Në kullën-muze në Dubovik, ku kitara e Jusufit ruan tingujt e lirisë

318

Përmes këtij prezantimi modest në shtëpinë kthyer në muze në Dubovik të Deçanit, me rastin e 38 vjetorit të rënies në altarin e lirisë, kujtojmë vëllezërit Jusuf e Bardhosh Gërvalla, realizuar përmes fotove të shkrepura në shtëpinë apo kullën e kthyer në muze të vëllezërve që u flijuan në altarin e lirisë 

Teksti e fotot:  Rexhep Rifati

Pasi kisha vizituar disa herë Dubovikun e Deçanit, ku edhe lindën e zunë shtat vëllezërit Jusuf e Bardhosh Gërvalla, ku me miq kishim bërë edhe homazhe në varrezat e dy dëshmorëve dhe Nënës Ajshe, preokupim me mikun dhe shkrimtarin Muharrem Blakaj derisa ishim në Zvicër, kishim, vizitën në shtëpinë apo kullën e porsahapur të vëllezërve Gërvalla.

Koha kur Jusufi i binte kitarës në shkallët e “Rilindjes”  

Dëshira ime ishte që të shoh edhe njëherë kitarën, që me aq mall e mjeshtëri e luante Jusufi derisa punonim në gazetën “Rilindja” dhe kur Jusufi mbështetej në shkallët e drunjta të redaksisë dhe përmes shpirtit të tij prej këngëtari e poeti i kallte ndonjë melodie që të dridhte në shpirt të padëgjuar më parë. Atëbotë askujt nga ne kolegët nuk na shkonte mendja se një ditë po ajo kitarë do të kishte një përfundim të atillë, që të bëhet një relikt i rrallë muzeal, e që pronari i saj të kthehet në flakadan lirie.

Përmes këtij prezantimi sado modest në shtëpinë kthyer në muze ne Dubovik të Deçanit,  rastin e 38 vjetorit (17 Janar 1982), të rënies në altarin e lirisë kujtojmë vëllezërit atdhetar e poet, Jusuf e Bardhosh Gërvalla.

Një vizitë sa mbresëlënëse aq edhe mallëngjyese

Ishte pikërisht 8 Nëntori i vitit 2018, kur edhe me një grup miqsh nga Kosova, Maqedonia e mërgata i bëmë një vizitë kullës së vëllezërve Jusuf e Bardhosh Gërvalla dhe Nëna Ajshe, që u shkrinë e flijuan për të lirinë dhe të ardhmen e Kosovës.

Në Dubovik të Deçanit, aty ku lartohet kulla e familjes Gërvalla me plot bujari na priti çifti Xhevat dhe Ajmone Gërvalla, familjarë të Jusufit e të Bardhoshit, që jetojnë afër këtij muzeu e të cilin e mirëmbajnë dhe që vazhdimisht i hapin dyertë e kësaj kulle, që zen një vend të lavdishëm në historinë më të re të Kosovës. .

Për këtë vizitë nga Shkupi na u bashkua inxhinieri Jakup Reka, romancieri Muharrem Blakaj, me banim në Zvicër, poeti nga Peja Agim Desku dhe profesori Xhelal Ramqaj nga Istogu. Me këtë rast kullës- muze i dhuruam disa nga botimet tona, ndërsa që Muharrem Blakaj evokoi edhe ca kujtime nga koha kur në këtë shtëpi me Jusufin e moshatarë të tjerë, zhvillonin aktivitet ilegal. Pas vrasjes së vëllezërve Gërvala e Kadri Zekës, Muharrem do tua kushtojë edhe njërin nga romanet e tij.

Duboviku, katundi që bëri histori në lirinë e Kosovës

Përmes vizitës në dy kullat e Kompleksin Memorial të Vëllezërve Gërvalla, si dhe të vizitës në varrezat e tyre, ku lartë në lisa krenarisht valojnë këta dy flamuj kombëtar, përjeton shumë emocione, por edhe mëson se pikërisht në këtë vend prehet mençuria dhe trimëria shqiptare.

Por edhe nga ato eksponate që ruan shtëpia e kthyer në kullë përkujtimore bashkëjeton me një epokë të lavdishme, duke pa nga afër gjitha ato eksponate të radhitura brenda disa dhomave të kthyera në muze. Sa gëzohesh kur sheh atë kitarë që nxirrte melodi, që i këndonte mjeshtri saj i rrallë, poet e këngëtar, pak më larg sheh palltot e shpuara me plumbat e gjakatarëve, që ndër shekuj deshën të shuajnë asporatën shqiptare për liri e demokraci. Po aty ruhen edhe veshjet tjera të vëllezërve të dijes e trimërisë, siç janë: këmishët, fanellat, këpucët, pasteli i kuq, libreza studentore dhe çakmaku i Jusuf Gërvallës e që siç mësuam janë kthyer pas disa vitesh në shtëpinë e tij nga Muzeu Historik i Tiranës, ku edhe janë ruajtur për një kohë. Të ekspozuara aty njësojë janë edhe gjësendet e Bardhoshit si vizitkartat, çakmakët, filxhanët e kafesë e blloku i shënimeve.

Jusufi në një foto me Kadarenë

Po në këtë muze sheh edhe shumë letra, dokumente e fotografi, që flasin për rrugëtimin jetësor të dy vëllezërve, si në atdhe ashtu edhe në mërgatë: që nga lindja, shkollimi, jeta në Dubovik, migrimi, martesat e tyre e deri te vdekja. Në muret e këtij muzeu janë të varura edhe dy palltot, të cilat Jusufi e Bardhoshi i kishin veshur ditën e vrasjes së tyre. Bie në sy edhe një foto e Jusufit me Ismajl Kadarenë, që ë dukje të parë duken thuaja se të një moshe, pasiqë fotoja lenë përshtypjen se është realizuar diku para afro gjysmë shekulli.

Kënga kushtuar Nënës së madhe- Ajshe

Siç dihet vëllezërit Gërvalla, krahas angazhimit politik për të kontribuuar në lirimin e tokave të pushtuara të atdheut,  kujtohen edhe për krijimtarinë e tyre artistike. Me këtë rast të përmendim vetëm këngën “Do të kthehem nënë” ku Jusufi i drejtohet me shumë mallëngjim Nanës Ajshe, një nën stoicizmi e qëndrese : “Kthehu shpejt m’ke pas thënë/se brengat më kanë molisur/të presin shokët një varr nën bli/porositë e babait tënd”.

He kështu edhe kënga edhe kitara vazhdon të jetojë edhe në ditët tona, ndërsa zëri i i poetit, autorit të kësaj kënge Jusuf Gërvallës, do të mbijetojë shekuj e gjenerata, ndaj edhe ia vlen të vizitohet shtëpia muze e vëllezërve Gërvallq e të Nënës Ajshe, pasi ato flasin përherë se sa është e shtrenjtë dhe e kushtueshme liria dhe sakrifica për atdhe.

«Atentat brenda germës L»

Me këtë rast, në përvjetorin e atentatit të vëllezërve Gërvalla,  shkëputa një fragment të një shkrimi tim për romanin e Muharrem Blakajt: «Atentat brenda germës L»: Sepse, veprat e Blakajt sikur të çojnë edhe labirinteve më të errëta të regjimeve sadiste serbo-jugosllave dhe aparateve të saj të dhunës, siç ishte edhe UDB-a famëkeqe. Tematikë e letrave të tij janë kurthet dhe atentatet e kurdisura kundër patriotëve të shquar shqiptarë, përfshi edhe ata në mërgatë, siç Jusuf e Bardhosh Gërvalla dhe Kadri Zeka («Atentat brenda germës L»). Apo edhe përpjekjeve që ndërmerrte shërbimi sekret serb për ta mposhtur rezistencën e popullit shqiptar të Kosovës. Po ky regjim shtrinte rrjetin e tij edhe jashtë vendit, duke  përgatit e kamufluar bashkëpunëtorë për ti dhënë një goditje sa më të madhe mërgatës sonë politike në shtetet perëndimore («Misioni sekret»).