Në Gjermani, ekspozita e re e Abetare Berilës, me një qasje origjinale ndaj artit

185

Kjo 15 vjeçare e talentuar, që prej vitesh po tërheqë interesimin e mediave dhe kritikës gjermane, në ekspozitën e 7 të radhës me emërtimin “Koha për ndryshim”, të porsahapur në Wangen Bodensee të Gjermanisë, dëshmoi edhe njëherë se sa është e rëndësishme mbështetja e prindërve për fëmijët e tyre me prirje të veçanta

Teksti dhe fotot Rexhep Rifati, Wangen Bodensee, Gjermani

Që të marrja pjesë në ekspozitën e piktores së re, tejet të talentuar, Abetare Berila, të lindur (më 5 dhjetor të vitit 2003 në Wangen), mu desh ti kaloja tri shtete: Zvicrën, Austrinë dhe një pjesë të Gjermanisë, duke ndërruar tre trena e kaluar mbi 600 kilometra, por që i tërë ky udhëtim e jo mundim sikur u shpagua shumëfish. Sepse përjetova një gëzime e kënaqësi të veçantë, pasi Abetaren dhe punën e saj artistike e kam përcjell që nga mosha 9 vjeçare, kur edhe më dhuroi një pikturë, që tash bashkë me një të piktorit të Samedin Asllanit, stolisin banesën time në Cyrih.

Ndonëse në moshë 15 vjeçare, për Abetaren kjo është ekspozita e shtatë me radhë, (Ndërsa të paren e hapi në moshën 8 vjeçare!),  ndaj edhe emri i saj prej vitesh, pos në mediat shqiptare është i pranishëm edhe në ato gjermane, përfshi edhe televizionin vendas, ku ajo cilësohet si një krijuese me prirje të veçanta, madje edhe për mënyrën se si i qaset temave, kur kihet parasysh mosha e saj e re. Ajo në një kolazh të portreteve ka vendos edhe një pasqyrë të vogël ku thotë se shërben si një lloj testi, se ku kush mund të arrij me punën e vetë, madje edhe ajo vetë nëse punon me zell e përkushtim.

Por ti kthehemi ekspozitës së porsahapur të Abetares, për të cilën një javë më parë kisha marrë një ftesë përmes postës, ku shkruhej se që nga 30 korriku e deri më 30 gusht 2019, përplot një muaj në bibliotekën Stadtbücherei im Kornhaus, do të qëndrojë e hapur ekspozita e saj personale me dhjetëra punime me tematikë të ndryshme, ku vend të veçantë zënë portretet e njerëzve të njohur apo edhe tematika të tjera që brenda kanë edhe mesazhin e kthyer në porosi e art. Do theksuar se Abetaren, pos dhuntisë dhe talentit për vizatim e pikturë, që siç thotë ajo e filloi qysh si fëmijë dyvjeçarë, e shoqëron edhe puna e mirë dhe suksesi në gjimnaz, por edhe loja në grupe artistike shqiptare dhe në disa disiplina sportive, siç janë futbolli e karateja.

Me rastin e hapjes së ekspozitës që tërhiqte vëmendjen edhe të lexuesve të bibliotekës, ku ajo ishte e hapur, takova edhe prindërit e Abetares, Feride dhe Isa Berila, që aq shumë kujdesen që vajzës së tyre të mos i mungojë asgjë, si me rastin e sigurimit të materialit e as për ndjekjen e kurseve tek piktorë të shquar gjermanë, apo kur duhet përcjell edhe ekspozita të tjera të autorëve shqiptarë e të huaj.

Se sa është interesimi i madh i prindërve të saj, nëna e saj Feridja thotë se qysh para pesë vitesh ka konkurruar për hapjen e ekspozitës së Abetares në këtë bibliotekë, porse konkurrenca ka qenë aq e madhe sa është dashur të pritet kaq gjatë. Porse tash kur po përgatiten për udhëtim në vendlindje, në Kosovë, megjithatë këtu do të lënë një pjesë të pasurisë së tyre, e ajo janë punimet e Abetares, që për një muaj rresht jo vetëm që do të stolisin bibliotekën e këtushme por edhe do të tërheqin vëmendjen e vizitorëve, për të pa sesi një fëmijë shqiptar, në kushtet e një vendi që e çmon dhe e donë kulturën se sa mund të arrijë, aq më parë në një shtet demokratik që çmon dhe respekton edhe kulturat e të tjerëve.

Krejt në fund, nuk mund e të e mos themi se, Abetarja nuk ka vetëm një talent në art e sporte, por edhe një shpirt human e bamirës, sa nga shitja e pikturave ka ndarë mjete edhe për Fshatin e Fëmijëve SOS në Kosovë.

Ekspozita e porsahapur e kësaj 15- vjeçare,  do të qëndrojë e hapur në bibliotekën e Wangenit deri më 30 gusht 2019.