Nganjëherë vdekja është vetëm fillimi

Mesazhe, mesazhe, mesazhe. Nga bota dhe nga vendi. Opinioni shqiptar shpeshherë nuk njihet as me ato, as me këto.

I.

Me rastin e rrëzimit të qeverisë spanjolle këtë javë, në disa medie shqiptare ka qarkulluar vetëm një informacion: që kryeministri i ri i socialt, Pedro Sánchez, ka shërbyer në Kosovë për administratën e UNMIK-ut. As kur ka shërbyer, as çfarë ka bërë…, as si u bë kryeministër. E pra këtë javë në Spanjë, një vend perëndimor i Bashkimit Evropian me një demokraci relativisht të vonuar në krahasim me thelbin e këtij unioni, qeveria e djathtë u rrëzua nga pushteti përmes një votëbesimi në parlament! Për afera korruptive!

Mediet perëndimore janë marrë këtë javë edhe me një politikan të ri spanjoll, Pablo Iglesias, të partisë së majtë spanjolle, Podemos. Për ta ilustruar përafërsisht situatën: Një Albin Kurt spanjoll dhe një Vetëvendosje spanjolle. Së paku Euronews, që është orientimi i Bashkimit Evropian dhe vendeve aspirante dhe mediet më të mëdha zvicerane, që janë nga më të zëshmet në hapësirën gjermanofone e përtej.

Iglesias partinë e tij të themeluar më 2014 e avansoi në forcën e tretë politike të Spanjës. Ai ligjërimin e tij politik e ndërtoi mbi pabarazinë sociale në Spanjë. Tani prej rreth një jave mediet merren me shtëpinë e tij luksoze të blerë rishtas në një lagje elitare të kryeqytetit. Bashkë me partneren e tij, zëdhënëse e partisë, e ka paguar një të dhjetën e shumës prej 600’000 eurove, tjetra është hipotekë. Ai i cili në mënyrë demonstrative shfaqej në banesën e tij modeste në një lagje punëtorësh. Iglesias të hënën i shpëtoi një mosbesimi të anëtarësisë së partisë së tij, ku mori pjesë rreth dy e pesta e saj. Si do vejë fati i tij politik në zgjedhje, mbetet të shihet.

Mediet shqiptare çmenden pas Realit të Madridit. E shumta merren me refuzimin e Spanjës për ta njohur pavarësinë e Kosovës. Mesazhet tjera s’i kapin. I çmojnë si triviale. Ndonëse për t’u integruar në Unionin Evropian lypset një përafrim sensibilitetesh publike.

II.

„T’u harroftë emri!“ mallokojnë shqiptarët. Kjo nëmë ka diçka të thellë. Ajo shkon përtej vdekjes. Sepse me vdekjen nuk mbaron gjithçka. Nganjëherë me të fillon gjithçka. Ajo ndonjëherë është fillimi i namit. E tregon sidomos fati i shumë artistëve,  politikanëve e sidomos martirëve.

Njëlloj Euronews raportonte këtë javë për një gjest interesant: Në kryeqytetin e Lituanisë, Vilnius, një park do të marrë emrin e politikanit opozitar rus dhe kritikut të Kremlinit, Boris Nemezov, i rënë më 2015 në një atentat jo larg Sheshit të Kuq. Në shenjë nderimi për gjithë livizjen demokratike ruse, thuhet në motivacion.

„Ky është një sinjal shumë i rëndësishëm për Kremlinin, se mund ta vrasësh një njeri, por jo edhe kujtimin – vlerat dhe parimet të cilave iu qëndronte ai“, është shprehur me këtë rast një përfaqësues i Fondacionit Boris Nemezov. „Është me rëndsi t’i tregojmë shoqërisë civile ruse dhe demokratëve rusë që ne nuk e harrojmë se çfarë bëjnë ata“, ka vazhduar ai.

Ndërkohë gjesti ka marrë dimenzione të një incidenti diplomatik. Ambasadori rus në Lituani këtë gjest e ka quajtur një demonstrim demagogjik dhe imitim të Washingtonit. Dhe, në fakt, në fillim të këtij viti kryeqyteti amerikan votoi pagëzimin e një sheshi me emrin e opozitarit rus Boris Nemezov. Mu të atij sheshi përpara ambasadës ruse në Washington!

A ka këtu diçka që shkon përtej thelbit të kujtimit dhe mirënjohjes? Gjithsesi para ca kohësh mediet dhanë haberin se rruga në të cilën gjindej ambasada amerikane në Turqi do të merrte emrin „Dega e ullirit“. Aksionit të ushtrisë turke në Siri, i cili ishte këshilluar të mos ndodhte, sidomos nga amerikanët.

III.

Prej dekadash në Gostivar ka një rrugë me emrin Koçi Xoxe! Nuk di ta kishte raportuar dikush ndonjëherë. Prandaj edhe nuk dihet se kur është vënë tamam ky emër. Mendja ma thotë nga fundi i të dyzetave. Pas prishjes së marrëdhënieve shqiptaro-jugosllave më 1948. Një gjetje e gjeniale e regjimit jugosllav: T’i vësh një qyteti shqiptar në Maqedoni emrin e një politikani maqedonas në Shqipëri!

A legjitimohet ky emërim, aq më tepër në një sistem demokratik? Si tipologji ky emërim është një homazh, evokim human, apo një provokim politik?

Sidoqoftë, atë duhej ta kishin hequr të gjitha partitë shqiptare në Maqedoni, nga ajo e Arbën Xhaferit deri te trashëgimtarët e tij të sotëm. Jo sepse Koçi Xoxe ka qenë, sikurse thuhet, pjesëtar i minoritetit maqedonas të Shqipërisë. Por sepse ai ka qenë zbatuesi i planit Shqipëria republikë e shtatë e Jugosllavisë. Edhe kjo mund të mos i duket ndonjë hata dikujt, por ka diçka që s’e lanë asnjë ujë i shenjtë: Koçi Xoxe, si ministër i Brendshëm i Shqipërisë, ka çuar në plumb dhe në litar të gjithë elitën e Shqipërisë së asaj kohe. Me gjyq e pa gjyq. Ato pak intelektualë që kishte Shqipëria, por patriotë të kulluar dhe të shkolluar në Itali, Francë e Austri. Duke përfshirë edhe kunatin e Enver Hoxhës! (Ato orë të liga të Shqipërisë komunistët shqiptarë ishin duke e shijuar hidhur besimin te jugosllavët dhe Hoxha ndërkohë ishte defaktorizuar; në Shqipëri ligjin e bënin pothuajse jugosllavët dhe njëshi i shtetit ishte de fakto Xoxe).

IV.

Këtë emër rruge në Gostivar së paku është dashur ta hiqte partia e Ali Ahmetit, duke qenë se thelbi i njerëzve të organizatës së tij ka një sfond enverist. (Sikurse mbase shumica shqiptarëve të angazhuar politikisht në atë kohë.) Akoma më shumë që prefekti i qytetit nga kjo parti për disa mandate është edhe historian për nga thirrja profesionale.

Le quhet kjo rrugë Sterjo Spasse. Për shembull. Ta marrë emrin e shkrimtarit shqiptar me origjinë nga komuniteti i pakicës maqedonase të Shqipërisë. Edhe për hir të pakicës maqedonase në Gostivar. Veprën e të cilit, nga ajo socrealiste tek ajo „heretikja“, gjenerata të tëra shqiptarësh e kanë bërë si lektyrë shkollore. Birin e të cilit e quajnë Ilinden! Ashtu si do të quhej i tërë vendi i Maqedonisë së sotme… Dhe në shqip, sipas partisë së Ahmetit, do ti thoshin Linditë, a Ilinditë (se s’po merret vesh saktësisht si e stisën)!

Të mos i kalërojmë më larg imagjinatës, sepse asaj nuk i dihet ku të shpie. Por, meqenëse shkon kaq shumë për kontekstin, ta themi edhe një. Rruga kryesore e Tetovës, së cilës qytetarët i thonë „rruga e Gostivarit“, zyrtarisht quhet „ilindenska“. Përse atëherë administrata e partisë që afirmoi se Ilindeni është demek Lindita, e cila e ka Tetovën prej gati dy dekadash, nuk e quajti atë „(i)linditase“? Aq më tepër që kjo çështje bëri kaq bujë kohëve të fundit.