Në Gjenevë, sot në moshën 100 vjeçare ndërroi jetë profesor Astrit Leka

 

Lajmin për vdekjen e Profesor Astrit Lekës, në spitalin e Gjenevës, sapo na e kumtoi e bija e tij Brikena Leka. Profesor Astriti ishte një ndër figurat më të shquara të botës shqiptare në Zvicër, duke qenë edhe shqiptari më i moshuar në këtë shtet: më 20 dhjetorë të vitit të kaluar mbushi 100 vjet, kur edhe përmes telefonit i urova ditëlindjen deri sa isha në Kosovë, ku ai qysh në vitin 1943 kishte takuar Tefik Çangën me detyra atdhetare.

Teksti e fotot: Rexhep Rifati 

Profesor Astrit Leka ishte ideator dhe realizues i projektit të bustit të Skënderbeut në zemër të Gjenevës ( monument ky i punuar nga Odhise Paskali) dhe jo vetëm këtu, por edhe në disa qendra të tjera të botës.
Ja edhe një pjesë e intervistës sime lidhur me sjelljen e bustit të Kryetrimit tonë në Gjenevë:
-Shkela në tokën zvicerane, një vend tradicionalisht neutral në maj të vitit 1990, ku fola si shqiptar Shqipërie në demonstratat dyjavore historike që bënin shqiptarët e grumbulluar nga e gjithë bota para Kombeve të Bashkuara në Gjenevë, për të kërkuar lirinë e Kosovës, me flamurin e Skënderbeut në krye, por dhe me këngët patriotike me emrin e Skënderbeut. Gjatë atyre ditëve më lindi ideja që ta përjetësoj Skënderbeun me një monument, në këtë vend te bekuar dhe me kaq rëndësi për lirinë e popujve…
Fati më ndihmoj dhe personalitete zvicerane të nivelit më të lartë mbështetën përpjekjet e mia për lirinë, për mbrojtjen e të drejtave dhe demokratizimin e shqiptarëve dhe ngritjen e bustit të Gjergj Kastriotit Skënderbeut, tek pas 5 vjet përpjekjesh.
Profesor Astrit ishte i lindur më 20 dhjetor 1924 në Borshin piktoresk, afër Sarandës,, ndërsa qysh në vitin ‘41-n braktis shkollën e mesme në Firence dhe kthehet në atdhe për të mbështetur luftën. Pas çlirimit ka punuar si bashkëpunëtor i Institutit të Shkencave (1947-1954 ), ndërsa ka kryer studimet e larta në Fakultetet Gjuhë-Letërsi, Histori-Gjeografi dhe Fakultetin Ekonomik dhe ishte i pajisur me tri diploma, si dhe njohës i mirë i 5-6 gjuhëve të huaja.
Krahas shumë mirënjohjeve si veteran i Luftës së Dytë Botërore, profesor Astritit iu ndan edhe shumë dekorata e mirënjohje, ndër të cilat edhe certifikatë nga Ambasada e Republikës së Kosovës në Bernë me motivacion: promovimin e vlerave të kombit Shqiptar në Botë, të cilën ia dorëzoi ambasadori Ilir Gjoni me 2 dhjetor 2018.
Profesor Astriti prej dekadash ka jetuar në Gjenevë dhe ka lënë pas vetes dy vajza intelektuale , Brikena dhe Dasara Leka. Varrimi i profesor Astritit pritet të bëhet në Zvicër, por ende nuk është caktuar data.