

Ndërgjegjësohet Esadi në ato rrugë. Arma e tij janë librat. I shkruan, ka ide të qarta, dhe kur kërkon ti botojë serbokroatisht lufton për idealin e tij e ndeshet me xhandarmerinë.

Vazhdon Esadi në udhëtimin “Jeta”, ndesh në rrugëtim, punëtor hekurudhash,  “Sharrxhinjtë” dhe  është i vetëdijshëm në humanizmin e tij se kësaj bote të vjetër minat duhen vënë.

E vjetra nuk fitohet kollaj. Esadi është një meteor i burgosur në Pejë, mbledh forcat,  dhe fuqishëm e furishëm shpërthen  “Kushtrim” nga Kulla e Sheremitit. Prej letrës “Birit të vdekur”,( kushtuar legjendarit Xhemal Kada), petale lulëkuqe do të dilnin. “Kujtime të i’dhta dhe krenare”, bekim e mallkim, të këtij populli të vuajtur por krenar.

Drini  i rrëmbeu dorëshkrimet Esadit, por Atdheu, vendlindja, vatra shqiptare, toponimet, populli shqiptar, gjuha shqipe, Kosova Shqipëria, qytetërimi, etnosi, çështja kombëtare dhe sociale, poezia arti, dashuria do të  pagëzonte te  “Liria”,  ajo revistë  ku ai punoi me zell në fushë të kulturës dhe shkencës. “Liria” i solli “Rilindjen”, “Gazeta e Pionierëve” si edhe revista “Jeta e Re” për krijuesit e rinjë.

Esadi mbyll ciklin me “ Pleqëria”, ato vargje  ku  të  rinjtë mbi rrudhat e pleqërisë së tij  lexojnë  atë epope krijuese që ky poliedrik i fali popullit të tij.

Si një Karonte Jakov Xoxa na shoqëron të kalojmë te “Lumi i vdekur” e gjendemi në fushat e Myzeqesë, plot  kënetë, por  arrin “Juga e Bardhë” dhe diti ti kthejë moçalet në fusha pjellore.

“ Lulet e kripës” nuk janë vetëm, me ato është lëxuesi, është ai që kontrollon, vëzhgon merr pjesë, nuk të lë të gënjesh.

Disa kilometra më tutje se Myzeqeja është  Mallakastra, qyteti naftëtar i Ballshit. Banorët me “Gjakun e zi “ prej fenoleve, realizonin “Arin e zi”,  Shoqëria ndryshon, evolvon dhe Jakov Xoxa do të shkruante:  Ç ‘ngulim i fuqishëm! Njerëzit kanë mbyllur veshët me pambuk, sytë me syze, gojën me maskën e oksigjenit.

Ideja  e vetmisë për Jakov Xoxën përmban filozofinë: Vetmia nuk  është “ Të qëndrosh vetëm”, por të “ndihesh Vetëm”

Kur Jakovin e pyetën:

  • “ Çudi si rri vetëm këtu? Ai është përgjigjur
  • Vëtëm? Ohu sa njerëz që kam unë pranë meje e brënda meje!

Në faqet e kësaj reviste ndeshim Kadaren. Jemi në vitin 28 Qershor 1389 në Fushën e Kosovës. Nga njëra anë janë  Pushtuesit Ottoman të udhëhequr nga Sulltan  Murati  dhe nga ana tjetër, kemi të gjithë popujt e ballkanit, sërb, boshnjak, rumunë, dhe shqiptarët të komanduar nga Princ Llazar. Pas 10 orë luftë Ballkani ra në duart e ottomanëve per rreth 600 vjetësh.

Dëgjohet  lahuta e kosovarit  Gjor-gu dhe serbi Vlla-dan që i këndojnë hasmërisë me njeri tjetrin. “Ngrihuni shqiptar se serbët po na marrin Kosovën!- këndon Gjori.

“Ngrihuni  serb se shqiptarët po na marrin Kosovën!- këndon Vlladani

Edhe pas 600 vjetësh luftërat ndaj ballkanasve nuk kanë ndaluar. “Këngët i kishin po aq të ashpëra sa edhe armët.” Tri këngë zi për Kosovën.

I dëgjon të dy rapsodët Kadareja, këtë  neutralizim e quan “Subjektivitet Homerik” i cili e ka arritur vetëm me “akrobacirat e ekuilibrit”, gjë tepër e vështirë , në atë vend të vështirë- deklaron ai.

Dashuria nuk ka kufij, kur është e fuqishme të çon deri në derën e  hasmit, por Zanat e maleve, kthejnë në gurë krushqit, dhe ndalojnë martesën e një shqiptari me serbin.

Shpend Bresftohti  shqiptar nuk martohet me  Mladenkën Markoviqin serbe. Shpendi vritet nga ushtria federale në operacionin e shtypjes së demonstratave.

Kadareja është poet humanist dhe vdekja e Jusuf Gërvalla  si poet i madh nuk gjen fjalë për këtë krim: E shoh veten si Diogjeni\Në betejen e tmerrshme\Të fjalës dhe mendimit .

Filozofia e Kadaresë me sa duket është toleranca,  por më e fort se vet ajo është identiteti kombëtar.

Kosova është në zemrën e Kadaresë dhe jeton me retorikën shekullore: Përse mendohen këto male? Dhe përgjigjen duket se e jep në Poezinë “ Kosova”,  ndërsa fulturon me avion: Sa herë kam kaluar mbi qiellin tënd, Kosovë\Midis reve të tua të rënda, gjëmimeve të tua.

Revista përmban punime e informacione të tjera. Përmendim Naum Panajot  Bredhi i mbiquajtur Naum Veqilharxhi (1797-1846) lindur në Vithkuq, rritur në Rumani. Viqilharxhi nuk ka krijuar vepra letrare,  por ishte i pari  që ka shprehur idealet e levizjes  për komb. Pikërisht një vit më vonë arbërsh Dorsa në “Su gli Albanesi: ricerche e pensieri, Napoli, Tip. Trani, 1847”, do të  hidhte  idenë e Kombit, dhe jemi në në 1847 atëherë kur nuk egzistonte kombi.

Një bir i Malsisë, Gjergj Fishta,  30 vjet më vonë me Lahutën e tij do  këndonte Lidhjen e Prizrenit. Kuvendi i të cilit u mblodh 10 Qershor 1878.  Pesëqind e pesëdhjetë (550)vargje tetë rrokshe, u ngjyen në materialin historik, të cilat mblidhen dhe sintetizohen në epikën esklamative; “Toskë e Gegë”. Kreshnikë të kombit, Zanë e Sharit, Akej e Dardanë, lufëtarë të Kosovës  mbledhur për liri si një epope Homerike.

Prof Shema thekson se figura e Fishtës  akoma nuk ka merituar figurën që ai duhet të ketë. Fishta u trajtua si figurë reaksionare, dhe u akuzua se  ai sulmon shovinizmin antisllav të fqinjëve të Veriut, dhe jo i drejtpërdrejt anti turk. U kritikua nga ideologjia se  poema ngrehte himn patriarkalizmit, bajraktarizmit, obskurantizmit fetar e klerikalizmit.

Prof Shema thekson se vizioni poetik i tij është koerent me rrjedhën historike të ngjarjeve dhe se fjala për Fishtën është dhunti morale, shpirtërore dhe artistike.

Ndërsa vozit në faqet e kësaj reviste, nuk do shëtitësh në Liqenin e Lasgushit Poradecit, por në Malësinë  heroike do të penetrosh; “Kaptuam shtatë male\ e sfolëm shtatë fjalë\Malsisë për t’iu falë.

Trimja Kosova, që s’njeh sulltan\tregojnë gjoks në sulm e zjarrë\ si shgaba në fortunë”.

Ndër vëllezërit kosovar mes vedit thanë: unë Shqiptar, e ti Kosovar “Valljen e yjeve” kërcyem\ nën diskun e pirueteve “Yllin i zemrës” vendosëm.

Në rrugëtimin tonë gjejmë  Sterio Spasse,  autor si në prozë tregimtare dhe atë të romanit, po ashtu edhe hartues i teksteve shkollore, përkthyes i veprave të letërsisë së huaja, interesim në letërsinë popullore, publicistikë, reportazhe, kritika letrare. Pasuroi prozën si edhe dha kontribut në zhvillimin e romanit shqiptar. Prof Shema na çon tek poesia e tij  “Zjarr”në amanetin heroik i Themisokli Gërmegnit: Të vishem me rroba shqiptare\të mos mi lidh sytë e duart\Të jap vetë urdhërin: Zjarr!

Do të ishte pikërisht ai “ Zjarrë” që Spase  do shtonte veprat e tij të cilat me titujt e veprës së tij  krijojmë mozaikun: “ si një “ Pishtar” drejt një “Kryengritje”,  me fjalën “ Ja vdekje ja Liri” , në thirrjen “ O sot o kurrë”, do të ngerjmë   “Zgjimi”,  forma më e lartë e ndërgjegjes kombëtare.

Ndalojmë te një tjetër figurë  Hivzi Sulejmani nga Mitrovica. Profesor Shema  cilëson karakteristikat e tij;  i urtë, lufëtar i lirisë, shkrimtar, patriot, umanist që dha kontributë në Letërsinë shqiptare.  Hivzi Sulejmani është krijues si vlerave materiale ahtu edhe shpirtërore. Ai lëvroi në poesi, tregime, komedi, drama. Ai ishte modest dhe madhështor në të njëjtën kohë. Unë prapë eca kështu\ me plot vetëdije\ pa luhatje\ ditë më ditë\ tërë një ditë.

Një sërë artukuj të tjerë të Prof Shemës shfletojmë në këtë revistë. Njihemi me Latif Berishën, puna e tij e madhe  në fushë të arsimit, shkencës; Jorgo Bulo  studimet e tij letrare, si edhe me letërsinë bashkohore.

 

Prof Shema në këto “udhëtime” ka plazmuar mendimet dhe ndërgjegjen si dhe farkëton natyrën e studiuesit; Etja për dije, dhe qartësi në shkencë. Dhuratat më e madhe që i ka bërë dhe i bënë studentëve të tij.

 

 

I nderuar Prof Shema, ekziston një kulturë profesionele që përfshin korrektësinë e të qenit vërtet të mirë në punë, ku armiku është mërzia, mungesa e qartësisë, apo mungesa e krijimtarisë, por ekziston  edhe një  kulturë  humane, ajo kulturë  ku të gëzoni dhe të shijoni ato sakrifica e shumta të bëra, mërthyer në ato menteshat e stilit tuaj të matur, e të qetë. Ju faleminderit për këtë udhëtim!

Jetë të gjatë, Prof. Dr. Isak Shema!

Ornela Radovicka

Qëndra albanologjike pranë Bibliotekës A Bellusci  Frascineto\ Calabri.