Isuf Ismaili: Në demonstratën e 1 prillit të vitit 1981
Një pjesë e tregimit realist, nga ngjarja që kam përjetuar si nxënës i shkollës 8 – vjeçare
Me mësimdhënësit: Xhevdet Syla e Nezir Murta dhe me shokun tim të klasës Agron Metolli
Sapo e mbarova mësimin, u nisa për në shtëpi. Hëngra drekën dhe se ç`mu shkrep nuk e di, por u nisa për në qendër të qytetit. Ishte ditë e bukur me diell e rreze të shkëlqyera e të ngrohta pranverore, këto rreze po e shuanin monotoninë dimërore. Njerëzit ishin veshur me rroba tanimë të stinës, më shumë me xhaketa. Në qendër të qytetit, në shëtitoren e zakonshme, atë ditë kishte një gjallëri të jashtëzakonshme. Një veturë ishte pranë një rruge që shkonte pak si përpjetë, që të çonte në rrugën kryesore pranë ndërtesës së vjetër të Fakultetit Teknik, aty afër Fakultetit të Arteve dhe Shkollës së Lartë Pedagogjike. Një burrë po i thoshte shoferit të mjetit, të mos futej në atë rrugë, se studentët ishin lart te Fakulteti Teknik, duke demonstruar.
– Atje qenka vendi, ku duhet të jem edhe unë, – thashë me vete, dhe pa hezituar u nisa në drejtim të fakultetit. Sapo arrita aty, pashë shumë njerëz dhe nuk shikoja çdo gjë mirë, por natyrshëm u bashkova me popullin, kur shikova më mirë duke u ngritur në maje të gishtërinjve të këmbëve, vura re një radhë policës, që na ndante nga studentët. Nuk vonoi dhe aq shumë, erdhi një makinë e madhe policore, prej saj dolën shumë policë dhe hodhën gaz lotsjellës, u bë një pështjellim i madh, u bashkua populli dhe studentët dhe kështu së toku u nisëm në drejtim të qendrës, të shëtitores. Brohorisnim e thërrisnim: “Lironi shokët nga burgu”, “Kosova Republikë”, “Bashkim, bashkim”, “Jemi shqiptarë nuk jemi jugosllavë”, “Trepça punon Beogradi fiton”, “Kosova Republikë, ja me hatër, ja me luftë” “Duam barazi”” etj,.
Me mësimdhënësit: Xhevdet Syla e Nezir Murta dhe me shokun tim të klasës Agron Metolli
Vazhduam rrugën dhe unë ndalova pikërisht tek kryqëzimi i rrugës, pak më vonë fillova të lëvizja nga pak, kur papritmas shikoj mësimdhënësit e mi Xhevdet Syla dhe Nezir Myrtaj.
Nuk po u besoja syve të mi, para dite mësues Xhevdeti na kishte dhënë mësim në shkollë, mbas dite po e shikoja në demonstratë, demonstronim së bashku. Më dukej sikur po fluturoja nga gëzimi. Iu afrova më pranë dhe i thashë vetëm dy fjalë:
– Shoku arsimtar… – doja t`i thosha shumë gjëra, por nuk arrita të shqiptoja në ato momente asgjë më shumë. Ai më pushtoi në krahët e tij dhe ma përkëdheli kokën. Neziri po na shikonte me vëmendje, duke psikologjisur gjendjen dhe natyrshëm shfaqte dashamirësinë. Neziri ndonjëherë vinte në shkollën tonë dhe zëvendësonte Xhevdetin. Mua m`u gjallërua delli i krenarisë, diçka që nuk e kisha përjetuar më parë, m`u duk sikur ai damari i burrërisë po më lëvrinte në qenien time i cili, më mbante si në ajër, edhe pse unë natyrisht isha në moshën e fëmijërisë, por të një fëmijërie që mbase unë dhe shumë shokë e shoqe nuk po përjetonim kënaqësinë e saj, ishim pjekur para kohe. Emocione të fuqishme më përshkuan dhe unë ndjehesha tepër i lumtur, që bashkë me mësimdhënësit e mi isha në gjendja jo vetëm të përkushtohesha tërësisht në demonstratë, por edhe të bëja ç`të më thoshin ata. Kisha një siguri, një mbështetje, që nuk e kisha pasur asnjëherë më parë, nga asnjë mësimdhënës.
Demonstrata gjithnjë e më shumë bëhej madhështore, njerëzit dukej sikur mbinin nga dheu. Për mua ishte shumë emocionale, kur rastësisht u takova edhe me shokun e klasës time Agron Metolli.
Njerëzit dukej se mbinin nga dheu, sheshi ishte mbushur plot, aty u bashkuan punëtorët me studentët, intelektualët me fshatarët, nxënësit me mësimdhënësit. Kjo është një nga organizimet e shpirtit madhështor shqiptar, prandaj njerëzit nuk kishin hezituar për të shprehur gatishmërinë për jetësimin e të drejtave shqiptare.
Afër mbrëmjes ndërhyn policia me gjithë brutalitetin e dhunës së egër, hodhën gaz lotsjellës dhe mjete të tjera të dhunës policore. Demonstruesit shpërndaheshin, u shpërndamë edhe ne, unë u nisa në drejtim të shtëpisë.
Të nesërmen në mëngjes, para orës shtatë, ishim të rreshtuar në fushën sportive, për t`u futur në klasat tona. Unë dhe Agroni ishim bashkë, kur shikoj mësues Xhevdetin, që po fliste me kujdestarin tonë të klasës Skënder Beranin. Skënder Berani na shikoi ëmbël dhe lehtë na buzëqeshi, e mora me mend se Xhevdeti i kishte treguar se kishim qenë bashkë në demonstratë…
U futëm në klasat tona, por shpejt na thanë arsimtarët, se duhej të shkonim në shtëpi. Nxënësit e shkollave të mesme, studentët dhe populli ishin bashkuar e po demonstronin.
Shkoi një javë a ca më shumë dhe ne nuk shkuam fare në shkollë, sepse Kosova ishte rrethuar me forca të shumta ushtarako policore jugosllave, brenda në Kosovë kishte mijëra ushtarë e policë të tjerë jugosllavë, kishin shpallur shtetet-rrethim, orë policore. Dhuna dhe brutaliteti policor gjithnjë e më shumë shfaqej. Aq barbarë e jonjerëzor ishin forcat ushtarako – policore serbe, në radhë të parë, por edhe ato jugosllave në përgjithësi, sa dridhej edhe foshnja në barkun e nënës. Por ne nuk thyheshim, sikur kaliteshim edhe më shumë. I kishim përjetuar flakët e përleshjeve për liri dhe i kishim marrë erë barutit. Megjithëkëtë, dikur filluam të shkonim në shkollë. Kështu i rifilluam mësimet, mua më dukej se kishte ndryshuar shumëçka. Agroni, me të cilin më parë nuk kisha pasur shumë shoqëri, m`u bë shoku më i dashur. Mbase unë dhe ai ishim trimëruar më shumë se ç`duhej. Kishim marrë pjesë në demonstrata së bashku dhe natyrshëm rrinin bashkë, ne uleshim bashkë pranë në një bankë të klasës. Mësues Xhevdeti na mbante orët e fizikës, një pjesë prej të cilave kthehej herë në histori, herë në letërsi duke na dhënë kulturë atdhetare.