Kësaj radhe nëpër Dalmaci, në misionin tim në gjurmim të kaluarës dhe të sotmes sonë në këto troje, u gjenda i vetëm në shtegtime! Sepse pikësynim kisha regjistrimin e aktiviteteve të “Javës së Arbneshëve”, të ngulitur këto rreth tre shekuj më parë, por hasa në dësmi më të vjetra, që ndërlidhen dukshëm me lashtësinë tonë.
Nga Rexhep Rifati, ekskluzivisht për portalin: prointegra.ch
Zarë, 8 Maj 2019 : Por, sot u binda se arbneshët nuk kanë migruar në një tokë të huaj, por në një vend që ka qenë truall i stërgjyshave të tyre, por edhe i ne tjerëve përgjithësisht. Gjithë këndej kah shtrihej ILIRIA.
Më konkretisht, sot arrita të mësoj e të prek, diçka që ka qenë e ditur edhe më parë, por jo edhe në këtë masë për mua së paku: Sepse ajo që pashë në Muzeun Arkeologjik të Zarës: shumë gjëra faktike për paraardhësit tanë të shtrirë edhe në këto troje, e që dëshmohen me gjurmimet e kryera në disa lokalitete nga të cilat edhe janë sjell këtu artefakte, që ruhen e prezantohen edhe me fjalë e foto. Ky muze ndodhet në qendër të qytetit i rrethuar me shumë objekte lashtësie që nga antika e këndej, e ku pos Ilirëve edhe popujt tjerë natyrisht, më shumë si pushtues kanë ardhur këndej, duke i tkurr apo edhe shkrirë mjaft nga fiset ilire, nga të cilët krahas shqiptare rrjedhin edhe popuj që edhe më tej jetojnë në këtë anë.
Një nga burimet e para që hasa sot ishte vizita në Muzeun Arkeologjik të Zarës, një muze trekatësh ku ruhen artefakte nga periudha të ndryshme që nga parahistoria e deri në ditët e vona. Interesimi im, natyrisht ishte për periudhën dhe shtrirjen e Ilirisë në këtë anë, ndaj edhe me objektiv i kapa sidomos këto gjurmë dhe objekte.
Në një kaptinë të tërë shkruhet për Ilirët, shtrirjen e tyre në këtë pjesë të Dalmacisë ku thuhet se nga popullsia ilire, rrjedhin disa fise me ngulmë në këtë anë, emrat e të cilave mund të shpjegohen vetëm epërmes ilirishtes dhe se shqiptarët e sotëm janë pasardhësit e sigurt të ilirëve.
Për të mos hy më thellë në këtë fushë, pasi nuk jam njohës i saj, por vetëm regjistroj me objektiv ato që shohë bashkë me objektivin e kamerës sime. Ndaj edhe duke mos dashur të ndajë asgjë për veti, pasi nuk kam me i çua në varr, po ua ofroj edhe ju miq të respektuar disa nga ato regjistrime që bëra në këtë muze arkeologjie e lashtësie të Zarës, me falënderim personelit që më lejoj të fotografoj gjithçka ruan ky muze, çka nuk ka ndodhë edhe në muzeun historik të Tiranës, që jo vetëm ma kanë marr aparatin por edhe më kanë përcjell në çdo hap, duke më thënë se nëse duhet të shkrepësh një foto duhet të marr leje në ministrinë përkatëse!