Në Kriens të Lucernit u përurua objekti i parë i aksionarëve shqiptarë në Zvicër  

Në lokalitetin Kriens të kantonit të Lucernit, përmes një tubimi të përbashkët solemn të Degës së Zvicrës Qendrore të Rrjetit të Bizneseve Shqiptare në Zvicër dhe të Unionit Invest AG u inaugurua objekti i blerë nga më se 20 aksionarë shqiptarë, që aktualisht në qarkullim kanë vënë rreth 3 milionë franga.

Teksti e fotot: Rexhep Rifati

Dje për herë të parë, në historinë e mërgatës shqiptare në Zvicër, u bë një hap praktik, që ka mungua deri më tash: në Krins të Kantonit të Lucernit u përurua objekti i parë i blerë nga 20 aksionarë shqiptarë të organizuar përmes Unionit Invest AG, themeluar gati një vit më parë. Për të ia arrit këtij qëllimi final, paraprakisht pronarët e firmave shqiptare të këtij regjioni në formë aksionare grumbulluan mjete të konsiderueshme për investime të përbashkëta.

Kështu ky union bëri edhe hapin e parë praktik, duke blerë me mjete të përbashkëta këtë objekt, që pos që do të shërbejë për selinë e këtij subjekti, pjesa tjetër e lokalit do të jepet me qira. Po në këtë objekt dje u tubuan më se 30 afaristë shqiptarë, kryesisht nga ky regjion por edhe mysafirë rasti nga kantonet tjera. Me këtë rast të pranishmëve me fjalë përshëndetëse iu drejtuan kryetari i degës Degës së Zvicrës Qendrore të Rrjetit të Bizneseve Shqiptare në Zvicër, Florim Useini, kryesuesi i Unionit Invest AG, Mehdi Avdijaj, kryetari i Rrjetit të Bizneseve Shqiptare në Zvicër, Qamil Isufi, pastaj Skenderbeg Klaiqi, kryetar dhe themelues i Lobit Shqiptar, që kishte ardh nga Gjermani për të marr pjesë në këtë tubim përurues, si dhe kryetari i Shoqatës “Bashkimi” në Uster të Cyrihut, Guximtar Alushi.

Tre folësit e parë: Florim Useini , Mehmdi Avdijaj dhe Qamil Isufi u përqendruan në aktivitetin e zhvilluar në kuadër të  Degës së Zvicrës Qendrore të Rrjetit të Bizneseve Shqiptare në Zvicër dhe të Unionit Invest AG, që rezultoi me aktivitete të ndryshme, veçmas në fushën biznesit të afaristëve të suksesshëm shqiptar, që rezultoi edhe me një bashkëpunim dhe besueshmëri të përbashkët të dhjetëra afaristëve shqiptarë, që me mjete të përbashkëta për aksioneve të përbashkëta duke i grumbullua më se 800 mijë franga blen objektin të cilin edhe e rinovuan kryesisht vet këto firma.

U tha se ky është vetëm hapi i parë, por shumë inkurajues, çka u pa edhe në vetë takimin e djeshëm solemn ku kishin ardhur edhe afaristë të tjerë që shprehën gatishmërisë që ti bashkohen unionit si me anëtarësi ashtu edhe pjesëmarrje në investime përmes formës aksionare, si përvojë e parë e treguar që në fillim si shumë e suksesshëm brenda këtij unioni.

Nikoqirët me këtë rast shtruan edhe një apero dhe përmes bashkëbisedimit të lirë folën edhe për punën e mëtejshme si të degës së rrjetit të bizneseve ashtu edhe të Unionit Invest AG, organizma këto që tubojnë shqiptarë nga gjitha trojet etnike, e që si pikësynim kanë që në të ardhme të gjejnë forma edhe për investime të përbashkëta në trojet etnike.