Në Ferizaj debat se si të profilizohet festivali “Kosovarja këndon” në gjysmëshekullin e dytë

Kjo tryezë, të cilën e moderoi gazetari Afrim Demiri, i cili me këtë rast duke fole rreth avancimit të mëtejmë të këtij festivali theksoi se si me interes do të ishte që të krijojmë profile të reja, ngjashëm me një piktor të mirë që përpiqet vazhdimisht të gjejë profile të reja, që kjo ngjarje me peshë kulturore jo vetëm për botën femërore vazhdimisht të avancohet sa i përket vlerave të mirëfillta kulturore, në konkurrencën e vlerave që sjellë koha, aq më parë tash kur femrat tona kanë arritje kulmore në këtë fushë.

Në këtë debat, thënë thjesht bashkëbisedim, morën pjesë që nga përfaqësuesit e institucioneve komunale: nënkryetari i komunës Lulzim Aliu, drejtoresha e DKRS Xhemile Murati- Shabani, të cilët u zotuan se do të mbështesin këtë festival me gjitha format e mundshme, por meqë kjo ngjarje kulturore ka karakter më të gjerë lypset një ndihmesë më të madhe institucionale dhe financiare,.

Debati vazhdoi me fjalët e mysafirëve nga Prishtina: profesoresha Besa Luzha, Kompozitori,

Valon Beqiri, muzikologjia Rreze Kryeziu, ish- drejtori i Ansamblit “Shota” , Shefqet Gjoca, drejtori artistik i “Shotës” Ylber Asllanaj, gazetari Sami Piraj. Ndërsa nga  Shkupi, për të dhënë kontributin e tij kishte udhëtuar muzikologu Blerim Grupi. Nga vendorët ishin përfaqësuesit e AKV “Kastriotë” nga Ferizaj Astrit Mustafa, Murat Baliu , ndërsa që nuk munguan as dy nga solistet e festivalit “Kosovarja Këndon”:  Sadije Çarkaxhiu dhe Elife Podvorica, si dhe përfaqësues të tjerë nga jeta kulturore e qytetit të Ferizajt, duke veçuar me këtë rast edhe kontributin e Heset Quzët.

Me këtë rast u vlerësua lartë puna e këtij festivali ndër vite, që begatoi skenën tonë muzikore me shumë emra të rinj vajzash që nga viti në vit arrtën që të jenë përfaqësuese të denja të Kosovës gjatë këtij gjysmë shekulli, ndaj edhe debati u përqendrua se si të veprohet në të ardhmen jo vetëm sa i përket konceptit dhe fizionomisë por edhe se si të gjenden burime financiare, që mundësojnë ecurinë e mëtejme të manifestimi që pretendon të avancojë sidomos në cilësinë e tij, që krahas ruajtje së traditës të ketë një profil sa më të ri,  duke sjellë prurje të reja ,

Huazuam me këtë rast disa nga kënd shikimet e profesoreshës Besa Luzha, lidhur me këtë debat të mbajtur në Ferizaj: Diskutuam si të përparohet festivali më i veçantë i muzikës popullore «Kosovarja Këndon». I nisur për të emancipuar dhe pranuar pjesëmarrjen e vajzave dhe të grave në veprimtaritë artistike, siç ishte këndimi i këngëve popullore tradicionale, pas pesë dekadave duhet rimenduar misioni, formati e organizimi e jehona, gjithmonë duke pasur synim ruajtjen dhe kultivimin e këngës së mirëfilltë popullore.

Pjesëmarrësit e tryezës, profesionistë të fushës, organizatorët dhe përfaqësuesit e qeverisjes lokale në Ferizaj, bashkë me veteranët e këtij festivali e të SHKA Kastriotët, u dakorduan, që interpretimi live dhe cilësor i këngëve të bukura shqipe popullore dhe të krijuara në frymën popullore, është diçka që e dallon nga festivalet e tjera të ngjashme. Kategorizimi, kohëzgjatja dhe pasurimi me elemente të tjera të rëndësishme do ta zhvillojë dhe do t’ia ngrisë nivelin këtij festivali të rëndësishëm, i cili meriton të përfshihet në listën e trashëgimisë tonë shpirtërore. Shumë nga këngëtaret që kanë debutuar në këtë festival, pastaj kanë marrë rrugën e zhvillimit dhe të kultivimit të këndimit profesional dhe sot shquhen me interpretimin e tyre.”.

Organizatorët e tryezës shfaqën edhe një dokumentar të shkurtër nga ecuria e këtij festivali ndër vite, ku u pa se me dhjetëra e dhjetëra vajza që kanë defiluar në te janë bërë emra të njohur që na kanë bërë krenar si brenda ashtu edhe jashtë Kosovës. E veçanta ishte se grupi i artistëve të Galerisë së Arteve dhe SHAF «Zef Kolombi» që kishte organizuar një koloni artistike, për të gjitha femrat pjesëmarrëse në debatin e sotëm kushtuar Festivalit “Kosovarja Këndon”, kishin punuar nga një pikturë falas.