( Apo: Arkipelagu arbëresh në veprën foto-prozë të Rexhep Rifatit)
Kishte vite që Rexhepi po hartonte një Libër me titullin “Arbëreshët – fotosintezë e shpirtit tim”. Dhe ja, libri doli dhe mrekullisht shumë cilësor nga forma dhe përmbajtja. Në 500 faqe shpalosen të 53 fshatrat arbëreshe, ku nuk mungon busti i heroit tonë kombëtar, tabelat e rrugëve dygjuhëshe, përshëndetja “Mirë se ardhët” në shqip, bibliotekat, kostumet popullore, grupet muzikore, shkollat..
Nga Bardhyl Adem Selimi, Tiranë
Që kur jam njohur, për herë të parë, me Rexhepin në fund të verës 2016, ai më tregoi për hulumtimet e tij në ngulimet arbëreshe në Itali dhe Greqi. Dhe, sa herë takoheshim, më tregonte për “arqipelagun arbëresh”, sikurse e cilëson atë At Antonio Belushi.
Rexhepi e ka vizituar Kalabrinë 50 vjet më parë me një grup studentësh të Kosovës, derisa ishte edhe vet student i albanologjikut .
Sipas asaj që tregoi sot vet Rexhepi gjatë promovimit të librit në Universitetin e Tiranës, gjatë vizitës së tij të parë arbëreshët e pyetën se nga vinte, ai u tha: “Vij nga Kosova”. – Po ku ndodhet Kosova”, vazhduan ta pyesnin ata. Kosova është një krahinë e madhe e banuar nga shqiptarë në Jugosllavi. Ah, dmth edhe ju jeni gjak i shprishur! Rexhepi, fillimisht, e keqkuptoi këtë fjalë që e dëgjonte për herë të parë, duke iu dukur se po thonë “i prishur”(!).
Por mandej nisi edhe ai ta përdorë lirisht për të shprehur faktin që shqiptarët janë shpërndarë “pikë e pesë”, gjithandej. Më vonë, Rexhepi si gazetar i Rilindjes, shkoi shpesh te arbëreshët, ndërsa pas vitit 1995, kur u vendos familjarisht në Zvicër, nisi studimet për arbëreshët, seriozisht. Nuk la fshat dhe vendbanim të tyre pa e shkelur, pa e fotografuar, pa qëmtuar aspekte të veçanta të jetës atje. Hoteli dhe vendqëndrimi i tij ishin vetë shtëpitë e vëllezërve arbëreshë. I solli ata edhe në Shqipëri e Kosovë. Shoqëroi atje grupe studentësh universitarë shqiptarë të Zvicrës.
Kishte vite që Rexhepi po hartonte një Libër me titullin “Arbëreshët – fotosintezë e shpirtit tim”. Dhe ja, libri doli dhe mrekullisht shumë cilësor nga forma dhe përmbajtja. Në 500 faqe shpalosen të 53 fshatrat arbëreshe, ku nuk mungon busti i heroit tonë kombëtar, tabelat e rrugëve dygjuhëshe, përshëndetja “Mirë se ardhët” në shqip, bibliotekat, kostumet popullore, grupet muzikore, shkollat..
Qendra e Studimeve dhe e Botimeve Arbëreshe (QSBA), e kryesuar nga zonja Diana Kastrati, organizoi sot në sallën “Europa” të Fakultetit të Filologjisë, një konferencë për arbëreshët, ku morën pjesë dhe ligjëruan studiues edhe nga arbëreshët. Sigurisht edhe Rexhepi, i cili kishte sjellë edhe dy dokumentarë të bukur që ilustronin librin e tij dhe vizitat në trojet arbërore (Shqipëri, Kosovë, Mal të Zi, Maqedoni dhe Ҫamëri).
Pas konferencës, një gazetare e Fax News, Katerina Kule, intervistoi Rexhepin në mjediset e bibliotekës së Fakultetit të Gjuhëve të Huaja, ku ishin ekspozuar mbi 350 botime për arbëreshët.
Bardhyl Selimi, 22 nentor 2022