Në poezinë e Musa Jupollit, kapilarët e vargjeve pikëzojnë idioma klasike e romantike

 

Titulli: „Dielli im në mërgim“
Autori Musa Jupolli
Vështrim: Duke vozuar në vargjet e autorit.

Milano, 3 Mars 2026

Në poezinë e poetit Musa Jupolli, kapilarët e vargjeve pikëzojnë idioma klasike e romantike e. Dielli , për autorin nuk është thjesht planet, por një  ATON (At-jon)  ku dy horizontet  qielli dhe toka përmbledhin Dardaninë e tij,  Gadishull ilirik. Ai ( Dielli) është i vetëm,  ku çdo shqiptar betohej për këtë diell. Pagan e quheshin pellazgë.

Autori, nuk  bie në  ëndërra , por zhyt Diellin në gjumë, ( e animison). Mbi qepallat e tij mbështeten  Bjeshkët e hijshme,  e në beben e syrit  eklipsohet në Dardaninë fisnike. Përqark , është një kopsht, dhe nuk është ai i Edenit, por as i zanave, Përroi i kishës, lumi i Llapit, Vjosa,

Në faqe një pikë loti, qielli i jep kaltërsinë, hëna i jep nuancat e kuqe , dy ngjyra kuq e blu, dhe  hijet e natës një zhgabë. Plisi mbi krye e flet gjuhën e Gjergjit.  Amaneti i tim Ati, dëshmi në diell: Për këtë tokë e për këtë qiell jemi lutur gjithë jetën! Toka juaj është Dardania- shton mëma.    

Janë shekuj që  me regatën e tij autori  ngjitet në dallgë. Edhe Buna ka dallgë, në shushritjen e saj, ndihet diafragma ilire. Hyjnitë aty jetonin, mes veti bisedonin.  Frymon Uliksi, Enea,  Aleksandro, Pirro e Gjergji.  Ndeshet me Konicën që nuk pëlqen detin e hipokrizisë, përqafon Nolin e mëncur, dhe poeti rebel hedh vargjet  mitik dhe epik  nën  forcën e një tsunami: “Besa“.  Përqark esklamcion baladash.  Zanat me flokët e gjata si ujvara.  Hajgare, lozonjare,  mitologjike e racionale. Pasthirrma  “Emnesë”.  Të bardha dhe të zeza. Racionale e irracionale, mendja dhe zemra. Harmonia.

I kanë të gjitha ngjyrat.  viti 81, 1999-të. Mbizotëron lulëkuqja e 1999.  Diku notat e Beethhoven përziheshin me sferat e njomta të shpirtit të lagësht të arbërit. Ishte partitura më e bukur që kishte dëgjuar; Atdheu im!  Mbi tavolinë  loja e shahut. Ushtarët ishin  bardh e zi  e arma e tyre mbante Vulë shqiponje dhe fitorja parullën: Feja e shqiptarit është shqiptaria.

Për Darkën e Lamës. Është sofra e rrumbullaket, është më e hershme dhe më demokratike  se  tryeze e mbretit  Artur ku nuk ka gjerarki. Si një diell, përqark  vajza dardane që vallëzon me djalin nga Tirana, vajza Çame si Buna dhe Drini me petkun e bjeshkëve në kallnur, e  me pranverë të praruar e veshur. Djaloshi nga Ilirida me plis e tirqe  e arbëreshja e Italisë si  Andramaka e derdhur në ar. 

Kur dielli qan, hëna me lot mallkon dhespotët.  Fonetika vallëzon  në dramën e saj  kombëtare. Si Sokrat i vuajtur poeti  rrëfen : Moj Dardani. Molle e kuqe. Molla e Sherrit. Askush nuk dëgjon.  

Dallëgët çuditërisht shtohen, shqiptarë ndarë në taborë, Oqean në anije pa kapiten. Ngulfohen në ideologji, beteja të humbura. Krijojnë mure transparente, të lëgshme, të kripura, të hidhura.  

Poeti  këndon me lirën e kreshnikëve dhe  lidh me fije ylberi  vargjet Shajokci im, Llapi i sofrës bujare, Mesiana ime. Malli për to apostrofohet në presje loti dhe  i s’ëndërron me nota vaji : Kur Lulet  vaditen me lot, ato nuk këputen! Lule që shndërrohen si tulipana kripe.

Vargjet mbajnë një rezonancë amplitudë e mbartin karakterin  e epikës dardane. Legjenda Jashari, Sali Çeku, Agim Ramadani… mendime që  rumbullakëson në; Oda ajo e Junikut, e  Odë Pellazge .Kryqëzime të krajleve me djallin, shikime që vrasin flamurin… Fëmijë të vrarë, foshnje dardane, gra të përdhunuara. Dikush ende pa emër. Dikush ende pa faji. Në atë  vorbull  vargjet e dashurisë shkruanin emrin e lirisë.

Shumë nuk flasin-thotë autori- dhe dënon shoqërinë e sotme dardane që feja kthehet në tendencë, apo prapambetja patriarkale mbretëron: “Ne të pafajshmit mbushur me mëkate; Meshkujt zotëra e femrat shërbëtore.  Në hamam të Prishtinës dëfrehen predikuesit” e shumë marrin rrugën e mërgimit.    

Poeti vizaton Autoportretin Shqipëri- Dardani. Kosovën e lë me Borë dhe Shqipërinë dimër. Ai gdhend në vargjet e tij një komb ku ëndërron një atlante pa kufij e dogonë. Një mbretëreshë të veshur  me të njëjtën flamur që luftuan si komb: Kuq e zi.

Arbëria, është vendi  ku Poeti frymon lirshëm. A.B.C-në  e filloi në Manastir, dhe duke u rritur çdo pëllëmbë toke përshkoi. Mbërrin edhe  në Vlorë,Ismail Qemali për ditëlindje Flamurin  amanet, e Hasan Prishtina nga Shkupi Letër i dërgoi.    

Gjuha për autorin është tingulli  i artë që  pagëzohet në “ Ë”. Në asnjë alfabet ky tingull  leader i rrallë i germave  rrënjon.  Emblema e  Lashtësisë së gjuhës;Kalë, Mal, Lumë.

Janë një sërë miqsh të cilët autori si një kurorë i radhit me emra duke iu dhuruar atyre gjënë me të shenjtë kohën dhe atë pjesë më të bukur të shpirtit poetik duke e shkrirë mes kujtimeve të tij:  Martin Camaj,  Nexhmie Pagarushes,Ismet Bugojevcit, vargjet  e mikut Mentor Thaçi.

Vëllimi poetik është e ndarë në katër pjesë. Poezitë në brendi nuk janë të shpërndara sipas një  teme të caktuar, por të shkrira, të cilat i japin  “up- down”  strukturës për të mos qenë lineare, edhe pse autori i ka pagëzuar me një titull. 

Vargu është i lirë, i hapur, herë herë ndeshim vargun prozë poetike, atë të rrëfyerit, ku dalin elemente antropologjike, simbolike, po edhe ato letrare historike.  Autori me stilin e tij  arrin të ndërtoj në varkun e mendimit epik  të ndërthuri  liriken sensuale.   Një pjesë të poezive janë të përkthyer edhe në frëngjisht.

I uroj autorit rrugëtim të mbarë këtij vëllimi poetik.

Ornela Radovicka

Qendra albanologjike për gjuhën dhe kulturën arbëreshe, themeluar nga Atë Bellusci 1980.