Nga Mitingu i 55 i poezisë në Gjakovë- dy çmime për krijuesit shqiptar në Zvicër

Këtë vit dy çmime erdhën për krijuesit shqiptar në Zvicër: çmimin jubilar të themeluar viteve të fundit e fitoi krijuesi Skënder Buçpapaj, ndërsa çmimin “Yllka Domi” e mori poetja Shqipe Bytyqi.

Tradita e një manifestimi letrarë me zanafillë nga maji i vitit 1964 në Gjakovë, me poetët e shquar Din Mehmeti, Enver Gjergjeku, Jusuf Buxhovi, Besim Bokshi, të cilët hodhën gurëthemelin në ndërtimin e një memoriali poetik, me emrin Mitingu i poezisë, vazhdoi me një sërë aktivitetesh edhe majin e sivjetmë.

Mësojmë se më vonë emra të mëdhenj të letrave shqipe si Teki Dërvishi, Ali Podrimja, e shumë e shumë të tjerë, mbajtën për shumë dekada gjallë shpirtin artistik të këtij manifestimi letrar.

Edhe këtë vit nga 06 maj Klubi letrar “Gjon Nikollë Kazazi”, filloj Javën e Mitingut me promovime të veprave të krijuesve të ndryshëm si: Muharrem Kurti, Migena Arllati, Jetlira A. Avdija, Masar Kupa dhe Shefqet Dinaj. Ora letrare në Bajram Curr, në kuadër të këtij manifestimi vazhdoi të përforcojë lidhjet e krijuesve me Malësinë e Gjakovës si dhe ajo në Junik, nderoi kujtimin e bashkëthemeluesit të saj Din Mehmeti.

Mitingu vazhdoi me debatin tradicional për letërsinë në Tribunën letrare, ku kësaj radhe u paraqiten me kumtesa Dr. Ibrahim Berisha dhe Flutura Açka, me temën “Letërsia dhe politikat ndaj saj”. Më 10 maj, ishe dita kur u shënuan një varg aktivitetesh si dhe në mbyllje të Mitingut edhe Ora Qendrore e Mitingut ku edhe pas leximeve të poezive nga shumë autorë u ndanë çmime të ndryshme: Flutura Açka me poezinë “Gri” e mori çmimin e poezisë së mbrëmjes, ndërsa Xhevdet Bajraj, për librin më të mirë të botuar në mes dy mitingjeve me titull “Vitet që nuk e sollën pranverën”.

Çmimin për pjesëmarrës me emblemën “Nënë Tereza” nga Komuna e Gjakovës, iu nda poetit nga Argjentina Ricardo Rubio, ndërsa Maria Barroso mori çmimin “Lutja e Nënë Terezës” dhe Laura Garavglia mori çmimin “Jubiletë e Mitingut” .Mirënjohja post mortum për kontribut të mitingjeve iu nda poetit të ndjerë Basri Çapriqi.

Këtë vit dy çmime shkuan për krijuesit shqiptar në Zvicër: çmimin jubilar të themeluar viteve të fundit e fitoi krijuesi Skënder Buçpapaj ndërsa çmimin “Yllka Domi” e mori poetja Shqipe Bytyqi.

Mitingu i 55 ofroj shumë aktivitete, promovime e pjesëmarrje të shumë krijuesve vendor, ndërkombëtare si dhe të atyre nga diaspora, ndërsa Gjakova një javë të tërë ishte e mveshur në petk festiv poetik, sikur qëmoti në kohërat e Din Mehmetit.