Në Gjilan, takim kolegjial me gazetaren e portalit “prointegra.ch”, Arbëreshë Kryeziu

300

Ne gazetarët, që i kemi caktuar vetes mision jetësor, që të vizitojmë vende e njerëz, trojesh të ndryshme, qofshin shqiptare apo jo, pse të mos takohemi edhe mes vete, me njerëzit e të njëjtit profesion. Ndaj edhe sot preferova të vizitoj Gjilanin me të vetmin qellim, që të takoj kolegen Arbëreshë Kryeziu Hysenin e cila prej një viti bashkëpunon me portalin tonë në Zvicër : prointegra.ch, duke na sjell më të rejat që ndodhin në Kosovë.

Teksti e fotot: Rexhep Rifati

Këtë punë e bën me përkushtim e profesionalizëm. Ndaj edhe në shenjë respekti, për këtë punë që e bënë thuaja se në baza vullnetare, i bëra një vizitë të shkurtër, ndonëse ajo donte të udhëtonte në Ferizaj, sa për një takim kafeje dhe këmbimi përvojash nga puna e zanatit për të cilin është përcaktua, ka mbaruar studimet për Gazetari në Fakultetin Filologjik të Universitetit të Prishtinës, ku edhe pat fituar bursë nga Komisioni Evropian, për vazhdimin e studimeve në Universitetin e Gentit në Belgjikë.

Dhe kur tërë këtë rrugëtim të saj me një përgatitje kaq të lartë profesionale, sakaq kthej kujtesën prej 52 vjet prapa kur fillova në gazetari në gazetën “Rilindja”, kur sapo kisha diplomuar për mësuesi në normalen e Ferizajt dhe kisha regjistruar albanologjinë në Universitetin e Prishtinës.

Atëbotë jo vetëm unë por edhe të tjerët hasëm në një pritje shumë të ngrohët si te redaktorët ashtu edhe te kolegët gazetar, që tash kishin bërë sa vite në gazetari. Ishte redaktori im i korrespondencës, Sedat Dika, që nuk kishte shumë shkollë por që kishte një shpirt shumë të madh, përkushtues, ndonëse kishte vuajt një dënim burgu nga klika rankoviçiane, por edhe kolegët si Zenun Çelaj, Nehat Islami ishin ata që mu gjetën në ditët e para si dora e djethtë. Madje kur bënim një shkrim të përbashkët, zakonisht e nxirrnin emrin tim përpara emrit tyre në gazetë, e kjo për ne fillestarët kishte kuptim të veçantë.

Këtë përvojë time para gjysmë shekullore desha ta përcjelli edhe te Arbëresha, ngase secila gjeneratë e ka obligim që shembujt e mirë ti bartë te tjetra, pavarësisht nga mosha, sepse gazetarët duhet të tregojnë kolegjialitet më të madh mes vete se të çdo profesioni tjetër, pasi ata në shumë raste sfiduese kanë nevojë për ndihmën e njëri tjetrit, sepse kur gjenden “ngushtë”, të tjerët nuk ua ofrojnë!

Edhe gjatë këtij takimi me Arbëreshën temë bisede patëm avancimin e mëtejmë portalin tonë “prointegra.ch”, me seli në Cyrih, ndonëse me një personel mjaft të vogël, por me mundësi bashkëpunimi edhe të bashkëpunëtorëve të ri si nga mërgata ashtu edhe trojet etnike, ndonëse e tërë puna zhvillohet kryesisht me angazhime dhe punë vullnetare. Edhe atë jo vetëm me një përkushtim profesional, por edhe me një pasion të veçantë.

Krahas në shkrime te Arbreshë Kryeziu dhe burri saj, pashë një çift të mrekullueshëm, që njëri tjetrin e plotësojnë e ndihmojnë edhe jashtë pragut të shtëpisë. Ndërsa që vetë Arbëresha paraqet një profil të ri të gruas së sotme, moderne, që preokupimin dhe shqetësimin e saj për aktualitetin e sotëm shqiptar, e bartë jo vetëm brenda komunës por edhe më gjerë, qoftë përmes shkrimeve apo edhe angazhimit të saj permanent politik, duke qenë edhe këshilltare e Kuvendit komunal të Gjilanit nga radhët e Lëvizjes Vetëvendosje.

Pak biografi nga jeta 30- vjeçare e koleges, Arbëreshë Kryeziu

Arbëresha ka lindur më 24 maj 1989 në Gjilan, ku ka mbaruar shkollën fillore dhe të mesme. Ka nisur studimet në Fakultetin Filologjik në Prishtinë-Dega Gazetari, ndërsa i ka përfunduar ato në Universitetin e Gentit në Belgjikë, ku ka shkuar në kuadër të një burse studimi të fituar nga Komisioni Evropian. Ajo është e martuar me Labinot Hysenin , dhe kanë një djalë.

(Gjatë kësaj vizite një orëshe në Gjilan, shkrepa ca foto, kryesisht të shtatoreve të heronjve të kësaj ane)