Në Kukel, nderime poetit Mjedja, autorit të vargjeve profetike me vlera antologjike

 

Ekipi i Platformës “Prointegra.ch”, në vazhdën e vizitave trojeve shqiptare bëri edhe një vizitë në Kukel të Bushatit të Shkodrës, meqë rasti vizitoi Qendrën Muzeale “Ndre Mjedja”, ku nga ajo që pa mbeti më se i impresionuar si me veprat e dokumentet autentike ashtu edhe me fototekën që ruhet aty bashkë me eksponatet origjinale të poetit dhe të vet familjes së tij

 Teksti: Bedri Tahiri& fotot: Rexhep Rifati   

Ndre Mjedja (1866-1937)

ishte njëri ndër poetët, veprimtarët dhe atdhetarët më të shquar të kohës. Ai krahas Fishtës, Gurakuqit, Nolit, Mosit, Siliqit, veproi në drejtim të zgjimit dhe kalitjes së ideve përparimtare, pavarësisht petkut të tij fetar.

Ndre Mjedja, teolog, shkrimtar, gjuhëtar, deputet…

Megjithatë, Mjedja mbetet njëri nga poetët më të mëdhenj të letërsisë shqipe.

Me një frymëzim të parë romantik e djaloshar ai ka krijuar poemën e mallit e të dhembjes personale (Vaji i bylbylit).

Me njohjen e jetës autentike të botës shqiptare ai ka krijuar poemën e botës shqiptare (Andrra e jetës).

Me kërkime në njohjen e rrënjëve kulturore e historike ai ka krijuar tufat e tingëllimeve (Lissus, Scodra).

Me rebelimin e tij personal e rebelimin nacional ai ka krijuar poemën e revoltit dhe himnin e lirisë (Lirija). Në poemën “Liria” (1910-1911) gjeti jehonë kryengritja e malësorëve të Veriut më 1911, lufta e tyre dhe aspirata për drejtësi shoqërore.

Mjedja mbetet mjeshtër i pashembullt i formës e i gjuhës poetike në shqip dhe mjeshtri më i madh i tingëllimës në shqip deri më sot.

Pas dështimit të Revolucionit Demokratiko-Borgjez u tërhoq nga jeta politike dhe punoi si prift i thjeshtë në Kukël. Vitet e fundit ishte mësues i gjuhës shqipe në Shkodër dhe ndërroi jetë në këtë qytet.

Vargje profetike, me vlera antologjike, aktuale për jetë e mot, mbesin edhe këto dy vargje: Epitaf përjetësie për ata që harrojnë prej nga vijnë:

Bylbyl, ky shekull or e ças ndërrohet:

Bijnë poshtë të naltit, i vogli çohet…