Në Prishtinë: më 7 gusht- edicioni i gjashtë, “Promenadë Mërgimtare 2019”

388

Nga Rexhep Rifati 

Se si do të rrjedhë, edicioni i sivjetmë i gjashtë me radhë i festivalit “Promenadë Mërgimtare”, që edhe këtë vit po organizohet nga Lidhja e Krijuesve Shqiptarë në Mërgatë (LKSHM) e që do të zhvillohet më 7 gusht për këtë do të mësojmë më shumë si nga programi tashmë i publikuar ashtu edhe nga një bisedë e kryetarit të kësaj shoqate z. Hasan Qyqalla dhënë gazetës “Zëri”.

Ai tregon se edhe sivjet: Shkrimtarë e dashamirë të fjalës së shkruar do të mblidhen bashkë për të prezantuar librat e rinj para audiencës kosovare. Hasan Qyqalla, potencon se: Këtë vit po shënojmë edicionin e gjashtë të festivalit ‘Promenadë Mërgimtare’. Festivali po nis me këmbë të mbarë, interesimi që po na shfaqin deri tani për të marrë pjesë në festival gëzon shumë mirënjohje e respekt. Kjo vlerëson edhe punën që kemi bërë deri tani dhe vazhdimin e aktiviteteve më tutje”, vlerëson ai, ku më tutje thotë se ky festival është kontribut i madh për kulturën.

Gjithashtu,  konsideron se Lidhja e Krijuesve Shqiptarë në Mërgatë (LKSHM) tanimë ka krijuar identitetin e vet, qoftë si trup organizativ produktiv, po ashtu edhe si kor kompozicional, që ruan trendin drejt synimeve të projekteve të reja. Ai thekson se “Ditët e Diasporës”, që organizohen në koordinim institucional me Ministrinë e Diasporës dhe të Investimeve Strategjike, këtë vit shënojnë me sukses edicionin e gjashtë të kësaj ngjarjeje. “Si LKSHM çdo vit organizojmë festivalin tradicional ‘Promenadë mërgimtare’, në të cilin shpallim konkursin letrar për gjithë krijuesit mbarëkombëtarë. Aty, përveç shkëmbimit të eksperiencave, këmbejmë librat dhe kështu intensifikojmë bashkëpunimin tonë. Pra krijimet e mërgimtarëve gjenden në gjithë hapësirat tona kombëtare”.

Mësojmë gjithashtu se edhe këtë vit festivali poetiko-letrar “Promenadë Mërgimtare 2019” ndahet në dy pjesë dhe atë në promovimet e titujve dhe të autorëve të rinj, si dhe ora letrare me karakter garues. Ndërsa, evenimenti fillon në orën dymbëdhjetë në bibliotekën kombëtare “Pjetër Bogdani” në Prishtinë. Sipas tij, ky festival do të ketë kryesisht karakter promovues dhe prezantues.

Ndërsa, pjesa e dytë fillon më 7 gusht, në orën katër të pasdites, ku shkrimtarët takohen para Bibliotekës Kombëtare në Prishtinë për të vazhduar me realizimin e agjendës. “Prej këtu vazhdojmë për në vendin e prenotuar nga MDIS-ja me orën letrare. Me këtë rast dua t’i njoftoj gjithë krijuesit nga hapësira jonë kombëtare, që kanë të drejtë të marrin pjesë në orën letrare me punimet e tyre, të shtypura në letër. Pra, kërkohet të jenë punime të pabotuara më parë, që të gëzojnë të drejtën për garë. Pra vetëm poezitë e shtypura në letër mund të futen në konkurrencë. Jo edhe ato që lexohen nga celularët, librat ose forma të tjera. Juria zgjidhet aty për aty nga të pranishmit”, njoftoi Qyqalla për “Zërin”.

E veçanta tjetër është se: “ që nga viti i kaluar LKSHM-ja ka vendosur që çdo vit të shpallë romanin më të mirë, sikur edhe vëllimin poetik, tregime për fëmijë, piktura të vitit etj., që vlerësohen nga një juri profesionale dhe shpërblehen me “Medaljonin e Lidhjes së Krijuesve Shqiptarë në Mërgatë”. Ndërkaq sipas tij që nga ky vit do të zgjerohen edhe gjini e fusha tjera krijuese, shembull për të zgjedhur fotografinë e vitit, aktorin e vitit, këngëtarin e vitit … etj.  Përndryshe, Lidhja e Krijuesve Shqiptarë në Mërgatë (LKSHM) numëron 120 krijues aktivë nga mbarë bota e emigracionit shqiptar.

Në fund, do shtuar se nga manifestimet e mëparshme që kam përcjell, nuk kanë zënë vendin e duhur ne mediat kosovare, veçmas në ato të televizioneve që pretendojnë të jenë kombëtare, kur kihet parasysh se ç ‘rol luanë kjo shtresë e krijuesish, jo vetëm si potencial intelektualësh por edhe si ambasador dhe misionar kulture në botën Perëndimore. Të shpresojmë që kjo dukuri nuk do të përsëritet!

(Me këtë rast, bashkë me programin po japim ca foto nga takimet në Kosovë apo në mërgatë)