Në Lozanë filluan transferimet e pacientëve midis spitaleve

Sot pas masave të reja përforcuese për ta luftuar shpërndarjen e Covid 19 që ishin marrë nga kantoni i Friburgut, kishim njoftuar se nesër edhe kantoni Vaud do të përforcojë masat mbrojtëse. Mirëpo, duke e parë gjendjen alarmante në kanton, qeveria e tij ka marrë masa që sonte, një ditë më parë me qëllim që të reagohet sa më shpejtë që të jetë e mundur. Nuk pret deri nesër! Masat janë të ngjashme me kantonet fqinje ku veçmas vihet theks që njerëzit të cilët nuk janë të po të njëjtës shtëpi të mos takohen në mes vete.

Përkthimi dhe përshtatja, Mirishahe Limani Hiler

Kurba e shtrimeve në spital e lidhur me koronavirusin e ri po rritet në kantonin Vaud. Për t’u kujdesur për të gjithë pacientët, është ngritur njësia koordinuese për kujdesin intensiv dhe janë kërkuar ndihma nga klinika private.

 Mbushja e spitaleve me pacientë

Numri i shtretërve në spitale është i kufizuar dhe aftësia për të ofruar kujdes për ata që kanë nevojë për të tani është arritur,” tha dje Nuria Gorrite, presidente e Këshillit të Shtetit të Vaudit. Rachel Perret, zëdhënëse e Qendrës Spitalore Universitare Voduaze, vërteton këtë vëzhgim: “Shifrat po ndryshojnë orë pas ore, por ne tashmë kemi kaluar kulmin e të shtruarve në spital, të arritura këtë pranverë”.

Këtë të martë, Spitali universitar i kantonit Vaud (CHUV) kishte 173 pacientë pozitivë për Covid-19, përfshirë 37 në kujdesin intensiv. “Kjo është dyfish në krahasim me javën e kaluar,” thotë zonja Perret. Fluksi i pacientëve të rinj është eksponencial në kanton, ku ka mesatarisht 50 raste të reja që shtrihen në spital brenda një dite, por ky fluks është edhe në të gjithë Zvicrën ku flitet frëngjisht. Për të kompensuar mbushjen e kujdesit intensiv, spitalet e territorit frëngjishtfolëse kanë ngritur një njësi koordinimi në mes të tetorit, njofton sot më 3 nëntor e përditshmja Le Temps.

Shmangni nevojën për të përzgjedhur të sëmurët

Kështu, brenda një jave, tetë pacientë nga Valais, Jura, Neuchâtel dhe Fribourg u transferuan në Lozanë dhe në Spitalin Universitar të Bernës. Drejtuar nga CHUV, kjo njësi synon të shpërndajë përpjekjet midis shërbimeve të ndryshme të kujdesit intensiv të kantoneve frëngjishtfolëse. Ajo luan rolin mbështetës për të lehtësuar diskutimet dhe transferimet e pacientëve. Ky koordinim në mes të kantoneve që synohet të jetë i mjaftueshëm për të siguruar kujdesin për të gjithë pacientët, do të jetë efektiv vetëm nëse “popullata pranon pjesën e saj të përgjegjësisë duke kufizuar përhapjen e virusit”, këmbëngul Këshilli i Shtetit të kantonit Vaud.

Nëse asgjë nuk ndryshon, situata do të bëhet e paqëndrueshme. Nuk duhet të vijmë në atë përfundim se duhet të bëjmë zgjedhje se kush duhet të trajtohet në spital dhe kush jo. ”