Një diasporë në lëvizje: Diaspora e Kosovës protagoniste e ndryshimit në Zvicër dhe Ballkan

Një takim i fundit i organizuar nga grupi i migrantëve të Partisë Socialiste të Zvicrës tregoi angazhimin e madh të diasporës së Kosovës në vendin e saj të origjinës dhe në Zvicër.

Nga Mattia Lento, publikuar në portalin sindikal të Zvicrës për kritikë sociale dhe punë “Area”

Njerëzit me origjinë nga Kosova, ashtu si edhe pakicat tjera nga Ballkani në Zvicër, deri para disa viteve kanë vuajtur nga një diskriminim i rëndë. Sot, gjërat kanë ndryshuar pjesërisht jo vetëm falë futbollit. Edhe pjesa e diasporës së organizuar e Kosovës është bërë një nga më aktivet në promovimin e një Zvicre të hapur dhe solidare dhe në lehtësimin e shkëmbimeve midis Kosovës dhe Zvicrës. Takimi i organizuar nga Partia Socialiste, me iniciativë, ndër të tjera të Osman Osmanit, përgjegjësit të redaksisë në gjuhën shqipe të gazetës “Horizonte” të sindikatës Unia, i konfirmoi të gjitha këto. Rasti i diasporës kosovare gjithashtu mund të jetë një shembull për pakicat e tjera migrante këtu në Zvicër.

Entuziazëm i përtërirë

Zgjedhjet e fundit politike në Kosovë kanë sjellë një valë optimizmi progresist si në vend ashtu edhe në radhët e diasporës në nivel ndërkombëtar. Takimi i organizuar nga Partia Socialiste e Zvicrës u hap nga zyrtarja e re qeveritare për diasporën, Liza Gashi, e cila nënvizoi kontributin e madh të migracionit nga Kosova në zhvillimin e vendit dhe premtoi angazhim më të madh për të mbajtur gjallë lidhjen midis mëmëdheut dhe diasporës. Në lidhje me këtë pikë të fundit ajo përmendi rastet e diasporës Irlandeze dhe Izraelite, dy modele të suksesshme këto, të cilat qeveria e re në Prishtinë synon ti marrë si shembull. Sihana Bejtullahu, bashkë-drejtuese e Germin, një OJQ e re që mbështet procesin e demokratizimit të Kosovës përmes përfshirjes së diasporës së saj, gjithashtu konfirmoi rritjen e vazhdueshme të rëndësisë së diasporës së Kosovës për zhvillimin e vendit më të ri të Ballkanit. Cyrill Rogger, nga OJQ zvicerane për zhvillim “Solidar Suisse dhe Ruth Huber, e cila përfaqësoi Departamentin për Bashkëpunim dhe Zhvillim të Zvicrës (DEZA/SDC), folën për projektet e shumta zvicerane në Kosovë.

Konfederata Zvicerane ka financuar deri më tani projekte përkitazi me formimin profesional, për luftimin e korrupsionit, për përfshirjen e diasporës në jetën kombëtare dhe procesin e demokratizimit. Në këtë kontekst, Osmani shpreson, megjithatë, “një përfshirje më të madhe të diasporës kosovare, e cila deri më tani as që është dëgjuar fare në këtë çështje”.

Bashkëpunimi sindikal

Pas katër ndërhyrjeve në seancë plenare, u zhvilluan 5 punëtori kushtuar rolit të diasporës në zhvillim, ekonomi, politikë dhe në betejën kundër nacionalizmit në Ballkan (në këtë punëtori morën pjesë edhe njerëz me kombësi a shtetësi serbe dhe maqedonase). Në njërin nga këto grupe pune, Hilmi Gashi, përgjegjës nacional për migrantët në Unia, foli për bashkëpunimin sindikal midis dy vendeve dhe kontributin që lëvizja sindikale zvicerane mund të japë në procesin e ndërtimit të sindikatave në Kosovë. Gashi ilustroi problemet e lëvizjes sindikale kosovare: “këto janë organizata që nuk kanë arritur të ecin me kohën, burokratike dhe me mungesë të guximit. Këto nuk kanë qenë në gjendje të ndalojnë proceset e privatizimit të egër të ndërmarrjeve në vend”. Përkundrazi, Bashkimi i Sindikatave ka qenë pasiv, sidomos nga frika se mund të rrezikoj proceset e integrimit, mbështetjen e shteteve mike dhe investitorët e jashtëm.

Gashi nënvizoi “aktivitetin intensiv të sindikatës Unia në Kosovë”, por kritikoi “mungesën e një politike dhe angazhimi politik për ndërtimin strukturave sindikale nga SolidarSuisse”. Këtu duhen Organizata kompetente që kanë aftësi dhe rrjete më të mëdha në fusha ndërkombëtare në krahasim me Unia. Edhe Bashkimi i Sindikatave të Zvicrës (SGB/USS), sipas Gashit, “ka kohë që nuk është aktive në fushën e bashkëpunimit sindikal me Kosovën”.

Përktheu nga italishtja dhe përshtati Hilmi Gashi