Në përmbyllje të fejtonit për mësuesit e Shqipërisë etnike, falënderim për inkurajim e bashkëpunim (31)

 

 Sot në vazhdimin e fundit të 31 me radhë, kushtuar qindra mësuesve që u shpërndanë si flakadan në mbarë hapësirën etnike, duke falur jo vetëm dijen por edhe rininë, një falënderim për të gjithë ata që më inkurajuan apo dërguan foto te rralla, të ruajtura me dekada nga fëmijët apo nipat e mbesat e atyre mësuesve të devotshëm.- Ishte kënaqësi që përmes këtyre shkrimeve, njoha disa nga pasardhësit e këtyre mësuesve, si dhe faktin se mjaft nga ta ruajnë lidhjet me njëri tjetrin.

Shkruan: Rexhep Rifati  

Në përmbyllje të fejtonit kushtuar qindra mësuesve, u përpoqa të jap një kontribut sado të vogël për punën e madhe të atyre pishtarëve të devotshëm që në rrethana aspak të favorshëm në lulen e tyre të rinisë u nisën në shtegun e shpresës për tu dhënë dritë e dije motrave dhe vëllezërve të një trungu, gjaku e flamuri me shpresën se një ditë do të jenë së bashku edhe brenda një hapësire të përbashkët gjeografike e jo vetëm etnike. Dhe në këtë punë që bëra në këtë moshë që kam, rezultati final doli se unë më shumë përfitova se sa ofrova. Pasi që në fillim planifikoja së shumti një seriali dy javor, por ai po përmbyllet sot, plot pas 31 ditësh, falë edhe materialeve, qoftë shkrimeve apo fotove të rralla që më dërguan fëmijët apo nipat e mbesat e atyre mësuesve e mësueseve që nga viti 1941 e këndej shërbyen në gjithë hapësirat shqiptare.

Nuk mund e të mos i përmendi me radhë: 1) Bardhyl Adem Selimin të birin e mësueses titanike, Vezire Gjiraku Mezini, 2) Cen Dylgjerin të birin e mësuesit, Hasan Dylgjeri, 3) Ylli Krekën, të birin e mësuesit Selami Kreka, që ende jeton në Korçë. 4) Veteranin e arsimit ferizajas, Ibrahim Hysenin, i cili dhjetë ditë më parë ndërroi jetë e që më dërgoi shënime për mësuesit që shërbyen në Ferizaj me rrethinë, 5) Kolegun, Xhevat Mustafa nga Tirana, që më njoftoj e shkroi për mësuesen Nevzate Çiçko Shporta nga Korça që punoi në Prizren, 6) Sadik Shportën, djalin e mësueses Nevzate Çiçko Shporta; 7) kolegun tim nga “Rilindja”, Ismail Arsllani për materialin për mësuesit që shërbyen në rrethinën e Tetovës, 8) Ismet Azizin për mësuesit që shërbyen në Pazarin e Ri, gjegjësisht në Sanxhak, 9) Veli Shyhejen nga Elbasani të birin e mësuesit Ymer Shypheja, 10) Arben Llallën, historian dhe publicist nga Elbasani për shkrimet e tij për mësusit që sherbyen në Prefekturëne Dibrës   11) Hamza Halabakun për

mësuesin Stathi Kosotari, 12) Pianisten e mirënjohur në Gjenevë të Zvicrës Ermira Lefort, e cila dje përmes një postimi të saj, pos tjerash potencon se: “Cikli juaj historik i shkruar për dijen, shkollat ,mësuesit e kontributet nga gjithë trevat shqiptare, është një antologji historike më vete, për institucionet, shkollat, profesionin e mësuesisë dhe figurat idealiste e kontribuuese të saj”.

Duke iu falënderuar të gjithëve për bashkëpunim, por edhe autorëve që janë marrë me këtë temë, e që kam huazuar ndonjë fragment nga ta, duke shpreh kënaqësinë time të veçantë që pata rastin përherë të parë të mësoj edhe emrat e shumë pasardhësve të këtyre mësuesve, me shumë nga të cilët edhe u miqësuam në fb. Kënaqësia tjetër e veçantë ishte se shumë nga ta madje jo vetëm djemtë e vajzave të ish-mësuesve por edhe nipa e mbesa mbajnë lidhje mes vete, duke e vazhduar miqësinë, falë prindërve apo gjyshërve që bashkërisht punuan në të mirë të shkollës shqipe, por edhe të kombit përgjithësisht, kudo në tokat shqiptare.

Propozimi që të ngritët një lapidar në Prishtinë apo qoftë edhe pllaka  përkujtimore në Prizren apo Tetovë për mësuesit që shërbyen gjatë dhe pas Luftës së Dytë botërore, do të doja të mos mbetet vetëm ide e imja por që të gjej një përkrahje më të gjer të institucioneve arsimore- shtetërore dhe individëve me ndikim të veçantë.

Me këtë rast po jap ca foto nga takimet e mija me djemtë e mësuesve apo mësueseve nga Shqipëria që punuan në Kosovë si dhe një foto me artisten Ermira Lefort që i dedikoi një postim të veçantë punës sime rreth këtij fejtoni.