Në Prishtinë u promovua libri i Pjetër Logorecit, “Histori shkodrane në fotografi”

 

 

Duke i bërë një vështrim këtij libri me peshë të veçantë sa historike aq edhe dokumentare, profesorHazir Mehmeti, kryetar i Lidhjes së Shkrimtarëve dhe Krijuesve Shqiptarë në Austri përkujtoi se ky libër album i pasuruar me fotografi, tregon jo vetëm rolin e fotografëve austriakë në ndriçimin e një periudhe të rëndësishme përmes fotografisë, por edhe angazhimin e një figure të shquar nga familja Logoreci, siç është në këtë rast Pjetër Logoreci, që vazhdon traditën e shkëlqyer në shërbim të kulturës, artit dhe progresit kombëtar.- Ndërkaq, vet autori, Pjetër Logoreci potencoi se gjithë puna për hulumtimin e materialeve, përmes një përkushtimi shumëvjeçar deri të nxjerrja e librit para lexuesve është bërë me mjete vetanake.

Teksti e fotot : Rexhep Rifati

Në Bibliotekën Kombëtare të Kosovës, “Pjetër Bogdani”, sot u bë promovimi i librit “Histori shkodrane në fotografi” i Pjetër Logorecit, që nxjerr në dritë një periudhë shumë të rëndësishme të qytetit të Shkodrës me rrethinë falë fotografëve austriakë, që panë dritën përmes një pune titanike të Pjetër Logorecit, i cili pareshtur hulumtoi arkivat vjeneze të periudhës 1908-1916, epokë kjo e ngjeshur me shumë ngjarje tejet të bujshme.

Vapa e sotme tropikale dhe pushimet vjetore bënë që në promovimin e këtij libri të Veçantë të merr pjesë një numër i vogël pjesëmarrësish edhe atë kryesisht mërgimtarësh. Paraprakisht promovimin e moderoi, Izet Abdyli, sekeretar i Bibliotekës Kombëtare, ndërsa një fjalë rasti e mbajti edhe Selver Islamaj nga Institutii Historisë “Ali Hadri”. Historiani Islamaj veçmas ka folur për rëndësinë që kanë arkivat austriake për vet historinë shqiptare.

Me një vështrim pak sa më të gjerë për autorin dhe vepron foli autori i disa veprave Hazir Mehmeti, njëherësh kryetar i Lidhjes së Shkrimtarëve dhe Krijuesve Shqiptarë në Austri cili përkujtoi se ky libër album, që është i pasuruar me fotografi, tregon jo vetëm rolin e Austrisë në ndriçimin e një periudhe të rëndësishme.

Duke fole edhe në emër të Lidhjes së Shkrimtarëve e Krijuesve Shqiptarë “Aleksandër Moisiu” në Austri, pasi përshëndeti të pranishmit e në veçanti autorin, Hazir Mehmeti potencoi se për te: “Është nder për mua të ju drejtohem sot këtu kur në mesin tonë e kemi njërin nga pinjollët e familjes së madhe Logoreci, nipi i Mati Logorecit, Pjetër Logoreci. Në emrin tuaj e falëndroj për ardhjen e tij duke na sjell sekuenca nga ambienti Shkodran aq i munguar në të kaluarën e izolimit dhe robërisë. Sot   po realizohen pjesë nga fryma e rilindësve tanë të bashkimit fizik e shpirtëror kombëtar. “Çdo fotografi ka kartelën e vet, ku tregohet çfarë paraqet kush e ka bërë, kur është marrë dhe çfarë duket”, ka thënë Mehmeti.

Fotoalbumi Historik “Histori Shkodrane në fotografi” është vepër me vlera kombëtare nga puna e tij hulumtuese 6 vjeçare në arkivat dhe bibliotekat austriake.  Do theksuar , se Pjetër Logoreci, vazhdon traditën e shkëlqyer në shërbim të kulturës, artit dhe progresit kombëtar. Vjena, ku studiuan figura të njohura historike mes tyre edhe Logorecët, e ruan vazhdimësinë edhe në ditët e sotme. Në Vjenë studiuan gjithashtu Kolë e Gjon Logoreci, Kola për ekonomi e financë dhe Gjoni për agronomi.  

 Ndërkaq , vet veprimtaria e Pjetër Logoredci në Austri është e gjithanshme, fillimisht ai u dallua me lojën e tij në skenën e Teatrit Popullor të Vjenës aty ku shkëlqeu me aktrimin e tij para një shekulli Aleksandër Moisiu. Tani Pjetri krahas aktiviteteve të tij në institucionet e kulturës austiake, del me veprën e tij e cila është rezultat i kërkimeve të tij të vazhdueshme në arkivat austriake, të titulluar “Histori e Shkodrane në Fotografi“. Një album i mrekullueshëm e cilësorë i ndarë në 5 kapituj, duke filluar me Shkodrën, jetën, fasadat, personalitete e të përditëshmen e Shkodrës.  

 Aktiviteti i tij hulumtues është i pandalshëm në Arkivin e Shtetit Austriak, Arkivin e Bibliotekës Kombëtare të Vjenës, Gracit, në Arkivin e Bashkisë së Vjenës dhe arkiva tjerë.  Albumi i pasuruar me shumë foto të panjohura, që iu përkasin viteve 1908 deri 1916. Çdo fotografi ka kartelën e vet, ku tregohet çfarë paraqet, kush e ka bërë, kur është marrë dhe çfarë duket.

Veçohet kapitulli i dytë me fotografi nga pushtimi i Shkodres prej Malit të Zi, në të cilat pasqyrohet gjendja e mjerueshme e popullsisë, masakrat ndaj saj, plaqkitjet, vuajtjet në uri, bombardimi e shkatrrimi i qytetit nga pushtuesit. Në liber botohen fotografi nga skenat makabre, vrasjet, kufomat në këtë luftë për mbrojtjen e qytetit, ku çdo familje shkodrane kishte një person të mbetur në llogoret e Taraboshit në mbrojtje të territorit, dinjitetit dhe nderit shqiptar.  Ai i nxjerr për publikun e gjerë ato momente vuajtjesh përmes fotografive që flasin aq shumë. Ato janë porosi gjeneratave që të mos harrohet kurrë vuajtja dhe lufta e kombit për liri.

           “Kur kam parë fotografinë e Portalit të Katerdrales së Shkodrës që mban emrin Shën Stefan, të njëjtë si Katedralja e Vjenës, kam mbetur i shtangur. Portali është një vepër arti, i punuar nga dora e Kolë Idromenos, me financimin e Austrisë e cila ka financuar edhe në ndërtimin  Katedralës së Shkodrës. Për të shmangur abuzimet me financimet në ndërtimin e objekteve, konsullata austriake në Shkoder ka dokumentuar në fotografi të gjithë objektet e ngritura me këto donacione. Kështu gradualisht nga aty më lindi frymëzimi që të bëja një album për Shkodrën, edhe pse e dija që ishte vështirë, këkonte kohë, mund dhe shpenzime.” -shprehet autori.  

           Siç shihet nga dokumentet dhe fotografitë e panjohura që sjell libri, Idromeno kishte realizuar shumë vepra arti të cilat u dëmtuan në kohën e komunizmit, bie fjala tavani i Katerdrales i gdhendur me dru, shtatoret e ndryshme apo pikturat murale.  Përveç Katedrales, Shkodrën e stolisin dhe shumë fasada të njohura e madhështore siç ështe shetitorja kryesore e qytetit apo objekte të tjera disa prej të cilave u shkatërruan në kohën e komunizmit.

Shumë ndërtime të bukuar që ka Shkodra dalin të ideuara dhe të punuara nga Kolë Idromeno, por edhe nga Gjergj Fishta dhe qyteti iu detyrohet shumë këtyre njerëzve, sidomos Idromenos.  Autori shprehet i zhgënjyer nga indiferenca e pushtetarëve të Shkodrës dhe e shtetit,  ndaj varrit të Idromenos apo të Marubit e një sërë personalitetesh të tjera, në varrezën e Rrmajit, që janë lënë të degraduara plotësisht. Këto emra të mëdhej të kulturës e shqiptarizmës janë kyçi i kulturës shkodrane dhe nuk duhen lënë në harresë, duhet të gjendet mundësia që objektet ku eshtrat e tyre prehen në amshim, të restaurohen.

      Albumi është një kujtim me vlerë i një kohe të shkuar dhe homazh ndaj figurave madhore historike nga ajo periudhë.  Është porosi për brezat që vijnë mbi nevojën e vlerësimit dhe respektit të luftës heroike për liri dhe progres kombëtar ku Shkodra është dalluar gjithnjë për aktivitetin e ndihmesen e saj në themelimin e kulturës e tabanit kombëtarë.

Sot promovimi i një vepre të tillë këtu e nderon Prishtinën dhe Bibliotekën Kombëtare theksoi më tej Hazir Mehmeti i cili solli pata të pranishmëve në pak rreshta edhe biografin e e autorit Logoreci:

Pjetër Logoreci ka lindur në Shkodër më 1956. Pasi ka kryer gjimnazin dhe shkollën e mesme industriale në Shkodër, ka kryer edhe shërbimin ushtrak në Tiranë. Ka punuar në Shkodër, kur kreu edhe kursin për aktor në studiot e Teatrit “Migjeni” në Shkodër, dhe më pas në Tiranë. Ka marrë pjesë në grevën e urisë së të persekutuerve politikë në shtator 1991. Në nëntor 2012, është nderuar me titullin “Mirënjohja e Lurës” për kontributin e tij në gjetjen dhe riatdhesimin e eshtrave të Imzot Nikollë Kaçorrit. Pas ardhjes së demokracisë, ai ka përfunduar edhe degën për Drejtësi në Universitetin “Luigj Gurakuqi”, Shkodër, 1997.
Në Austri, pasi perfeksionoi gjuhën, filloi të integrohej në shoqërinë austriake, vjeneze, ku punoi në disa punë të ndryshme si praktikë juridike në gjykatën penale dhe të punës, si nëpunës në Arqipeshkvinë e Vjenës, si punonjës social, apo si pjesëmarrës në Teatrin popullor të Vjenës apo në Muzeun e Arteve. U dallua me publikimet e tij nga puna e tij hulumtuese. Sot vjen me veprën e tij të re. I nderuari mik, Pjetër Logoreci! Ju përgëzoj për veprën e juaj me rëndësi për kulturën dhe historinë kombëtare!
Shëndet e shumë vepra të reja në vazhdim!”

Ndërsa vet autori Pjetër Logoreci, duke përshëndet të pranishmit, përkujtoi se gjithë puna disa vjeçare për hulumtimin e materialeve, përmes një përkushtimi shumëvjeçar deri të nxjerrja e librit është bërë kryesisht me mjete vetanake.