Nga 21-23 nëntor :“Ditët e Librit Arbëresh” në Tiranë

Organizatore e kësaj veprimtarie me shumë interes jo vetëm për arbëreshët, është Qendra e Studimeve dhe Publikimeve për Arbëreshët (QSPA). -M e këtë rast, nga  Italia do të udhëtojë edhe një grup studiuesish, autorësh e publicistësh arbëresh i cili  do të sjell një kontingjent të mirë librash, ndërsa që në program, si i ftuar, ditën e dytë do të prezantoj librin: “Arbëreshët fotosintezë e shpirtit tim”.  

Në kuadër të këtij aktiviteti treditor, Qendra e Studimeve dhe Publikimeve për Arbëreshët (QSPA) që drejtohet nga Diana Jup Kastrati, njofton se kjo veprimtari  zhvillohet për herë të parë në Tiranë edhe atë në datat 21-23 nëntor 2022. Bëhet me dije se: Veprimtaria i kushtohet prodhimtarisë studimore, letrare e artistike të autorëve bashkëkohorë të komuniteteve arbëreshe në Itali, duke përfshirë si kohështrirje vitet ’50 të shekullit të kaluar e deri më sot. Gjatë aktivitetit do të nxirren në pah dhe do të shqyrtohen nga afër emrat më të spikatur të kësaj aradhe studiuesish e autorësh bashkë me veprat e tyre.

Në këtë kuadër, veprimtaria parashikon hapjen e një ekspozite të pasur të librave të këtyre dhjetëvjeçarëve, e cila do t’u paraprijë tri ditëve të ngjeshura me diskutime mbi disa prej veprave bashkëkohore, me pjesëmarrjen e vetë autorëve arbëreshë.

Jeni të ftuar të na bashkoheni në këtë veprimtari të librit arbëresh, e cila do të mbahet në mjediset e sallës “Europa” të Fakultetit të Gjuhëve të Huaja dhe në mjediset e QSPA-së, Tiranë. Po ashtu, aktiviteti do të shfaqet live në faqen facebook të QSPA-së.”.

Me këtë rast po sjelli edhe një foto nga disa nga organizatorët dhe pjesëmarrësit nga Kalabria që do të marrin pjesë në këtë veprimtari libri në Tiranë, si foton e kopertinës së librit tim.