Pasi që kam vizituar 48 ngulimet arbëreshe në Kalabri, Sicili, Kampanjë (Kampanja) dhe në rrethet Avellinos, (Molise), Kampobasos Apulia, Foxhës dhe Tarantos, gjatë këtij turneu 4 ditorë me një ekip prej 5 vetash do të gjendem në Bazilikata, në rrethin Potenxës, në Barilli (Barile), Zhura (Ginestra) dhe Mashqiti (Maschito), si dhe katundin më të ri arbëresh Badhesa ( Villa Badessa) në Abruzio. Në plan edhe Munxhufuni (Montecilfone),një nga katër ngulimet arbëreshe të Molises që nuk arrita ta vizitoj
Teksti e fotot Rexhep Rifati
Me këtë vizitë përmbyll projektin tim jetësor për ti vizituar që të gjitha 53 ngulimet arbëreshe cep më cep, për të finalizuar punën time prej gazetari përmes takimeve me motrat dhe vëllezërit arbëresh që edhe pas afro 600 vjetësh nga largimi tej Adriatikut e Jonit, gjetën forcë titanike për ruajtën e gjuhës, traditave, riteve dhe zakoneve. Madje pa pas shkolla në gjuhën amtare, dhe përkundër kësaj na sollën vepra kapitale.
Filli i shtegtimeve të mija ishte viti 1972, kur si absolventi i Albanologjikut të Prishtinës shkela për herë të parë në Kalabri. Atë ditë e sot, për gjysmë shekulli vazhdova gjurmëve të “gjakut të shprishur”, të atij gjaku që përherë vlon dhe na bashkën kudo e ngado që të jemi. Çdo hap në ato ngulime, sikur më jep energji e përtërinë, madje edhe në këtë vit kur shpresoj të shkeli në të 80-tatë.
Edhe nga ky udhëtim pres shumë kënaqësi e befasi, pasi në Barille dhe në Katundi (Greci) do të vizitojmë edhe lagjet e para ku migruan shqiptarët pas okupimit osman. Me këtë rast falënderoj shoqëruesit e mi, pa të cilët vështirë do të realizoja këtë projekt jetësor. Sa për informim edh unë e edhe shoqëruesit gjitha këto udhëtime i bëjmë me parat tona , pa asnjë donacion, sepse nuk ka para që e paguan atë kënaqësi e ndjesi që e ndiejmë sa herë që jemi në mesin e vëllezërve të një trungu e gjaku.
(Shkrimin po e ilustroi me foto gjatë vizitave në ngulimet arbëreshe në Kalabri e Sicili)