Në Cyrih ndërron jetë intelektuali dhe veprimtari, Ing. Nazmi Peci-Boletini.

I ndjeri u largua në përjetësi nga një sëmundje e rëndë i prekur edhe nga Covid-19, dje më 18 nëntor 2020 në një nga spitalet e Cyrihut në Zvicër. –Me rastin e largimit në përjetësi të atdhetarit dhe intelektualit Ing. Nazmi Peci-Boletini, po japim një shkrim homazh të Haki Latifit, kryetar shumëvjeçar i Degës së LDK-së në Zvicër.

 Nga Haki Latifi

Atdhetari i devotshëm dhe bashkëveprimtari Nazmi Peci, ishte veprimtar i palodhshëm i çështjes kombëtare, inxhinier i nderuar dhe drejtues i zoti, ish i burgosur politik dhe i angazhuar në periudha të hershme si njëri ndër themeluesit e Degës së LDK-së në Zvicër.

Veprimtari Nazmi Peci, në kushte të një trysnie politiko hegjemoniste-policore serbo-sllave të viteve 90-ta, pas vëzhgimeve dhe gjurmimeve të shumta të pushtetit okupues të atëhershëm u shtrëngua që të merrte vendimin e arratisjes nga vendlindja për të marrë në sy rrugët e mërgimit politik.

Ishte njëri ndër 215 intelektualët shqiptarë, i cili iu nënshtrua izolimit dhe dhunës serbe. U burgos, u torturua por kurrë nuk u nënshtrua, duke qëndruar stoikisht ashtu siç i ka hije një pinjolli të familjes atdhetare Boletini.

Ai u vendos në Zvicër për të vazhduar veprimtarinë politike në shërbim të atdheut në kuadër të Degës së LDK-së në Zvicër, për të mos u ndalë deri sa mbylli sytë.

E njoha si Njeri të drejtë dhe i brumosur me guxim intelektuali, i gatshëm që në çdo kohë të vepronte në bashkëveprim me të gjitha shtresat që për synim kishin çlirimin e atdheut nga falanga serbe.

Gjatë karrierës profesionale, ishte Drejtor teknik në Minierën „Trepça“ në Stantërg. Në kuadër të Degës së LDK-së në Zvicër, ka mbajtur disa funksione me rëndësi udhëheqëse si; Nënkryetar i Degës, anëtar i kryesisë dhe kryetar i Këshillit të fondit të 3% -it për Zvicër, Anëtar i Këshillit të Përgjithshëm të LDK-së etj., ku me përgjegjësi bashkëpunoj si mik e bashkëpunëtor i presidentit Historik Dr.Ibrahim Rugova.

Më tej Haki Latifi shkruan se : Ti jetove me dashurinë dhe shqetësimin e madh në shpirt për fatet e popullit të Kosovës deri sa mbylle sytë përgjithmonë. Ngushëllime të sinqerta; familjes Peci, miqve të të ndjerit dhe bashkëveprimtarëve të Degës së LDK-së në Zvicër.

I ndjeri Nazmi Peci (28.10.1953-18.11.2020), u largua në përjetësi nga një sëmundje e rëndë i prekur edhe nga Covid-19 , më 18 nëntor 2020 në spitalin e Cyrihut në Zvicër.  Nga shpirti ynë u shkëput edhe një meteor, ku Trupi i Tij do të prehët i qetë në Boletinin e tij të dashur, në Dardanin tonë të bekuar nga Zoti.

Për jetë e mot qoftë i nderuar kujtimi për birin e madh të tokës shqiptare, atdhedashësin e devotshëm, Ing. Nazmi Peci-Boletini!