Sot erdhi edhe një lajm i gëzueshëm për komunitetin shqiptar në shtetin helvetik . Edhe atë nga skena e Festivali të Filmit «Movie Day» në qytetin e Romanshorn të Zvicrës, që u mbajt dje dhe sot ( 22-23 mars), në kuadër të edicioni të 11-të i Festivalit të Filmit «Movie Day».
Në këtë festival, siç arritëm të mësojmë,konkurruan dy kategori të realizuesve të rinj të filmit. Edhe atë, në kategorinë A përfshiheshin filmat e krijuesve deri në moshën 16 vjeçe, ndërkaq në kategorinë B ishin filmat e regjisorëve deri në moshën 25 vjeçe, ku mesin e konkurruesve në kategorinë deri në moshën 25 vjeçe ishte edhe filmi «Ninullë» i Adrian Asllanit.
Gjatë ndarjes së çmimeve, anëtari i jurisë z. Aaron Asteria, deklaroi: «Filmi ‘Ninullë’ ka ngjallur një debat të madh brenda jurisë, sepse është një film që ngërthen në vete pikëpamje nga balada e Goethes «Der Erlkönig» e deri te qasja e Frojdit për raportet prindër/fëmijë. Pas diskutimeve të shumta, juria, pa hezituar fare, vlerësoi se ky është filmi më i mirë».
Vlen të përmendet se për filmin «Ninullë» ky është çmimi i pestë që e merr nga shtatë festivale ku është shfaqur deri tani.
Ndaj edhe me këtë rast në emër të redaksisë sonë i urojmë Adrianit edhe realizime të tjera sa më të suksesshme, si shprehje e brezit të ri shqiptar në Zvicër, që edhe në fushën e filmit po arrin rezultate që na bëjnë krenar jo vetëm si familje por edhe si komunitet e më gjer.