Nga 46 raste dje, sot 88 raste të variantit të virusit britanik në Zvicër

Virusi i ndryshuar nga Mbretëria e Bashkuar dhe Afrika e Jugut është i pranishëm sot në njëmbëdhjetë kantone zvicerane dhe në Lihtenshtajn, përcjellin gazetat zvicerane. Kantoni Vaud dhe ai i Bernit janë më të prekurit e pas tyre është edhe Gjeneva.

Përktheu e përshtati: MLH, Gjenevë

Sipas Zyrës Federale të Shëndetit Publik (OFSP) të intervistuar nga Keystone-ATS, një rast i ri u zbulua sot për herë të parë në kantonin Solothurn.

Numri i rasteve është rritur ndjeshëm në kantonin e Bernës. Dje ishin vetëm 4 raste kurse sot, pas 24 orëve janë gjithsej  18 raste.

Po ashtu edhe kantoni i Vaudit ka 18 raste sot pas të cilit Gjeneva numëron 16 raste. Cyrihu sot ka 6 raste më shumë se një ditë më parë, gjithsej 13 raste.

Numri i rasteve është dukshëm më i ulët në Valais (7), Ticino (4), St. Gallen (4), Grisons (3) dhe në Lihtenshtajn (3). Një rast i vetëm i variantit është raportuar në Solothurn.

Rasti në rajonin e Bazelit ka të bëjë me një person që banon në Francë, por i cili u testua në kanton.

Sot pra, e premte, më 8 janar Zyra federale e shëndetit publik zvicran njoftoi se ka arritur në 88 numri i të infektuarve me variantet e reja të Covid 19 i cili dje, të enjten, ishte vetëm 46.

Kërkimet e fundit shkencore tregojnë se përkundër veprimit të këtij virusi të ndryshueshëm që është jashtëzakonisht më ngjitës, kjo megjithatë, nuk çon në një rrjedhë më të rëndë të sëmundjes.

Kujdesi duhet të shtohet gjithnjë dhe vetëm respektimi i masave mund të ndihmojë shërbimet shëndetësore që të mos bien në kaos.