Agjenda e sivjetme verore në trojet shqiptare do të jetë e përmbushur me shumë manifestime dhe ngjarje kulturore, për çka portali ynë prointegra.ch do të njofton në hollësi, madje edhe duke qenë pjesëmarrës i drejtpërdrejtë në to.
Në mesin e këtyre ngjarjeve që do të mbahen gjatë muajit gushtë është edhe edicioni i VI i Festivalit Mbarëkombëtar të Folklorit “Rapsha 2022” – Malësi e Madhe , i cili do të mbahet me datat 19, 20 dhe 21 gusht, falë organizimi të mrekullueshëm e të pa shoq që bënë SHKA “Rapsha”.
- Ja edhe njoftimi i kësaj shoqate kulturo- artistike, që drejtohet nga David M. Juncaj : “ Vitin e kaluar, për shkak të pandemisë COVID-19, Festivali u shty dhe do të mbahet këtë vit me datat 19, 20 dhe 21 gusht 2022 në skenën e hapur në Vitojë.
Në Festival do të marrin pjesë një numër i madh i shoqatave nga të gjitha trevat ku jetojnë shqiptarët (Mali i Zi, Shqipëria, Kosova, Maqedonia e Veriut, Greqia, Italia, Zvicra, SHBA, Bujanovci, Presheva). Festivali ka karakter garues dhe shoqatat pjesëmarrëse vlerësohen nga juria profesioniste.”
Përmes një bisede të shkurtër me kryetarin e “SHKA “Rapsha”, David M. Juncaj, që është në krye të organizimit të këtij festivali mësuam se po bëhen përpjekje që përmes vet shoqatës dhe organizimeve të saj, në këtë pjesë të Malësisë së Madhe të ruhen sa më tepër vlerat e mirëfillta kulturore dhe ato në mënyrë sa më autoktone, por edhe kostumet tradicionale, siç është këtu rasti me xhubletën mijëvjeçare.
Përmes këtij bashkëbisedimi mësojmë se për edicionin e sivjetmë të Festivalit Mbarëkombëtar i Folklorit “Rapsha 2022”- Malësia e Madhe, ka një interesim si nga grupet artistike në trojet shqiptare ashtu edhe diaspora, me qëllim që këtu të sillet folklori sa më burimor nga të gjitha trevat, si dhe një interesim të vet publikut, madje në masë të madhe edhe nga vet mërgata jonë e madhe në Perëndim, madje edhe tej Atlantikut, ku edhe jetojnë veprojnë shumë bashkatdhetarë nga Malësia.
( Me këtë rast disa nga fotot që kam shkrep në edicionin e pestë të këtij festivali “Rapsha 2017”- Malësia e Madhe dhe nga shoqërimi SH.K.A. “Rapsha” në festivalet tjera përfshi edhe atë në festivalin “Vëllazëria” në Kazallveqi të në Kalabrisë. Dy foto huazova nga fb i vet “Rapshës”.)