Një libër, shprehje e revoltës ndaj llumit të politikës ditore

Kështu e cilësoi veprën e tij, «Në strofullën e djallit», autori Shpëtim Pollozhani ( i burgosur politik nga Struga), që u promovua në Bibliotekën “Pestalozzi” në Cyrih dhe u shpërnda falas nga Qendra mediale në Zvicër “dialogplus”, që ishte edhe organizatore e këtij evenimenti letrar

Teksti dhe fotot: Rexhep Rifati

Biblioteka “Pestaloci” në lagjen Hardau në të Cyrihut, rrallë ka përjetuar një atmosferë kaq mbresëlënëse sa në promovimin e librit «Në strofullën e djallit», të autorit Shpëtim Pollozhani, i burgosur politik nga Struga. Evenimentin, të cilin në emër të organizatorit, Qendra mediale “dialogplus e shpalli të hapur kardiokirurgu i njohur, Omer Xhemali, u përcoll nga një prani personalitetesh të njohura shqiptare thuaja se nga shumë fusha, e sidomos nga ajo e shkencës, kulturës dhe lëmi i bizneseve, si dhe diplomatë të akredituar në Zvicër nga Shqipëria e Kosova e Maqedonia. Ndërkaq, ne emër të nikoqirit përshëndeti drejtuesja e Bibliotekës “Pestalozzi”, Suela Jorgaqi.

Çfarë është në thelb libri «Në strofullën e djallit» ?

Një vështrim analitik për librin e paraqiti, kryeredaktori i revistës, “dialogplus”, Kujtim Shabani, nga i cili po shkëpusim disa fragmente për lexuesit tanë. Ndër të tjera ai përkujtoi se:

Libri «Në strofullën e djallit» i Shpëtim Pollozhanit si krijimtari bën pjesë në atë që quhet letërsi e burgut. Si e tillë ajo nuk është e panjohur për lexuesin e interesuar. Dhe kjo nuk është aspak çudi kur ke parasysh numrin e të burgosurve politik shqiptarë dhe kur konsideron formimin dhe vullnetin e këtyre njerëzve.

Çfarë është në thelb libri «Në strofullën e djallit» i Shpëtim Pollozhanit? Libri nuk është një polemikë me libra të tjerë të kësaj kategorie letrare që demanton, apo përforcon pohime dhe fakte të botuara më herët. Libri nuk është për asnjë moment një faturë që autori i lëshon komunitetit për sakrificën e tij. Këtë ai e ka hallall! As dëshpërimi për vajtjen e punëve keq më vonë, as cinizmi i njerëzve të veçantë për idealin e tij, nuk e bën atë të pendohet për sakrificën e tij. Libri, në radhë të parë, është përvoja e rëndë prej një dekade e Shpëtim Pollozhanit në dhëmbëzorin më të egër të sistemit totalitar jugosllav, e komprimuar për mirëkuptimin e lexuesit të paduruar në rreth 370 faqe.

Opinion i sensibilizuar njerëzor.

Në fakt libri vjen pas dhe para ngjarjesh dramatike në vendlindjen e autorit, të cilat i valorizojnë më shumë kujtimet e tij. Si të tilla rrëfimet e Pollozhanit në libër, në një farë mënyre, janë jo vetëm kujtime të së kaluarës, por edhe të së ardhmes. Ato paralajmërojnë një të ardhme të përjetuar. Përmes rrëfimit të tij, Shpëtim Pollozhani tregon fatin e popullit që i kishte rënë hise. Pa dashur ta falsifikoj idenë e autorit, në librin e tij shoh edhe fatin e njeriut në një sistem të përshëndetur me vlerat njerëzore. Dhe veshi që kërkon zëri i Shpëtim Pollozhanit, në gjykimin tim, është një komunitet i gjerë që i kalon kufijtë e popullit të tij – një opinion i sensibilizuar njerëzor. Sepse edhe vuajtja e tij, në radhë të parë, është njerëzore.

Libri i Shpëtim Pollozhanit është një zhgënjim i madh për atë që nga ai pret vetëm fakte, vuajtje, urrejtje, mburrje, politizim… Autori befason jashtëzakonisht këndshëm jo vetëm me temat që zgjedh, por edhe me imagjinatën, lirikën, njerëzoren që rrjedh në rreshtat dhe faqet e librit… Autori rrëfen si tingujt e pikave të shiut në çatinë e llamarintë të burgut hetues në Ohër ia miklojnë plagët… Histori, politologji, poezi…Libri, në gjykimin tim, meriton një kujdes më të mirë formal dhe teknik. Gjithsesi, për fillim, do kishte qenë interesant një përkthim i rrëfimit në gjuhën maqedonase .

Një libër ndryshe

Duke fole si lindi ky libër , autori Pollozhani, shpjegoi se si në bisedë me disa shkrimtarë e krijues, ata i preferuan që të shkruaj një libër për burgun, por pa patetizem e individualizëm, që ai të jetë ndryshe ! Madje siç tha më tej i sollën edhe libra nga Shqipëria e Kosova që kishin shkruar të burgosurit politikë. Kështu e shpjegoi rrugëtimi me pak fjalë:

-Nuk më nevojitet inspirim, mjafton kjo xixë që ma dhatë mua. Nuk kam nevojë te lexoj askënd, thashë me veti, derisa kam inspirim, pasi edhe motorit të anijes me te madhe në botë i duhet vetëm një shkëndijë. Nga të ia filloj, te ndalem para derës se burgut në Idrizovë dhe prej andej drejt labirinteve të tij…

Ndaj edhe këtë libër e shkrova edhe si shprehje të revoltës ndaj llumit të politikës ditore, e cila mendon se politika ka filluar me te, aty diku aty kah viti 1998 e këndej, duke lenë prapa përpjekjet e shumë liridashësve tanë…

Mjaft nga të pranishmit i shtruan pyetje autorit, gjë që këtë promovim e bëri më të gjatë se qe ishte parapa. Për dallim nga promovimet tjera, libri i posa promovuar iu dhurua të gjithë pjesëmarrësve në këtë eveniment, donacion i editorit të “dialogplusit”, Arif Sulejmani.

Evenimenti u përcoll edhe me disa pika artistike të ekzekutuara ne lyrën (harfen) antike nga muzikantja e talentuar Rrezarta Beqiri, e cila u prit me duartrokitje nga të pranishmit.

(Me ketë rast po japim ca imazhe nga ky promovim libri).