NË ZVICËR U ZBULUA RASTI I PARË I VARIANTIT BRAZILIAN

Dje, e marte, më 09 shkurt, Zyra Federale e Shëndetit Publik zviceran vuri në dukje se rastet e koronavirusit janë në rënie, por variantet po rriten në mënyrë eksponenciale.

 Përkthimi dhe përshtatja: Mirishahe Limani Hiler

Virginie Masserey, shefe e sektorit në Zyrën Federale të Shëndetit Publik (OFSP), ka thënë se rastet po zvogëloheshin në Zvicër. Në një konferencë për shtyp të kësaj të marte ajo tha se rastet janë ulur 16% nga java e kaluar.

Shkalla e pozitivitetit po zvogëlohet, duke arritur 6% për këtë javë, nga 8% sa ishte një javë më parë. Rënia është e dukshme kudo në Zvicër, përveç në rajonin që përfshinë Liqeni Leman, posaqërisht në kantonin e Gjenevës, përcjellë e përditshmja Le Matin.

Në shkallë shtetrore, ka një incidencë prej 233 rastesh për 100,000 banorë. Virginie Masserey kujton, megjithatë, se kjo është bërë “me koston e përpjekjeve të mëdha” dhe se këto masa duhet të vazhdojnë.

Rasti i parë brazilian

Një rast i parë i variantit brazilian sapo është zbuluar, por Virginie Masserey nuk mund të thotë më shumë në këtë kohë, pasi hetimi për këtë rast vazhdon.

Ky variant është tejet shqetësues, sepse mund të shkaktojë ri-infeksione në veçanti. Sidoqoftë, shumica e varianteve në Zvicër mbeten ato të variantit britanik.

“Durimi është i domosdoshëm”, kujton Virginie Masserey. Të afërmit duhet të vazhdojnë të mbrojnë njerëzit me shëndet më të dobët dhe të moshuarit, duke respektuar masat e marra.

“Ne duhet të vazhdojmë përpjekjet tona edhe më tutje”, thotë Virginie Masserey. Dhe për të na paralajmëruar ajo shton: “Variantet mund të na kapërcejnë ne e të tejkalojnë situatën që kemi tani”.

“Kërkesa është shumë, shumë e fortë”

Martin Ackermann, kryetar i Task Forcës Shkencore Covid-19, tha se rastet e varianteve britanike vazhdojnë të rriten në mënyrë eksponenciale, siç pritej.

Situata mund të bëhet shpejt kritike, si në Portugali. Është e rëndësishme që të thyhen zinxhirët e infeksioneve sa më shpejt të jetë e mundur.

”Vetëm duke zvogëluar lëvizjen, ne nuk do të jemi në gjendje të zvogëlojmë ndjeshëm numrin e rasteve. Për ta bërë këtë, të gjithë duhet të vazhdojmë të punojmë së bashku “.

Mjeku i kantonit Vaud, Karim Boubaker, kryetar i Komisionit të mjekëve kantonalë të Zvicres frengjishtfolëse, shpjegoi se më shumë se 12,000 njerëz janë ende në listën e pritjes për t’u vaksinuar vetëm në kantonin Vaud.

“Kërkesa është shumë, shumë e fortë”, thotë ai. Deri në fund të marsit, Vaud duhet të kishte vaksinuar 80% të popullsisë së saj të ndjeshme ( të moshuarit, ata që vuajnë nga sëmundje), vlerëson Karim Boubaker.

Vaksinimi është bërë fokusi i shqetësimit në kantone, por kjo varet nga shpërndarjet e dozave të vaksinës. Puna aktualisht po kryhet shtatë ditë në javë. Karim Boubaker kujton gjithashtu se kantoni i Vaud ka kryer teste masive në vendpushimet e skijimit, ku përzierja e popullsisë është më e rëndësishme.

Nuk ka kontrolle të përhershme

Sipas Christian Bock, drejtor i Administratës Federale të Doganave (AFD), udhëtarët kryesisht i kuptojnë masat, por zyrtarët e doganave kanë të drejtë edhe për t’i dënuar . Aktualisht, nuk ka kontrollë të përhershme, por kontrollat kryhen në makina, autobusë, trena ose në rrugë.

Trafiku ka rënë ndjeshëm që kur kanë hyrë në fuqi masat për të frenuar pandeminë, thotë Bock.