Më 𝟏𝟔.𝟏𝟏.𝟐𝟎𝟐𝟐 në Shkup në kuadër të aktiviteteve festive të nëntorit, Universiteti ‘Nënë Tereza’ në Shkup sot në ambientet e Teatrit Shqiptar për fëmijë dhe të rinj në Çarshinë e Vjetër organizoi promovimin e librit studimor të radhës të Prof. dr. Mustafa Ibrahimit ‘Folklori dhe etnokultura shqiptare e Pelagonisë’.
Libri voluminoz, është një përmbledhje me të dhëna nga traditat, doket, këngët, poezitë dhe kultura e shqiptarëve nga Prilepi, Dollneni, Manastiri e Resnja përmban të dhëna që autori i ka mbledhur me pasion për katër dekada, ndërsa nga të pranishmit u cilësua si enciklopedi e vërtetë për Pelagoninë, e vetmja krahinë ku kultura shqiptare nuk ishte shkencërisht e hulumtuar.
Autori i librit ‘Folklori dhe etnokultura shqiptare e Pelagonisë’, Prof. dr. Mustafa Ibrahimi tha se mbledhja e të dhënave për afro 40 vite, ishte një punë e vështirë por e papërsëritshme pasi që shumica e të intervisrtuarve nuk jetojnë më, ndërsa të rinjtë nuk i kanë ato të dhëna që i kishin më të moshuarit.
Autori i Librit, Prof. dr. Mustafa Ibrahimi është profesor në UNT, ish-kryetar i Senatit ndërsa aktualisht është dekan i Fakultetit të Shkencave Sociale.