Një gur varri, të denjë për Katin!

170

Në momentin kur në vendlindjen e saj, në Prishtinë e gjetiu po përkujtohet 50 vjetori i vdekjes së aktores , Katarina Josipit- Katit (Zymi Hasit,19 nëntor 1923-Prishtinë,29 prill 1969), a mund të bëjmë diç më shumë për jetësimin e emrit, por edhe të një larje borxhi për këtë aktore të madhe të skenës sonë kombëtare, pasi që është rrezik edhe shenji i varrit të saj të zhduket!

Teksti dhe fotot: Rexhep Rifati

Se s’përbuzje u bëjmë emrave të mëdhenj, që i vunë bazat e kulturës së pasluftës së dytë botërore në Kosovë siç ishte edhe Kati ynë, kur siç mësova nga shtypi, se në ceremoninë përkujtuese, mbajtur në Prishtinë, për Katarina Josipin, kur edhe u promovua monografia e kolegut Frrok Kristaj, nuk e gjeti: “ askush të udhës të jetë prezent nga radhët e zyrtarëve të Qeverisë e as Ministrisë së Kulturës, ndërkohë disa prej aktoreve vendase kanë ndarë kujtime me aktoren të cilën e konsiderojnë idol”.

Por unë kësaj radhe do të ndalem te një fenomen tjetër i pakujdesisë sonë për emrat e mëdhenj të kulturës sonë, e që lidhet me një vizitë timen në Zym, më 2 Maj 2016, pikërisht para tri vjetësh, në shoqërim te shkrimtarëve Nikollë Kërhanaj, Muharrem Blakaj dhe Prend Buzhala.

Gjatë kësaj vizite në këtë katund vizituam edhe varrezat e Zymit, pasi aty prehen emra të mëdhenj të kulturës dhe kombit tonë përgjithësisht. Nuk mund të thuhet se nuk ka bërë asgjë ky katund, kurbetçinjsh, me një histori e traditë sa kulturore e kombëtare, pasi aty si askund gjetiu ku mund të hasësh gurë të gdhendur kushtuar disa momenteve të rëndësishme të kulturës sonë. Por ajo që hasëm në varrezat e Zymit, sidomos kur ka të bëjë me varrin e Katerina Josipit ishte tejet zhgënjyese: një kryq i vjetër ku mezi lexohej emri i aktores sonë të madhe, ndonëse nuk ishte shumë më mirë edhe varri i shkrimtarit tonë brilant, Anton Pashku.

Ndaj edhe kam apel edhe si njeri e edhe si mërgimtar, që në këtë 50 vjetor të kalimit në amshim të Katës sonë të madhe, të kontribuojmë të gjithë së bashku për një pllakë përkujtimore në varrin e saj edhe pse për këtë dikush mund të mendojë se është çështje familjare. Ndaj mendjen se emrat e mëdhenj që kanë lënë pas vetes vepra me peshë i përkasin jo vetëm një familje e një lokaliteti por gjithë kombit.

Ndërkaq, mua si ferizajas më bie hise që të shprehi këtë ide dhe dëshirë ngase Katarina Josipi qysh se e re me të atin, Gjin Jozë Dulajn, u shpërngul në Ferizaj , ku edhe i bëri hapat e parë në teatrin amator të këtij qytetit, së bashku me aktorët e Shaban Gashin e Matej Serreqin, që gjithashtu ishin nga Ferizaj. Vetëm një vit pasi të hapej teatri profesional në Prishtinë, në pranverë të vitit 1948, ajo do të angazhohet në këtë teatër së bashku me Hyrije Hanën dhe Meribane Shalën, që njihen si tri femrat e para shqiptare në skenën e këtij teatri. Kati aktroi për më se dy dekada, duke spikatë personazhe nga repertori kombëtar e botëror, duke lënë gjurmë si një aktore e madhe që duhet kujtuar e nderuar përherë ndër breza.

Ndaj edhe aty ku pushojnë eshtrat e saj, por në objektet ku u shfaq me role brilante së paku të mbahet mend edhe me ndonjë pllakë përkujtimore apo edhe ndonjë lapidarë, ngase ata që i dhanë artit shumë duhet nderuar edhe nga skulptorët tanë, nëse duan ata dhe ne, përgjithësisht të jemi të nderuar edhe si njerëz e edhe si komb.
( Me këtë rast po jap ca nga fotot që shkrepa në Zym me 2 Maj 2016)