Brenda dy ditësh në tri kryeqytete, aty ku veproi me tërë qenien prej një patrioti e burrështetasi, personaliteti Hasan Prishtina, po me logen e këtyre kryeqendrave u hapën ekspozita kushtuar jetës dhe veprës së kësaj figure madhore, falë organizimit të ITSHKSH-Shkup, AQSH-Tiranë dhe përfaqësuesit të trungut familjar Hasan Prishtina u th se me Hasan Prishtinën lidhet edhe kauza shtendërtuese e shqiptarëve
Nga Rexhep Rifati
Dje dhe sot në tri nga kryeqytetet ballkanike, ku veproi atdhetarisht dhe la gjurmë të pashlyeshme, me logon “Hasan Prishtina, Hasan Shkupi dhe Hasan Tirana”, u hapën ekspozita me dokumente arkivore, kryesisht të përbëra nga dokumente të kohës dhe fotografi, përmes të cilave pjesëmarrësit në këto evenimenti sikur jetuan për ca çaste bashkë me një nga personalitetet më të shquara por edhe me njërën nga periudhat më dramatike që kaloi populli shqiptar në prag të pavarësisë së Shqipërisë dhe deri në vitet kur edhe Hasan Prishtina kryeministri i tetë me radhë i shtetit shqiptar.
Viti 2021 vit i Hasan Prishtinës
Këto ekspozita që u mundësuan nga Instituti i trashëgimisë shpirtërore e kulturore të shqiptarëve me seli në Shkup dhe Arkivit shtetëror me seli në Tiranë u përfaqësuan edhe me fjalë rasti nga drejtuesit e këtyre institucioneve: Drejtori i IKSHKSH-së Skënder Hasani, i cili tha se ky institut 2021 e shpalli vitin e Hasan Prishtinës, pikërisht në 100- vjetorin e qenies së tij kryeministër i Shqipërisë londineze.
Personalitet që kulmoi sidomos në çlirimin e Shkupit
Ndërsa, Ardit Bido, drejtor i Arkivit Qendror Shtetëror (AQSH), theksoi se Hasan Prishtina është personalitet që kulmoi në çlirimin e Shkupit dhe se Hasan Prishtina ishte deputet shqiptar në parlamentin osman, kur jo të gjithë deputetët që ishin aty ishin deputetë shqiptarë, kishte shumë të cilët ishin deputetë osmanë me origjinë shqiptare, nuk është rasti i Hasan Prishtinës udhëheqësit ideologjik të nacionalizmit shqiptar së bashku me shumë veprimtarë tjerë të Rilindjes”… Po ashtu Bido potencoi se Hasan Prishtina. “ Është individi, i cili frymëzoi kryengritjen e Shqipërisë së Veriut, që kulmoi në çlirimin e Shkupit, Shkupi është çliruar nga shqiptarët, ky është një fakt historik dhe se Hasan Prishtina ka një rol të jashtëzakonshëm”.
Hasan Prishtina, paralelisht në Prishtinë Shkup e Tiranë
Edhe gjatë këtij evenimenti, në Bibliotekën Kombëtare të Kosovës, të cilin edhe e përcolla, Përfaqësuesi i trungut familjar të Hasan Prishtinës, Mehmet Prishtina, potencoi se logoja e cila përmban tre mbiemra të këtij veprimtari, është logo e 100-vjetorit të pavarësisë së Shqipërisë:
“Logoja që e kemi këtu para nesh, Hasan Prishtina, Shkupi dhe Tirana ishte logoja e 100-vjetorit me të cilën rrugëtuam ne një grup familjarësh, të cilët e kanë sjellë këtë ditë që ne sot po e gëzojmë. Pra, Hasan Prishtina është në Prishtinë, Hasan Shkupi është në Shkup dhe Hasan Tirana është në Tiranë. Ekspozita me dokumente arkivore dhe fotografi ekskluzive nga jeta dhe vepra e Hasan Prishtinës që po e shpalosin sot para jush vjen si rezultat i një bashkëpunimit të frytshëm të IKSHKSH-së në Maqedoni me seli në Shkup dhe Arkivit Qendror të shtetit shqiptar”, tha ai Me këtë rast shkëputëm ca fragmente nga fjala e Mehmet Prishtinës, i cili tash e sa kohë është edhe njëri nga komentuesit e aktualitetit të sotëm shqiptar në portalin tonë : “prointegra. ch”, i cili duke fol për këtë aktivitet nënvizoi se:
Vepra e Hasan Prishtinës shumë më e bujshme se në këto fotografi
“Jemi të vetëdijshëm se jeta dhe vepra e Hasan Prishtinës ka qenë shumë më e bujshme dhe më dinamike se sa që del në këto fotografi dhe në këto dokumente, për vet faktin se rruga jetësore e këtij kolosi të kombit nuk ishte e shoqëruar gjithmonë me fotograf, por përkundrazi ajo ishte e shoqëruar me momente sfidash dhe rreziqesh ku ishte vështirë të fiksoheshin në objektivin e fotoaparatit.
Megjithatë historiografia jonë, sidomos arkivistika, arriti të grumbullojë një pjesë të fondit me dokumente dhe fotografi mbi jetën dhe veprën e Hasan Prishtinës dhe pjesë e atij fondi është edhe kjo ekspozitë që po shpaloset sot në Prishtinë.
Veprimtaria e lavdishme Hasan Prsihtinës kap periudhat më delikate të historisë së popullit tonë, që nga vitet e bujshme në prag të shpalljes së Pavarësisë, deri te momentet e fundit të jetës së tij. Ai ishte jo vetëm pjesëmarrës i ngjarjeve kryesore që formësuan idenë e lirisë dhe pavarësisë së popullit tonë, përfshi edhe ditët sa ishte kryeministër i Shqipërisë, por ishte edhe një nga protagonistët kryesor të asaj ideje.
Hasan Prishtina ka qenë kryeministri i 8-të i shtetit shqiptar, ministër i Brendshëm në qeverinë e Ismail Qemalit, ministër i Telegrafëve në qeverinë e Turhan Pashës, deputet në parlamentin shqiptar, 3 herë deputet në parlamentin osman.
Me Hasan Prishtinën lidhet kauza shtendërtuese e shqiptarëve, e cila u bë edhe platformë e lëvizjes sonë kombëtare, e njohur ndryshe si 14- pikëshi i Hasan Prishtinës.
Shembulli më unikal i politikanit
Me Hasan Prishtinën lidhet edhe një dimension tjetër mjaft i rëndësishëm që ka të bëjë me profilin moral e patriotik të politikanit. Hasan Prishtina është shembulli më unikal i politikanit i cili asgjë nuk mori nga politika, por vetëm i dha asaj. Ai është i vetmi pulitkan që nuk hyri në politikë për t’u pasuruar dhe ky virtyt i tij ndoshta ishte pengesë për ato qarqe që nuk iu konvenonte pastërtia morale e njerëzore e tij, prandaj bënë ç’mos që ta eliminojnë edhe fizikisht nga skena politike.
Shkriu pasurinë e vet të madhe për Shqipërinë
Hasan Prishtina e shkriu pasurinë e vet të madhe për Shqipërinë, shtetin shqiptar që sipas tij ishte një shtet me të gjitha trojet. Pasurinë e shkriu dhe për arsimimin dhe dijen e shqiptarëve. Për të vënë në shërbim të kryengritjes për çlirimin e Shqipërisë nga osmanët, serbët, grekët ai shiti shumë nga pasuria e tij dhe e përdori në shërbim të kryengritjes. Ai ndau një buxhet të caktuar nga të ardhurat dhe pasuria e vet dhe financoi shkollimin e shumë djemve nga Kosova për të studiuar në Normalen e Elbasanit. Një profesor i kësaj shkolle u thoshte nxënësve se:ju djemtë e Kosovë duhet të mësoni tre fish për shkak se ua mundëson arsimin Hasan Prishtina.
Fatkeqësisht, Hasan Prishtinën e eliminuan fizikisht, por jo edhe shpirtërisht, sepse emri dhe vepra e tij vazhdon të jetë pjesë e pandashme e idealit të njerëzve të ndershëm të popullit tonë. Emri dhe vepra e Hasan Prishtinës rron në zemrën e çdo shqiptari dhe ata që nuk e deshën të gjallë, sot mund ta shohin të ringjallur në shpirtin liridashës të çdo shqiptari.
Ekspozita që po shpalosim sot argumenton disa copëza udhëtimesh jetësore e politike të Hasan Prishtinës, dhe kjo ndoshta mjafton që të krijojmë një përfytyrim më të përafërt mbi imazhin e këtij udhëtimi, i cili ka qenë i mbushur me ngjarje e ide në të cilat Hasan Prishtina ka qenë protagonist kryesor.
Grafikoni i rrugëtimit të tij politik e atdhetar
Kjo ekspozitë sot para dite është shpalosur në Shkup, kurse nesër do të shpaloset në Tiranë. Jo rastësisht kemi përzgjedhur këtë trekëndësh, sepse ky ka të bëjë drejtpërdrejt me Hasan Prishtinën dhe sidomos me grafikonin e rrugëtimit të tij politik e atdhetar. Shkupi për të ishte pengu i një aspirate të papërfunduar, Prishtina ishte nocioni jo vetëm gjeografik e onomastik, të cilin e përfaqësonte që nga Parlamenti Osman e deri në minutat e fundet të jetës së tij, kurse Tirana ishte vendi ku do të kurorëzohet një pjesë e rrugëtimit të tij politik. Hasan Prishtina më 7 dhjetor 1921 u zgjodh nga Kuvendi Popullor Shqiptar Kryeministër dhe Ministër i Jashtëm.
Krejt në fund iu shprehi mirënjohje të gjithë atyre që kontribuuan në organizimin e kësaj ekspozite dhe mbetemi me shpresë që në ekspozitat e ardhshme të kemi detaje të reja nga jeta dhe vepra e Hasan Prishtinës,. Përfundoi fjalën e tij Mehmet Prishtina.