Ngas një tren të çuditshëm
Hy e mbes në fejsbuk
Në këtë kohë mjaft të ftohtë,
Me një gisht drejtoj timonin
Drejt shkon treni me vagonë.
Është tren i çuditshëm
Me vagonë njëri pas tjetrit,
Udhëtarë njëri bart
E mallëra bart tjetri.
Dhe ecën ky varg vargonësh
Si të ishte një karvan,
Puf-puf-puf e çuf-çuf-çuf
Udhëtarë e mallëra në supe mban.
Ja, dhe vagoni i parë
I mbushur me fëmijë,
Kush e di se për ku është nisur
E ku do që të mbërrijë.
Ja, dhe vagoni i dytë
I mbushur me fruta të ndryshme,
Ca që janë rritur dhe këndej kah ne
Ca në vende tjera më ekzotike.
Dhe vazhdojnë kështu vagonët
Njëri njerëz e tjetri mallëra,
Ku do zbresin e në ç’stacione
Në ç’qytete a në ç’fshatra?
Gishti im drejton trenin
Me vagonët varg e vijë,
Si një poemë e gjatë
Mbi supe binarësh strofat e tij.
Çfarë nuk sheh brenda tyre,
Ja, një vagon me të rinj
Që qeshin bisedojnë
Mbase në bregdet do të mbërrijnë.
Ja, dhe vagoni tjetër
Me libra mbushur plot,
Ç’librari do furnizojë
Me gjithë këta tituj të llojllojtë.
Po ç’na bart vagoni tjetër
Që me me numrin kaq, vije në rradhë,
Njerëz profesionesh të ndryshme
Fshesarë, kopshtarë, artistë, shkenctarë…
Dhe këshu vazhdon udhëtimi
I trenit me gjithë këta vagonë,
Njëri njerëz e tjetri mallëra
Presin të zbresin stacion më stacion.
Ka vagona dhe ku qëndrojnë
Njerëz të ndryshëm e familje,
Që nuk u bashkohen grupeve të tjera
Ca kanë dalë për punë, ca për shëtitje.
Sidoqoftë vazhdon udhëtimi
I këtij treni me shumë vagon,
Kontrollori hy dhe sheh
Mos ndodhet në të ndonjë vagabond.
Gjithçka duket të jetë në rregull
Natyrë me kaq peisazhe,
Që vështrohen ëmbëlsisht
Nga udhëtarët tej dritaresh.
Dhe vazhdon rrugë e mirë
E vazhdon udhë e mbarë,
Dy duket janë kufinjtë:
Realitet e imagjinatë.
Gishtat e mi drejtojnë ekranin
U tregova që në fillim,
Koha është mjaft e ftohtë
S’rri dot pa bërë edhe një postim
Dhe tjetër çfarë të them
Çfarë mbresa na la ky rrugëtim,
Ajo që pret që pret të realizohet
Sëpari ndoshta qe ëndërrim…



















